Projektligji i Amnistisë Fiskale, ja pasuria që lejohet të deklarohet! Si do të paguhet tatimi

165
Sigal

Pasuria që lejohet të deklarohet vullnetarisht, sipas parashikimeve të këtij ligji, nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 000 000 (2 milionë) euro.

Për personat në përbërje të certifikatës familjare, pasuria që lejohet të deklarohet, sipas parashikimit të pikës 1, është tërësia e deklarimeve vullnetare të kryefamiljarit ose çdo personi madhor, bazuar në të dhënat e certifikatës familjare, sipas përbërjes që rezulton e dokumentuar deri më datë 1.1.2022.

Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka apo institucioni financiar mban një tatim të posaçëm prej:

a) 7 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në 4 muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

b) 10 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas 4 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Nëse subjektet që kanë bërë deklarimin vullnetar të shumave në të holla nëpërmjet depozitimit të tyre në llogari bankare, vendosin t’i investojnë shumat e deklaruara në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione jo më të vogla se 2 vjeçare, Banka e Shqipërisë në rolin e Agjentit Fiskal, mban një tatim të posaçëm prej:

– 5 për qind të shumës totale për investime të bëra në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

– 7 për qind të shumës totale për investime të bëra pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të deklaruara vullnetarisht pranë Njësisë, tatimi i posaçëm paguhet, si më poshtë vijon:

– 7 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

– 10 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

-Bankat e nivelit të dytë, apo institucionet financiare transferojnë të ardhurat nga pagesat e tatimit të posaçëm në kuadër të këtij ligji, në llogarinë e posaçme të thesarit, të Ministrisë përgjegjëse për Financat.

-Detyrimet tatimore të subjekteve përfituese, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar, konsiderohen të paguara rregullisht dhe autoritetet kompetente tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara sipas përcaktimeve të këtij neni