Prof. Sazan Guri: Bankersi, kompani që komunitetin gjuan, por që shteti e ruan

580
– Nuk ka popull të keq, por popull që drejtohet keq.
Bankersi vitet e fundit ka rritur ndjeshëm prodhimin e naftës shqiptare, duke përdorur teknologjinë e puseve horizontale, e cila kushton më shtrenjtë se me puse vertikale. Nafta e nxjerrë nga puset horizontale fillon të pakësohet brenda 2-3 muajve nga “inaugurimi” i pusit. Brenda 12-18 muajve, nxjerrja e naftës nga pusi pakësohet me 50%, prandaj rritja e prodhimit mund të realizohet vetëm, duke shpuar vazhdimisht puse të reja. Vitet e kaluara, Bankersi ka rritur prodhimin ndjeshëm me 10% në vit, por vitet e tjerë nuk pritet të kenë rritje të tillë. Pas disa vitesh investime, Bankersi ka arritur të rrisë shume pak rezervat, nga 226 milionë në 232 milionë. Ritmet e larta te shpimit, thjesht po shterojnë rezervat më shpejt. Ndaj për të arritur objektivat e saj, kompania kryen shpime horizontale, me anë të cilëve ajo merr naftën e shtresës, duke perforuar dhe rritur sipërfaqen e kontaktit që shpesh arrin deri në 600m linear kolonë e perforuar. Sigurisht që për të kryer perforimin, ajo përdor shpërthime eksploziv me presion 15.000 psi * 0.07 = 1050 atm. 

Nga disa vrojtime dhe llogaritje të kryera nga ekspert lokal, ky presion ka arritur edhe deri në 1500atm. Metoda që kompania përdor nuk është metoda e parë ose primare që d.t.th ardhje të naftës nga shtresa me anë të gazit të vet shoqërues ose asaj si kapele gazore, pra me energjinë e saj, por është metoda e dytë që bën ardhjen e lëngut të naftës viskoze me anë të pompave të thellësisë. Dihet se 65% e ardhjes së masës nga nëntoka është rërë e ujë, dhe 35% është naftë. Për shkak të kësaj marrje, kompania është e detyruar të kthejë mbrapsht ujin në shtresë për efekt të ekuilibrit hidrodinamik të shtresave të shfrytëzuara dhe më gjerë. Shteti ynë, veç disa taksave fikse, megjithëse të ulëta, përfiton nga kompania vetëm në rastin kur ajo deklaron se ka fitim. Pra, në rastin kur shpenzimet apo investimet e Kompanisë të marra së bashku janë më të vogla se të ardhurat e siguruara nga shitja e produktit. Pikërisht kjo tepricë do të ndahet ose shteti ynë do të përfitojë, gjë që për 12 vjet aktivitet, akoma, ky tregues është me humbje dhe shteti ynë ka marrë, veçse “tikun”. 

Si rregull, kjo mospërputhje mund të shoqërojë aktivitetin e një kompanie jo më shumë se 3-5 vitet e para, dhe nëse jo, kompania largohet, si rasti Premier Oil. Kontratat tona të mëparshme për aktivitete hidrokarbure kanë qenë me “share production – ndarje prodhimi”, dhe shpenzimet kapitale nuk llogariteshin ose nuk mblidheshin në kostot e tjera operative, sikundër e ka kontrata aktuale me Bankersin. Ndaj dhe pjesa e fitimit realizohej më shpejt dhe mundësia për “share production” ishte më e favorshme për shtetin. Sot në botë qarkullojnë kontrata tipike, ku më e shumta është kontrata me 51% shteti dhe 49% privati, ose 60% shteti me 40% privati, ose ndonjëherë edhe më pak shteti, por kompania jep bonuse të shumta për çështje sociale apo mjedisin dhe në total shteti del prapë 60%. p.sh. në Iran, kontratat ndërtohen për barrela nga 1,5 deri në 7,5 litra/barrel ose në Abu Dhabi kontrata arrin në 60% për shtetin apo në Bruney, kontrata për aktivitetet hidrokarbure është e ndarë 51% me 49%. 

Gjatë procesit të vlerësimit të vendburimit, Kompania Bankers në bashkëpunim me Albpetrolin ka përcaktuar puset e fondit të ndalur që d.t.th puse me energji të rrëzuar të shtresës, me debite të ulëta, por kurrsesi zero. Këto puse, para se të ktheheshin realisht me debite zero, kanë prodhuar ende ton apo litra nafte, gjë e cila nuk llogaritet në “share production” me shtetin. Sigurisht, kjo kërkon survejime të mëtejshme. Në puset e tjerë, të marrë si të fondit aktiv është llogaritur një rënie mesatare prej 10%, por që eksperienca e viteve para dhe pas vv ’90 të dëften se kemi një rënie prej 4%. Gjithsesi, ky lloj procedimi mund dhe duhet të jetë burim pune i një auditimi tjetër për ta verifikuar më në detaje. Nga vlerësimet ekonomike të krahasuara me ato të realizuara nga vetë Albpetroli dhe më gjerë, një pus shfrytëzimi duhet të kushtojë rreth 200,000 euro, ndërkohë që ai arrin të kushtojë 2,8 milionë euro, që për mendimin tonë kërkon survejime të mëtejshme. Theksojmë se janë këto shpenzime që kanë mbajtur treguesin “R” në gjithë këto vite më të vogël se 1. 

Në 10 puse të shpuara si puse shfrytëzimi, minimumi, tre prej tyre duhet të jenë puse të injektimit të ujit, në mënyrë që të arrihet ligji i bilancimit material ose i ekuilibrit hidrodinamik, dmth sasia e naftës, ujit dhe rërës që del të zëvendësohet me një sasi uji që futet. Nuk rezulton se kemi këtë proporcion të puseve të injektimit me ato të shpimit. Ky raport është një me dhjetë, dhe sipas interpretimit tonë, duke qenë se nuk shpohen dy të tjerët për injektim, pra kursehen dy puse shpimi për injektime, ai pus i vetëm që shpohet duhet të përdorë presione për të pompuar ujin në shtresa që të arrijë të fusë sasitë e ujit që duhet të bëheshin me anë të tre puseve. Gjithsesi, ekuilibri hidrodinamik si ai i bilancimit material vështirë se arrihet, ndaj dhe kemi shembje të shtresave. Shteti asnjëherë nuk ka ditur se sa është debiti kritik (optimal, mesatar e minimal), pikërisht ai debit që bën të mundur edhe ruajtjen e skeletit të shtresës, sepse vendburimi i Marinzës për vetë tipin e naftës (viskoze) që ka është shumë i veçantë, me homolog të vetëm në Kanada. p.sh nëse API në Shpirag apo në Cakran është 35, ai në Marinzë është sa gjysma e tij, pra është e trashë. Sigurisht, kjo naftë si produkt petrokimik ka vlera të larta për rafineri komplekse. Shteti nuk di projektimet gjeologjike te puseve horizontale, për të cilët kemi kuptuar, se vendburimi shfrytëzohet me një hap më të lartë, duke qenë se me anë të këtyre puseve krijohen sipërfaqe kontakti me shtresën deri në 600m. 

Perforimi i tubingjeve të tyre së bashku me hapësirat e çimentuara përkatëse kërkojnë masa jo të vogla eksplozivi, duke bërë “frucking down” ose çarjen dhe shpërthimin e shtresave për fluidmarrje më të madhe. Theksojmë se një perforim i tillë përbën proces fare normal dhe të domosdoshëm për zhvillimin e vendburimeve naftë-gazmbajtëse, por nga ana tjetër kërkojnë të llogariten tempet optimale. Shpërthimet për shkak të perforimeve së bashku me injektimin me presion përbëjnë rastin ndikim akumulativ në shtresë dhe në ç’ekuilibrim hidrodinamik të shtresave dhe nuk kemi pse të anashkalojmë ndikimet që rrjedhin prej tyre, si rasti i çarjeve dhe plasaritjeve të shtëpive. 

Për sa më sipër, si dhe nisur nga ritmet e shfrytëzimit të vendburimit, ku në fund të çdo pusi vendosen pompa thellësie, një pusi në vitet para kontratës me Kompaninë Bankers i merresh rreth 2 ton në ditë dhe sot i merren rreth 15 ton në ditë. Mund të shtrojmë një sërë pyetjesh? Se cili është regjimi optimal? Se sa është koeficienti i marrjes së debiteve të naftës për çdo pus? Cila është pika kritike e marrjes së sasive të naftës për objekt e për pus? A do të aplikohen metoda të tjera pas pompës së thellësisë, si injektimi ose ajo me avull ose ajo me ujë alkalin që të kemi koeficient më të madh se 12-15% deri në 40%. Kush e verifikon këtë marrëdhënie të shfrytëzimit apo të zhvillimit të vendburimit, si marrja e sasive të larta dhe/ose injektimit të sasive të larta. A quhet normale që specialisti që dje ka dhënë licencën, sot është kontrollori i tyre ose punon në marrëdhënie me ta?
Sigal