Prof. Dr. Irakli Premti: Ja projektet që do t’i japin fund krizës së ujit të pijshëm në vend

1573
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Irakli Premti, autor i dy projekteve madhore për furnizimin me ujë të pijshëm gjatë gjithë kohës të bregdetit jugor dhe Tiranës e rrethinave të saj

Dy projekte ambicioze që synojnë të zgjidhin një herë e përgjithmonë krizën e furnizimit me ujë të pijshëm, janë në tavolinën e qeverisë shqiptare dhe presin firmën e titullarëve të lartë, për të nisur zbatimin e tyre. Njëri projekt synon të furnizojë me ujë të pijshëm të gjithëkohshëm zonën e jugut tonë bregdetar, ndërsa projekti tjetër, Tiranën e rrethinat, dhe disa zona të tjera të Shqipërisë së mesme. Është e para herë që projekte të tilla madhore përpilohen, drejtohen dhe zbatohen nga qarqet akademike në Shqipëri, të cilat në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe ministrinë e linjës, do të mundësojnë zgjidhjen e një problemi të madh social për shumicën e shqiptarëve. Prof. Dr. Irakli Premti është autori kryesor i këtyre projekteve, pjesë e punës studimore dhe aplikative të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Departamenti i Gjeo-informatikës, Gjeologjisë së Zbatuar dhe Mjedisit. Ne e takuam z. Premti dhe ai na dha këtë intervistë, ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”. 

 – Zoti Premti, ju jeni autori kryesor i dy projekteve të mëdha me rëndësi kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës bregdetare të jugut nga Vlora në Sarandë dhe të rajonit Tiranë-Mamurras-Durrës-Kavajë-Rrogozhinë, me një teknologji të re, mjaft efikase dhe të leverdishme. Ku konsistojnë konkretisht këto dy projekte?

Duhet thënë se Shqipëria është një ndër vendet më pasuritë më të mëdha ujore në shkallë globale, por që ende nuk e ka zgjidhur plotësisht furnizimin e bollshëm dhe gjatë gjithë kohës të banorëve me ujë të pijshëm. Në këto vite tranzicioni është bërë shumë në këtë drejtim, por furnizimi me ujë të gjatë gjithë kohës dhe të parametrave evropianë, ende lë për të dëshiruar. Në kuadrin e praktikave të qeverisë shqiptare për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së vendit tonë, siç janë investimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen aktualisht në hapjen e rrugëve, galerive dhe objekteve të tjera, si p.sh tuneli i Kalimashit, tuneli i Kërrabës drejt Elbasanit, si dhe shumë vepra të tjera të nivelit dhe parametrave ndërkombëtarë, një problem madhor është sigurimi i ujit të pijshëm gjatë gjithë kohës , me tregues teknikë dhe ekonomikë të leverdishëm dhe mjaft efikas. Ne jetojmë në një nga zonat më të pasura ujëmbajtëse jo vetëm në Evropë, por dhe më gjerë dhe ende nuk e kemi zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. Sigurimi i ujit të pijshëm, pa përdorimin e ngritjeve hidraulike, duke u bazuar në veçoritë e ekzistencës së burimeve ujore, si një mundësi që na e lejon natyra e veçantë e burimeve tona ujore, për shkak të kushteve të favorshme hidro-gjeologjike e hidrologjike, është objekti i këtyre dy projekteve. Projektet janë hartuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Njëri nga projektet ka përfunduar fazën e parë dhe po punohet për përfundimin e fazës së dytë, ose të fizibilitetit, tjetri ndodhet në fazën e para fizibilitetit. Duhet thënë se është e para herë që projekte të tilla madhore përpilohen, drejtohen dhe zbatohen nga qarqet akademike në Shqipëri. Projekti i parë titullohet “Furnizimi me ujë të pijshëm dhe industrial, me vetërrjedhje dhe pa ngritje hidraulike, i rajonit Orikum-Palasë-Himarë-Qeparo-Borsh-Sarandë-Butrinit –Korfuz”. Projekti i dytë titullohet “Furnizimi me ujë të pijshëm i qyteteve të Tiranës dhe rrethinave të saj, Mamurrasit, Gjirit të Lalëzit, Fushë-Kuqes, Durrësit, Kavajës, Karpenit dhe Rrogozhinës”… Janë dy zonat nga më problematike për furnizimin me ujë të popullatës. Në Tiranë janë bërë shumë përmirësime në furnizimin me ujë të popullatës, por ende nuk kemi ujë njëzet e katër orë në çezmat tona. Sidomos problematik mbetet çështja e ujit të pijshëm në bregdetin jonian. Është e pafalshme që sot në vitin 2018, një perlë e me potenciale të mrekullueshme turistike, siç është bregdeti i Jonit, të digjet për ujë. Mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e një ujë cilësor e ka dëmtuar shumë turizmin në këtë zonë dhe nuk mund të vazhdohet më kështu.

-A ka pasur interes nga strukturat vendore dhe qendrore të qeverisjes për këto projekte?

Këto projekte ka disa vjet që qarkullojnë dhe synojnë të zgjojnë interesin e atyre që kanë në dorë fondet dhe mundësinë e aplikimit të tyre. Ka pasur dhe ka shumë interes, por ende nuk është bërë ndonjë gjë konkrete. Duket se e reja e ka vështirë të hyjë në këtë vend, pasi i bëjnë rezistencë mendësitë e vjetra dhe burokracitë e rastit, por fakti që këto projekte janë dhe kanë autorësinë e një institucioni prestigjioz në fushën e shkencave gjeologjike-minerare, siç është Universiteti Politeknik i Tiranës, është një tregues i mirë; në mos sot nesër, strukturat lokale e qendrore do të shkunden nga indiferenca dhe do t’iu hapin rrugë zbatimit të tyre.

-Ku qëndron e veçanta e këtyre projekteve dhe si do të materializohen ato?

E veçanta e këtyre projekteve është se për herë të parë do të aplikohet sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm me vetërrjedhje, pa ngritje hidraulike. Kjo jo vetëm që është një mënyrë e leverdishme dhe disa herë me më pak shpenzime nga mënyrat aktuale të furnizimit me ujë, por mbi të gjitha, garanton parametra teknikë shumë të mirë dhe çuarjen e ujit të një cilësie të lartë, në përputhje me kriteret e Bashkimit Evropian, në çezmat e çdo qytetari.

Intervistoi: Dukagjin Hata