Prof. Lush Susaj: Kaosi, varfëria, hajnia, shpopullimi dhe korrupsioni nuk janë demokraci e as produkt demokracie

355
Sigal

Dostojevski thoshte se nga heshtja lindin përbindësha, ndërsa at Zef Pllumi thoshte se nuk jam dakord me shqiptarët, që nuk bëjnë za

-Në Shqipëri shihet frikësim, pushtime pronash, korrupsion në çdo gjë, shkatërrim dhe depersonalizim masiv

– Shqipëria kaloi nga pushtimi i shpatës në pushtimin e shpirtit dhe stomakut me frikë e varfëri.

-Pas vitit 1990, kaloi nga diktatura e frikës, burgut dhe varfërisë në diktaturën e neveritshme të korrupsionit, konspiracionit dhe krahinizmave tipike shqiptare.

– Në vendet e Europës, sikurse janë Franca, Greqia, Italia, Anglia, Spanja, etj, flasin elitat dhe institucionet demokratike jo imoralët dhe të korruptuarit

– Në diktaturat e korrupsionit, frikës, krahinizmit dhe nepotizmit, nuk ka sindikata të mirëfillta e as lëvizje sindikaliste

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Si në vendet me të ardhura të larta, ashtu edhe në ato me të ardhura të ulëta, ndërsa punëtorët kanë ndier forcën e plotë të një krize të kostos së jetesës, qeveritë, si dhe kompanitë, kanë shtypur të drejtat e tyre për të negociuar kolektivisht rritjen e pagave dhe për të ndërmarrë veprime greve kundër indiferencës së punëdhënësve dhe qeverisë ndaj ndikimeve të inflacionit mbi njerëzit që punojnë. Nga Esëatini në Myanmar, nga Peruja në Francë, nga Irani në Kore, kërkesat e punëtorëve për të mbrojtur të drejtat e tyre të punës janë injoruar dhe mospajtimi i tyre është përballur me përgjigje gjithnjë e më brutale nga forcat shtetërore. Indeksi Global i të Drejtave të Punonjësve 2023 përshkruan vendet më të këqija në botë për punonjësit, duke vlerësuar vendet në një shkallë nga 1 në 5+ për shkallën e respektimit të së drejtave të tyre.Sipas këtij indeksi, Shqipëria gjendet në grupshtetet me shkelje të vazhdueshme të të drejtave të punonjësve. Raporti citon, se politikat e një vendi kanë rendësi të madhe për të lehtësuar mjedisin e punës për punonjësit. Një mjedis i punës i favorshëm dhe mbështetës është thelbësor për prodhimtarinë, mirëqenien dhe përmirësimin e performancës së punonjësve. Por nga ana tjetër mungesa e shoqërisë civile në Shqipëri ka bërë  që të heshtet ndaj këtyre padrejtësive. Në Shqipëri demokracia nuk lindi kurrë, e përpasojë as frutet e saj nuk i pa e nuk i shijoj askush. Kaosi, varfëria, hajnia, shpopullimi dhe korrupsioni nuk janë demokraci e as produkt demokracie. Në ditët në vazhdim “Telegraf” do të përcjellë disa intervista për problemet e shoqërisë shqiptare, varfërinë, indeksin e saj, për mungesën e shpirtit të protestës. Mbi këto problem do shprehin mendimet e tyre, Prof. Lush Susaj,  “Mjeshtër i Madh” Gëzim Tushi, Dr. Enriko Ceko, Dr. Vladimir Mici.

Problemet në Shqipëri shtohen, por reagimi nuk vihet re. Ndoshta më shumë ndikon mungesa e organizuar e shoqërisë civile si në Francë apo në Greqi?

Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe Europës, për shekuj e dekada me radhë, është dhunuar dhe mbytur qytetaria, guximi, modestia, morali, kohezioni shoqëror e politik, e bashkë me to edhe shpirti guximtar e reagues ndaj të keqes. Pas sundimit pesë shekullorë otomanë, pavarësisht nga propaganda e zhvilluar, Shqipëria nuk arriti që të bëjë hapa përpara në ndërtimin e një shteti dhe shoqërie demokratike dhe europiane. Madje edhe sistemin komunist e socialist, ndryshe nga të gjitha vendet e lindjes, Shqipëria e ndërtoi mbi substratin e sjelljes dhe trashëgimisë otomane, duke prodhuar një realitet dhe sistem monstër, që për nga përmasat e frikësimit, dhunimit dhe depersonalizimit, është e do të mbetet i pashëmbullt në historinë e rajonit dhe të botës. Por, edhe pas vitit 1990, pavarësisht nga deklaratat dhe demagogjia për Europën, Amerikën, etj, realisht nuk pati dhe akoma nuk ka arritje të dukshme demokratike, as Europiane e as Amerikane. Sjellja politike e shtetërore në Shqipëri, fatkeqësisht ishte dhe mbeti orientale. Ishte dhe mbeti e mbuluar dhe e nxirë me dhunë, frikësim, pushtime pronash, korrupsion në çdo gjë, shkatërrim dhe depersonalizim masiv. Për më keq, ishte dhe mbeti e mbushur me varfëri dhe dëbime selektive të elitës, të profesionistëve dhe të çdo elementi anti diktaturë. Që do të thotë që Shqipëria kaloi nga pushtimi i shpatës në pushtimin e shpirtit dhe stomakut me frikë e varfëri. Ndërsa pas vitit 1990, kaloi nga diktatura e frikës, burgut dhe varfërisë në diktaturën e neveritshme të korrupsionit, konspiracionit dhe krahinizmave tipike shqiptare. Duket që kaluam nga sistemi otoman mesjetarë, në sistemin hibrid otomano-komunistë, dhe tani pavarësisht sesi po e emërtojnë dhe gjykojnë të pangopurit e korrupsionit, nuk jemi asgjë më shumë sesa një shoqëri e përmbytur nga dhuna, frikësimi, korrupsioni, padrejtësia, varfëria dhe gjunjëzimi masiv, të varur e mbytur deri edhe me kafshatën e gojës e me jetën e fëmijëve. Kështu që Shqipëria, edhe pas vitit 1990, mbeti peng i fiktivitetit dhe arritjeve imagjinare, mbeti peng i kulturës së nënshtrmit ndaj diktaturave dhe sundimtarëve oriental, që pasi u ngjitën në majën e pushtetit, nuk pranojnë që të zbresin deri në përfundimin e kohës biologjike të jetës. Që do të thotë që dhuna, frikësimi, varfëria, korrupsioni dhe kjo vdekje e pashëmbullt e reagimit shoqëror e politik, është një produkt historik. Është produkt i asaj historie me të cilën shqiptarët nuk patën kurrë forcën e as kurajon për t’u përballë në mënyrë serioze, të sinqertë e ballë për ballë. Prandaj në Shqipëri demokracia nuk lindi kurrë, e përpasojë as frutet e saj nuk i pa e nuk i shijoj askush. Kaosi, varfëria, hajnia, shpopullimi dhe korrupsioni nuk janë demokraci e as produkt demokracie. Përkundrazi janë simptomat e mosndarjes nga e kaluara pa nder e pa lavdi, janë simptoma të teprisë dhe keq qeverisjes. Në vendet e Europës, sikurse janë Franca, Greqia, Italia, Anglia, Spanja, etj, flasin elitat dhe institucionet demokratike, që janë gjithpërfshirëse, meritokratike e përfaqësuese. Ndërsa në Shqipëri, elita Euro-Atlantike e antifeudale, akoma nuk ka folur e nuk e ka pyetur askush. Përtej demagogjisë, në Shqipëri, akoma nuk ekzistojnë as liria e fjalës dhe pronës, nuk ekzistojnë as institucionet demokratike e përfaqësuese, nuk ekziston as vota e lirë. Të tilla sisteme janë diktatura, që jetojnë duke u bazuar në frikësim, në relativizëm dhe në mbytje të reagimit qytetar e shoqëror. Diktatura i njëson dhe i bën njerëzit si këmbët e dhisë, në të tilla diktatura, njeriu gjunjëzohet, dehumanizohet e kthehet në asgjë. Më pas, sikurse dihet, në të gjitha zgjedhjet, të dehumanizuarit votojnë dhe vota e tyre shumëzohet me 4, me aq sa këmbë ka dhia.

Mungesa e sindikatave çfarë sjell në një shoqëri demokratike. Pse heshtin të ashtuquajturat sindikata shqiptare?

Në diktaturat e korrupsionit, frikës, krahinizmit dhe nepotizmit, nuk ka sindikata të mirëfillta e as lëvizje sindikaliste. Shqiptarët nuk kanë pse presin e as pse mashtrohen me terma e me produkte, që nuk prodhohen e as nuk mund të ekzistojnë e funksionojnë në sistemet moniste. Sindikatat dhe sindikalizmi janë frute demokracie, e nuk mund të ekzistojnë e as të funksionojnë aty ku e gjithë struktura administrative e shtetërore ka një fytyrë, një qëndrim, një zhargon fjalësh e shprehjesh, e mbi të gjitha ka një qëllim, që është mbajtja e sundimit me çdo mjet e çdo çmim. Unë e kam provuar e parë nga afër dhe nga brenda faktin se sa sfilitëse dhe e rrezikshme është të flasësh dhe të protestosh, qoftë edhe për të drejtat më elementare, sikurse është paga, prona dhe siguria e jetës. Unë kam parë nga afër mënyrën se si u shtyp me dhunë e me frikësim protesta studentore e vitit 2018-2019, ku si askund tjetër në botë u përdorën deri dhe pedagogët dhe rregjistrat e mësimit, për të shtypur dhe mbytur zërin studentor. Unë kam parë, e po shoh përditë frikësimin, manipulimin dhe dhunën e gjithanshme mbi drejtuesit e sindikatave të pedagogëve, të cilët reaguan për universitetin dhe rininë studentore, të cilat po shkatërrohen çdo ditë nga monizmi dhe vdekja graduale e demokracisë studentore dhe universitare. Në analizën time, më rezulton se për shqiptarët, ka vetëm një rrugëzgjidhje, atë të përballjes serioze me sistemin e frikës dhe korrupsionit. Të mos harrojmë faktin që në sistemet e frikës dhe korrupsionit, ka sindikata po aq sa ka ullinj dhe agrume në Korab e në Jezercë. Që do të thotë që kur nuk ekzistojnë, nuk kanë sesi të flasin, e as sesi të veprojnë. Pra, unë mendoj që sindikatat nuk ekzistojnë, e përpasojë është kjo situatë dëshpëruese e një sundimi monistë, kakistokratikë e krahinorë. Shpresoj që shoqëria jonë të kuptojë realitetin, e sa më parë të reagojë që të ndahet nga sistemi i frikës, mashtrimit, fiktivitetit dhe ngopjes me lugën bosh.

Kriza e largimit të qytetarëve, ka sjellë pasoja sot në ekonomi, por sidomos tek popullsia ku 56% e fëmijëve kanë lindur jashtë vendit dhe 44% brenda vendit. Çfarë do sjellë kjo për kombin?

Dostojevski thoshte se nga heshtja lindin përbindësha, ndërsa at Zef Pllumi thoshte se nuk jam dakord me shqiptarët, që nuk bëjnë za as me ua fut opingën në gojë. Kurse Ismail Kadare thotë se kapardisja e pushtetarëve shqiptarë, dhe marria e tyre për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, është e pashëmbulltë dhe shumë e dëmshme për kombin dhe shtetin. Përbindëshat degjenerojnë çdo gjë të mirë. Ata shkaktojnë varfëri e pasiguri të thellë, ku nuk mund të jetojnë as minjtë, e jo më njerëzit. Si të mos ikin popullsia, e sidomos rinia nga një vend ku, pothuajse të gjitha investimet, projektet dhe donacionet përfundojnë në strukturat dhe duart e korrupsionit, pa u kthyer asgjë në punësim, e as në mirëqënie, as në reforma e as në standarte zhvillimi. Popullsia po ikën nga varfëria që pikë së pari buron nga hajnia dhe korrupsioni qeveritar. Varfëria është mënxyra dhe pushtuesi më i pështirë. Rinia dhe elita po ikën nga mungesa totale e përfaqësimit, e meritokracisë dhe e konkurimit të vlerave dhe projekteve zhvillimore. Rinia shqiptare, e ajo studentore në veçanti, duket sikur janë shpallur të paligjshëm e të padëshiruar në vendin dhe në shtetin e tyre. Është koha për të folur e për të reaguar mbi realitetin, pasi heshtja nuk e zgjidh problemin, përkundrazi heshtja vret shpresën. Nëse problemet do të zgjidheshin duke heshtur e duke duartrokitur korrupsionin dhe padrejtësinë, unë do të isha njëri nga ata me heshtjen dhe duartrokitjen më të gjatë. Ka shumë nga ata që nuk janë dakord me mua, ama do t’i lutesha secilit të me tregojë versionin e tij mbi shkaqet reale të shpopullimit dhe dëbimit masiv të rinisë. Përtej dëbimit politik dhe selektiv të popullsisë, jam i sigurtë që fëmijët shqiptarë, që po rriten dhe arsimohen jashtë, nuk do të kthehen më kurrë për të punuar e jetuar në Shqipëri. Brezi im, e sidomos pjesa antikomuniste e vendit, e di shumë mirë atë që ka kaluar Shqipëria, e që nuk mund të harrohet as në neokomunizëm, e as në trajtat e tjera të monizmit. Për lexuesin po sjell një fakt të thjeshtë nga jeta ime, e që ka të bëjë me faktin që, me datën 27 qershor 2023, natën e qirinjve, shkova dhe ndeza një qiri tek varri i vajzës time. Si kurrë më parë, duke qëndruar përballë varrit të vajzës, nuk me shqitej nga mendja fakti që vajzën ma ka vrarë mynxyra dhe padrejtësia komuniste. E jam i sigurtë në faktin që, nëse vajza ime do të kishte lindur nga prindër komunistë apo në një vend tjetër të rajonit apo të botës, ajo do të ishte gjallë, e në moshën 34 vjeçare. Si njerëz e si shoqëri, kemi paguar çmim të lartë, e nuk po arrij të kuptoj arsyen e mos reagimit qytetar të njerëzve. Të mos harrojmë që askush nuk e do fëminë e tij që të vijë, e të zhytet e zhgërryhet në padrejtësinë, pasigurinë, kriminalitetin dhe varfërinë e një shteti monistë, kriminalë e të korruptuar, ndaj duhet reaguar. Shumë njerëz mund të thonë se Lushi nuk ka arsye që të flasë e të reagojë kaq troç. Ndërsa unë do ju thosha të gjithëve se flas, sepse unë nuk dua që askush ta pësojë sikurse e kemi pësuar ne dhe familjet tona. Nuk dua që të përballeni me hetuesi, as me gjyqe e as me vrasje të fëmijëve, përmes varfërisë dhe pasigurisë, që shkakton monizmi. Nëse nuk kuptoni e reagoni, e sigurtë që kjo situatë monizmi e korrupsioni do të prodhojë e sjellë vetëm dhimbje e fatkeqësi për çdo shqiptarë. Fatkeqësisht, klasa jonë politike, është aq idjote, e verbër e halabake, saqë na shantazhon edhe kur shkruajmë e reagojmë, e që akoma nuk po arrin që ta kuptojë se, nga heshtja, nga ikja e trurit, e intelektualëve dhe e krahut të punës, po shkretohen edhe kapacitetet administrative e menaxheriale të shtetit. Po bie konsumi dhe prodhimi, mbi të gjitha, sikurse e don monizmi, po bie fuqia reaguese e shoqërisë. Sikurse është provuar, një vend i vjedhur e varfëruar nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta, e nuk mund të jetë bujtinë për askënd.

Diferenca e pagave dhe pensioneve është alarmante. Pse vjen ky diferencim fyes për masën e popullsisë?

Për iniciativën dhe vendimin e krerëve të qeverisjes, unë nuk kisha asnjë lloj pritje apo hatërmbetje. Ndërsa ajo që me shqetësoi ishte heshtja e presidentit, tek i cili kisha shpresë që do ta refuzonte apo do ta ndryshonte skemën e rritjes së pagave me shpërpjestim të thellë. Nuk kisha asnjë besim tek ministrat dhe deputetët, ndërsa kisha besim tek qëndrimi i presidentit. Si në asnjë vend tjetër të botës së tretë, rritja galopante me 65-128%, u krye vetëm për piramidën autokratike të shtetit. Kështu që jetojmë në një vend ku pagat e ministrave dhe deputetëve janë aq sa pagat e tre profesorëve, apo sa pagat e 20-30 pensionistave të fshatit, apo sa pagat e 3-4 mësuesve, apo sa pagat e 6-7 puntorëve të fasonerisë. Shtetet serioze, përmes institucioneve kryejnë studime dhe përcaktojnë minimumin jetik, e më pas ndërtojnë edhe piramidën shtetërore të pagave. Në këtë mënyrë, bëjnë edhe rritjen proporcionale të pagave, pa e thelluar pabarazinë dhe grykësinë e parazitëve për t’u bërë militantë, patronazhistë, e për t’u punësuar e qepur pas kolltukut të administratës. Për më keq, sikurse dihet rritja e pagave u bë në kohë zgjedhjesh, e që me patjetër ka ndikuar në deformimin e votës. Kujtoj faktin që edhe mua më është rritur paga, ku krahasuar me vitin 2013, unë marr neto në dorë 26% më tepër. Por për mua e për të gjithë shqiptarët, kjo masë rritje, nuk është as sa gjysma e indeksimit të munguar të inflacionit të viteve të fundit. Që do të thotë që pavarësisht nga rregullimi i disa ekulibrave dhe interesave të vogla, varfëria, reduktimi i konsumit dhe rënia e punësimit në Shqipëri, nuk do të stopohen, përkundrazi do të vijojnë në rritje. Me këtë rast, po kujtoj faktin që edhe në kohën e diktaturës komuniste, byroja politike dhe sekretarët e parë e të dytë të monizmit, jetonin në siguri, në luksë e në bollëk. Ndërsa mizerja ekonomike e shoqërore, ishte gatuar dhe konsumohej nga populli i mashtruar, dhunuar e frikësuar deri në palcë. Shteti ynë nuk duhet të punojë unon me praktika moniste, që thellojnë pabarazinë, pasigurinë dhe shpopullimin.