Progresi i KLSH-së, si pjesë e zhvillimit kombëtar

915
Sigal

Nga Redi Ametllari

Auditues, Departamenti i Auditimit të Performancës, KLSH

Në 28 maj, KLSH kremtoi 93-vjetorin e krijimit duke hyrë kështu në një moshë një shekullore.

Por, pa hyrë në rrjedhën historike, kjo moshë 93-vjeçare i akordon Kontrollit të Lartë të Shtetit medaljen e institucionit më të vjetër të pavarur të historisë së shtetit shqiptar. Pra, është vetë historia që e njeh KLSH-në si një institucion të pandashëm me ecurinë e zhvillimit të shtetit shqiptar. Po çfarë përfaqëson Kontrolli i Lartë i Shtetit? Përkufizimi që tejçon plotësisht kumtin e KLSH-së vjen nga një personalitet i shquar që mori nismën ligjore për themelimin e Këshillit Kontrollues në vitin 1925, deputeti i Vlorës, Mustafa Tragjasi: “Populli po thotë se taksat jam tue i paguar, por nuk jam duke ditur se ku po prishen. Edhe për t’i dhënë një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim është e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat dhe të prishurat”. Pra, mesazhi është i qartë. KLSH u përket qytetarëve si taksapagues. Pas 100 viteve Shtet, në 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit u imbarkua në një lundrim kah “kontinentit të qytetarëve”, për të braktisur njëfarë ishulli burokratik e izolacionist që u krijua edhe nga tranzicioni i egër në Shqipëri. Si busull në këtë udhëtim vjen miratimi i ligjit 154/2014 i KLSH-së që e rithemeloi Kontrollin e Lartë të Shtetit sipas morfologjisë së simotrave evropiane dhe standardeve të auditimit publik të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Audimit (INTOSAI-t). Ky është një udhëtim kah vetvetes, për t’u rikthyer tek raison d’être, arsyeja e ekzistencës së këtij institucioni, qytetarit. Janë një sërë organizatash prestigjioze ndërkombëtare, me peshë në politikëbërjen evropiane dhe atë botërore, që në analizën e zhvillimit të Shqipërisë, kanë përdorur si indikator edhe ecurinë e KLSH-së. Në planin institucional, është me rëndësi të theksojmë se në kuadër të implementimit të standardeve ndërkombëtare, Programi SIGMA (nismë e përbashkët e BE-së dhe OECD) ka vlerësuar miratimin e “Manuali për Auditimin e Përputhshmërisë” dhe “Manuali i Auditimit Financiar” nga Kryetari i KLSH, z.Bujar Leskaj në 31 dhjetor 2015. SIGMA thekson, se manualet tregojnë se ato janë zhvilluar në linjë me nivelet 3 dhe 4 të ISSAI (standardet), të cilat adresojnë zhvillimin e auditimeve individuale dhe përfshijnë parimet përgjithësisht të njohura profesionale që përforcojnë auditimin efektiv dhe të pavarur të subjekteve të sektorit publik. Në planin e kontributit në qeverisjen publike që ofron me çdo auditim që kryen, në 2016 organizata prestigjioze “Transparency International” e vlerësoi KLSH-në si ndër të vetmit institucion që lufton korrupsionin në Shqipëri. Aty theksohet se kallëzimet për abuzime vijnë vetëm nga KLSH. “Të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit”, thuhet në raportin e TI. Në 16 mars 2018, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) prezantuan gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017”, dhe e klasifikuan KLSH në vendin e parë si institucioni më i besueshëm sa i përket ushtrimit të kontrollit ndaj qeverisë. Së fundmi, edhe progres raporti i BE-së i 2017, në shqyrtimin e plotësimit të 5 kritereve të Kopenhagenit, analizon kontributin dhe ecurinë e KLSH. Progres raporti thekson se “Pavarësia funksionale, operacionale dhe financiare e Institucionit Shtetëror të Auditimit është garantuar në Kushtetutë dhe në kornizën ligjore, në përputhje me standardet e INTOSAI-t”. Me tej, përsa i përket kapacitetit institucional, progres raporti thekson se “zhvillimi profesional i audituesve ka qenë prioritar në vitet e fundit, duke kryer mesatarisht 25 ditë trajnimi/për auditues çdo vit. SAI ka miratuar planin e auditimit për vitin 2018 duke përdorur një metodologji vlerësimi bazuar në risk”. Progres raporti i BE-së i rekomandoi KLSH-së miratojë një qasje të auditimit të jashtëm bazuar në risk, mbështetur në të cilën do të planifikojë se si do të reduktohen gradualisht auditimet e përputhshmërisë dhe do të rriten auditimet e performancës dhe ato financiare”. Si një institucion pararojë, jo vetëm i zhvillimeve kombëtare, por edhe të atyre ndërkombëtare, KLSH ka qenë i angazhuar dhe po angazhohet në rritjen e numrit të auditimeve të performancës. Viti 2017 qe viti i përfundimit të Strategjisë së Zhvillimit Institucional 2013-2017 të KLSH, ku zhvillimet profesionale dhe rritja e kapaciteteve audituese përmbushën Objektivin e Tretë Strategjik, përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës. Auditimet e performancës janë rritur ndjeshëm në numër (20 përqind më shumë se një vit më parë), mbulueshmëri institucionesh dhe cilësi, duke trajtuar tema me ndjeshmëri të lartë publike si Siguria Ushqimore, Efektiviteti i Politikave për Zhvillimin Strategjik të Turizmit, Kostimi i shërbimeve spitalore, Cilësia e Ajrit, Unifikimi i Pikave Doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, Rehabilitimi i ish të përndjekurve Politikë në Periudhën e Tranzicionit dhe Efektiviteti i Granteve në AZHBR etj. Me miratimin e Strategjisë së re 2018-2020, Departamenti i Auditimit të Performancës do të nisë një rrugëtim të ri, me më shumë sfida dhe përgjegjësi, ku auditimet e performances do të marrin një rol edhe me protagonist si pjesë e natyrshme e aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Natyrisht, numri i lartë auditimeve të përputhshmërisë nuk është një përzgjedhje e brendshme institucionale, por nxitet nga faktorë të jashtëm, si korrupsioni i lartë në sektorin publik që po cenon përditë interesat e qytetarëve shqiptarë Problemet e mprehta të korrupsionit në Shqipëri, që siç evidentohen nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, është i shtrirë në të gjitha degët e qeverisjes, e detyrojnë KLSH që të ruajë një vigjilencë të lartë për të vënë para përgjegjësive ligjore zyrtarë që shpërdorojnë me një të rënë të lapsit milionë euro të qytetarëve shqiptarë. Auditimet e përputhshërisë po ashtu vijnë si një reagim i KLSH-së në përgjigje edhe të ankesave që depozitohen në këtë institucion nga qytetarët, por edhe nga indiciet që burojnë prej denoncimeve të mediave dhe OJQ-ve. Prandaj, KLSH-ja në auditimet e saj dhe në çdo reformë institucionale do të vazhdojë të japë kontributin e saj në proceset integruese të vendit, duke u pozicionuar, me parzmoren e INTOSAI-t dhe Kushtetutës, në rolin e saj si shërbestar i qytetarëve dhe gardian i fondeve dhe aseteve publike. Në këtë kontekst, vlerësimet për ecurinë e KLSH-së marrin edhe një trajtë të zhvillimeve kombëtare, pasi në Shqipëri mund të ketë korrupsion, por ka edhe kush e lufton. Vlerësimet e organizmave ndërkombëtare për KLSH-në janë edhe një promovim i asaj se në Shqipëri nuk ka vetëm anë të errët, por edhe një institucion, që me fjalët e nismëtarit të themelimit të KLSH-së, deputetit, Mustafa Tragjasi, po i hedh “ një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim…”