Prof Dr. Servet Pëllumbi: Shoqëria bëhet gjithnjë e më shumë filozofike dhe ka nevojë për filozofinë, që ta kuptosh dhe ta fitos

625
Sigal

Promovohet libri i ri i Prof Dr. Servet Pëllumbi “Kultura filozofike dhe misticizmi”

Mbrëmë u promovua libri i ri i Prof. Dr. Servet Pëllumbi “Kultura filozofike dhe misticizmi”. Në këtë promovim morën pjesë edhe kryetari I Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i grupit socialist Parlamentar Gramoz Ruçi, deputetja Arta Dade, Prof. Dr. Paskal Milo, si edhe shumë personalitete të shquara të penës dhe artit.  

Drejtori i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare   Albert Rakipi në fjalën e hapjes të këtij promovimi të librit, ndër të tjera: “Mendoj që është një kapitull i rëndësishëm, i dobishëm për student të shkencave politike, që t’i kthehen edhe studimeve edhe ideve, për të mos zbuluar botën nga e para, që bëjnë shpesh të rinjtë, duke menduar se bota fillon me ta. Unë mendoj që për një parti politike, një kontribut si Servet Pëllumbi është i dobishëm edhe në të ardhshmen, në kuptimin e balancimit të gjërave dhe vazhdimi përpara me programet politike.

Leka   Sokoli, profesor i Sociologjisë:“ Një libër i ri, por edhe me një auditor ndryshe. Unë kam patur mirësinë që ta ndjek nga afër gjithë krijimtarinë e Porf. Servet Pëllumbit. Libri i parë I Prof. Pëllumbit është botuar në 1962.  Kemi diskututuar shumë, në mënyrë të veçantë kur Prof. Serveti botoi librin e parafundit të tij, “Etikokracia”. Ishte një libër, që na la aq mbresa, u shtrua çështja se çfarë do shkruash pas këtij libri. Dhe u shtrua ideja që do shkruhej për kulturën filozofike dhe misticizmin. Ka qenë një këmbëngulje e Prof. Servetit, për të shkruar një libër dhe të them të drejtën , ky libër të befason. Është një libër i një njeriu që ka kaluar shumë në këtë jetë. Pra një lloj ligjitimiteti për të shkruar, për filozofinë e jetës, për peripecitë e saj, për sfidat e saj. Shkruan për sfidat e sotme që janë të një niveli krejt tjetër nga sfidat e mëparshme. Psh, sot është një dukuri që nuk njihej më parë. Privatizimi i dhunës. Dhuna ka qënë një instrument që është përdorur nga shteti. Sot dhuna po privatizohet. Pra, si duhet të përballojmë sfidat e reja, të panjohura më përpara. Profesori e ka shprehur qartë, që njeriu sot ka probleme, ka probleme me vetveten, ka probleme me jetën. Si ta përballojmë? Ku të kapemi? Kjo është çështja themelore që shtron professor Serveti në këtë libër. Dhe çelësi universal për të përballuar sfidat e sotme është racionalizmi, ose racionaliteti. Profesori e ka shtruar, që si është e mundur që njerëzit janë kaq pak racionalë, në sjellje, në qëndrime dhe në veprimet e tyre? Ky nuk është një problem thesht i botës shqiptare, por, në fakt, është një problem global. Profesor Serveti e shikon racionalitetin jo vetëm në sjelljet dhe qëndrimet individuale të njerëzve, por edhe në atë që e quan veprimi politik, veprimi i përbashkët, madje edhe veprimi qeverisës. Profesori ka trajtuar në këtë libër të gjitha çështjet, jo vetëm të filozofisë, të gjitha çështjet e jetës, çështje të vjetra apo të reja, të trajtuara, apo jo të trajtuara, misticizmin apo neomisticizmin, etj. Dhe gjithë domethënia e tij është vazhdon me idenë, ku të kapemi, për të përballuar sfidat e kësaj bote, profesori përgjigjet: te kultura, te kultura filozofike. Nëse do t’i përmbahemi përmbajtjes së këtij libri, unë do të thosha që potenciali i një vendi, ose energjia e tij, aftësia për të përballuar sfidat e kohës është baraz me masën herë këtrorin e kulturës. Sidomos, vendet që janë me potenciale jo shumë të mëdha, duhet të bazohen krejtësisht te kultura. Çfarë kulture? Kulturë filozofike, është përgjigja nga professor Pëllumbi, i cili  argumenton se është mësuese e jetës. Profesori çdo gjë e lidh në librin e tij, me të kuptuarit,  kuptuarit të  domethënies së  gjërave. Kultura filozofike, që për fat të keq, nuk ka hyrë në shkollat tona. Dhe pastaj çdo gjë vihet përballë misticizmit. Mbi bzaën e kësaj, profesori ka dhënë idenë e një shoqërie të bazuar në kulturë, në një kulturë filozofike, por jo vetëm, në kulturë të bazuar në ligje racionale, por edhe në vlera. Ka një kapitull të veçantë në libër :Revanshi i injorancës”. Ka shumë botime, por pak lexues. Ne për fat të keq, formimin kulturor e kemi vënë disi mënjanë, dhe rroftë informimi. Thirrja ime është që ta shndërrojmë Arsimin në prioritet kombëtar. Nuk është sot prioritet qeverisës. Arsimi është një çelës universal, që zgjidh çdo problem. Një arsim cilësor ndryshon edhe vetë tregun e punës. Profesori ka një mbyllje të çuditshme. Raportet e jetës, por thotë që “Jeta është një luftë, por, në fund të fundit, këtë luftë askush nuk e fiton, sepse të gjithë bien heronj, sepse të gjithë jemi të vdekshëm”. Unë besoj se profesor Serveti ka një jetë të realizuar. Profesor Serveti vetëm se është rritur në perceptimin tonë, është rritur edhe nga vepra që ka bërë.

Prof. Dr. Servet Pëllumbi

Në rradhë të parë dua të shpreh mirënjohje për kryetarin e Parlamentit, mikun tonë, Ilir Meta dhe  që është i pranishëm, për miqtë e mi, deputetë të parlamentit, që janë sot të pranishëm dhe kemi qënë kolegë gjatë këtyre viteve. Do të falenderoja gjithë pjesëmarrësit, do të falenderoja Moikom Zeqon, i cili ka bërë parathënien e këtij libri dhe ka qënë ai që ka dhënë inkurajimin gjatë bisedave që kemi bërë. Falenderoj Prof. Paskal Milon që gjithashtu kemi shkëmbyer mendime të nevojës  për të qenë aktiv edhe me botime. Secili përpiqet, që të paktën të qetësojë veten. Edhe me Lekën kam biseduar shpesh edhe ai më thotë: Si punon kështu në mënyrrë sistematike? Unë i them vetëm kaq. Unë dua të qetësoj veten, sepse nuk mund ta përballoj peshën e kohës ndryshe, veçse duke punuar. Në libër jam përpjekur të them ato që mendoj. Ato që më shqetësojnë. Jam nisur nga një shqetësim, ideja fillestare, nga një shqetësim që e kemi të gjithë bashkë. Shqetësimi është te kjo. Dëgjoja një ditë ne televizion dhe me të vërtetë u befasova në kuptimin se çfarë po ndodh kështu me njeriun? Si gjithë këto krime? Krime në familje, krime të padëgjuara, nuk i kemi patur më parë. Dhe krijova idenë që kemi një problem të madh. Kemi një lloj çbërje të njeriut, në kuptimin e vlerave. Atëhere, me të vërtetë duhet të bëhet një apel. Pse të ndodhin këto? Që dikur e thoshte Aristoteli. Që njeriu e di çështë e mira  dhe bën trë keqen. Pse duhet të vazhdojë ky njeri të jetë kaq i dyzuar? Dhe më tej, nga ana tjetër. Shikojmë që shoqëria po shkon drejt një etape krejtësisht të re. Do të jetë krejt e ndryshme nga kjo shoqëri që njohim sot. Shoqëria e dijes dhe e informacionit. Po trokasim në këtë shoqëri. Ne po futemi në një etapë të re. Por jemi të papregatitur. Flas si njeri, si njerëz, sepse, realisht, njeriu ka filluar të jetojë në dy botë. Në botën fizike, reale dhe në botën virtuale. Por problem i madh është me rininë. Që nuk ambjentohet dot dhe nuk i lidh dot këto 2 botë me njera-tjetrën.  Të jetuarit në botën virtual, qënia siç thotë dikush, i “vuvuvusë”, nuk më interesojnë më rrënjët kombëtare dhe nga vij, rrethi, krahina, kombi, etj. Unë mund të komunikoj me çdo kënd në botë. Pra realisht po ndodh një proces i panjohur derit tani. Por njeriu nuk është i pregatitur. Dhe duhet me doemos ta përgatitim. Arsimi ka një detyrë jashtëzakonisht të madhe. Nuk po orientohet dot me këto revolucione që po ndodhin. Prandaj, reforma në Arsim është urgjenca më e madhe që mund të ekzistojë për një shoqëri si e jona. Pikërisht, këto ishin shqetësimet që më shtyn për ta shkruar këtë libër. Ky është shqetësimi që e përshkon librin nga fillimi deri në fund. Dhe shoqëria bëhet gjithnjë e më shume filozofike dhe ka nevojë për filozofinë që ta kuptosh dhe ta fitosh atë. Ky ishte shqetësimi I dytë që është pasqyruar në libër. Jam përpjekur të shprehet qytetërimi, shqetësimi qytetar.

 Jakup B. GJOÇA