Haxhinasto e Gjiknuri, zhdukin raportin e 6 korrikut 2012 të ish-ambasadores gjermane, me 17 skandalet e “ACR” në Bulqizë

629
Sigal

Në seancën e 9 korrikut 2012, deputeti Saimir Tahiri ka akuzuar Haxhinaston si mbrojtës e licencues të mafies së kromit, ndërsa në shtator 2013, Gjiknuri ka deklaruar: “Do ta shkul me rrënjë mafien e kromit “ACR” në Bulqizë”

Skandalet shtetërore me stampën “Gjiknuri”, nuk kanë “fre”. Çdo përkëdhelje shpatullash që i bën kryeministri Rama ministri Damian Gjiknuri, e konverton në skandale ekonomike-financiare, duke përdorur si “dekor” emrin dhe “viston” e kryeministrit. Dje, nga zyrat e ministrisë “Gjiknuri”, doli një tjetër skandal që nuk ka lidhje me abuzime tenderësh, por me fshehje krimesh ekonomike financiare të koncesionit të kromit. Është fjala për dosjen “ACR”, për të cilën në 17 shtator 2013, ministri Gjiknuri u shpreh në media, se brenda dhjetorit 2013 do ta “asgjësonte” si krim koncesionar dhe se minierën e kromit do t’ua kthente minatorëve të Bulqizës dhe ekonomisë shqiptare. Sot, pas 17 muajsh si ministër, Damian Gjiknurit i zbulohet skandali me zhdukjen e dosjes “ACR”.

 Ish-ministri Haxhinasto shpërfilli 3 herë Ambasadën Gjermane për sqarime mbi ACR

 Nuk është fjala për dosje kontrolli të ushtruar nga ministria, as nga Agjencia e Burimeve Natyrore, as nga KLSH e as nga prokuroria. Flitet për zhdukjen e një raporti “auditi” (kontrolli-vlerësimi) të bërë në korrik të vitit 2012 në Bulqizë, ekskluzivisht nga Ambasada Gjermane. Konkretisht, në vlerësim të 11 letrave me motiv “Për sensibilizim në BE”, dërguar në muajt janar-maj 2012 prej minatorëve të Bulqizës, në adresë të Shtetit Gjerman, lidhur me indiferencën e ish-qeverisë shqiptare ndaj firmës koncensionare “ACR” e cila krijonte aktivitet koncesionar kromi me abuzime të rënda financiare, madje edhe duke detyruar minatorët e kësaj miniere që të punonin, paguheshin, të trajtoheshin e vriteshin si skllevër, ish-ambasadorja gjermane Karola Holkemper, në fillim të muajit 2014 shkoi me një ekip ekspertësh të ambasadës, për “audit” në minierën e Bulqizës, për të kontrolluar konkretisht problemet e ngritura. Kujtojmë që, nga ato momente, Edmond Haxhinasto, prej 7 muajsh ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, kishte refuzuar t’i jepte shpjegime Ambasadës Gjermane për “plagët” e Bulqizës dhe për zullumet e “ACR” në këtë minierë edhe pse ambasada i ishte “lutur” 3 herë me shkresë zyrtare. Po kështu, prej 6 muajsh, ish-ministri Haxhinasto kishte refuzuar të jepte sqarime në parlament 12 kërkesave të ish-opozitës PS si grup dhe 5 kërkesave të bëra prej deputetëve Brace e Tahiri. Po kështu, prej 4 muajsh, kishte refuzuar edhe 108 kërkesat e minatorëve, për takim në Bulqizë dhe 54 kërkesat për takim në Tiranë, lidhur me abuzimet dhe problemet që kishte krijuar ACR në minierën e Bulqizës. Këtë shpërfillje të ish-ministrit Haxhinasto, ish-ambasadorja gjermane Karola Holkemper vendosi ta vlerësonte si “emergjencë për trajtim dhe informim të BE”, duke shkuar urgjent në takim me minatorët dhe për një inspektim konkret nën galeritë e kësaj miniere lidhur me aktivitetin e firmës “ACR”. Pas kontrollit në minierë, pas takimit më krerët e pushtetit lokal dhe pas takimit me minatorët dhe banorë të Bulqizës, ish-ambasadorja gjermane Karola Holkemper, hartoi një raport të detajuar me 17 skandale e problematika të rënda që kishin lidhje me teknologjinë primitive dhe mënyrën barbare të shfrytëzimit të minierës së kromit në Bulqizë, për veprimtarinë mafioze të “ACR”, për kushtet e punës e të trajtimit financiar të minatorëve, për mos zbatimin e asnjë pike të kontratës koncesionare prej firmës “ACR” dhe për indiferencën e plotë të qeverisë ndaj krimeve të firmës koncesionare “ACR”. Këtë raport “auditimi”, ish-ambasadorja gjermane Karola Holkemper e dorëzoi në 6 drejtime: Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit Topalli, Ministrisë së Jashtme, ministrit Haxhinasto dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por asnjë prej titullarëve nuk e vlerësoi raportin si shqetësim për veprim, duke e arkivuar si “informacion rutinë”.

 Ministrat Gjiknuri e Haxhinasto, zhdukin raportin e ish-ambasadores për “ACR”

 Ministri Gjiknuri, jo vetëm që nuk e “asgjësoi” koncesionin mafioz të ACR (siç u betua në shtator 2013), por ka nisur edhe “shërbimet speciale” ndaj tij, për ta mbrojtur e për t’i pastruara “letrat e zeza” të veprimtarisë 12 vjeçare në këtë minierë, duke kryer skandale në regjistrat protokollarë e në arshivën dokumentare. Dje, na informuan se ka ndodhur një skandal i rëndë lidhur me raportin kontrollues e informues që ish-ambasadorja gjermane Karola Holkemper, i ka dorëzuar në dorë ish-ministrit Haxhinasto dhe me protokoll, Ministrisë së Ekonomisë në muajin korrik 2012, pas takimeve dhe vëzhgimeve në minierën e Bulqizës. Ky raport nuk ekziston as në “arshivën e ministrit”, as në arshivën e ministrisë, as si “korrespondencë” në protokollin e ministrisë. Zbulimin e mos ekzistencës së këtij raporti me fuqi edhe diplomatike, e ka bërë rastësisht vetë Ambasada Gjermane, gjatë një kontakti rutinë me ministrinë. Interesimit të Ambasadës Gjermane, bërë në këtë ministri në muajin nëntor 2014, lidhur me problemet e minatorëve të Bulqizës, të zbatimit të kontratës koncesionare prej “ACR” dhe për veprimet e shtetit shqiptar, ndaj problemeve të trajtuara në raportin e ish-ambasadores Karola Holkemper, protokolli dhe arkiva e ministrisë “Gjiknuri”, i është përgjigjur telefonikisht, me fjalët: “Në dosjet tona, nuk ekziston asnjë raport i zonjës Karola Holkemper për Bulqizën”. Sipas burimeve nga ministria, ky raport ka ekzistuar në arkiv dhe në protokollin e ministrisë, deri në muajin qershor 2014. Më pas është zhdukur si të ishte “gjethe peme”. Pas investigimit tonë, mësuam se “Raportin Karola Holkemper për Bulqizën” e kanë zhdukur nga arkiva në bashkëpunim ministri aktual i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ish-ministri Ekonomisë, Edmond Haxhinasto. Shkaku? Sepse shteti gjerman, raportin për Bulqizën e ka bërë prezent në BE për informim në shtator 2014 dhe e ka futur në agjendë tematike por për trajtim në BE, në prill 2015. Flitet se raporti i ish-ambasadores Karola Holkemper për Bulqizën është pranuar i plotë nga BE dhe se është i detajuar me 17 fakte të rënda sociale, ekonomike, njerëzore, ligjore e shtetërore, në lidhje me reformimin e shoqërive dhe ekonomive të vendeve në tranzicion, siç është edhe Shqipëria. Kjo siç duket ka trembur ministrin Haxhinasto që e ka hedhur në koshin e plehrave raportin e ish-ambasadores Karola Holkemper për Bulqizën dhe i ka kërkuar ndihmë për zhdukje të “letrave”. Ky raport, që do të hapte “letrat” e vjetra dhe do të zbardhte “letrat e reja” të pas 2013-ës për krimin me emrin “KROMI I BULQIZËS”, ka futur në alarm edhe ministrin Gjiknuri, mbrojtësin e ri të firmës koncesioanre “ACR”. Kjo i ka alarmuar me sa duket edhe vetë firmën “ACR” e cila i ka futur në “brazdë” dy ministrat për të shpëtuar prej atij raporti goditës, që nuk trajtohet më nga ministrat dhe deputetët e molepsur të parlamentit shqiptar, por posaçërisht nga BE.

—————————————————–

Ja raporti i ish-ambasadores Karola Holkemper (datë 6 korrik 2012), me 17 fakte skandaloze për Bulqizën 

 1. Që prej vitit 2005, firma “ACR” jo vetëm nuk është ndëshkuar, por është shpërblyer me 135 milionë dollarë mos pagim taksash, energjie e detyrimesh fiskale import-eksporti të makinerive dhe tregtimit të kromit.

2. Firma ACR, nga 12 pikat e kontratës koncesionare, nuk ka zbatuar asnjë prej tyre, duke u toleruar nga qeveria shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese.

4. Qeveria ka firmosur në favor të firmës “ACR”, pranimin si “humbje” të 113 milionë dollarëve, të cilat në fakt janë abuzime fiskale e vjedhje prodhimi me fshehje dhe lojë çmimesh burse, prej firmës “ACR”.

5. Firma “ACR” ka përvetësuar me lejen e shtetit shqiptar 18 milionë dollarë prodhim kromi, të nxjerrë në sipërfaqe përpara nisjes së koncesionit, i gatshëm për treg-eksporti dhe 800 mijë ton mineral kromi stok, depozitë e nxjerr në natyrë.

6. Firma “ACR” është pranuar nga shteti shqiptar, të hartojë bilance prodhim-fitimi që e rezultojnë me vetëm 2 milion dollarë fitim në muaj, ndërkohë që sipas bilancit, faktit të nxjerrjes, përpunimit dhe çmimit minimal të shitjes së kromit në bursën ndërkombëtare, rezulton se norma reale e fitimit prej kromit është 29 milion euro në muaj.

7. Sipas verifikimit faktik në galeri e në sipërfaqe të minierës Bulqizë, rezulton që firma “ACR” të ketë bërë vetëm 1.2 milionë lekë investime anësore në muaj, ndërkohë që sipas kontratës duhet të kishte bërë investime në masën 39% të të ardhurave reale.

8. Firma “ACR” është lejuar nga shteti shqiptar që sipas kontratës koncesionare, të mos kryejë 60 milionë euro investim për thellimin e pusit, thellim që duhej të kishte përfunduar brenda vitit 2010.

9. Firma “ACR”, i paguan minatorët me paga shumë të ulëta, që zënë fond total pagash në masën 11% të të ardhurave nga prodhimi, ndërkohë që sipas kontratës koncesionare duhet të ketë si fond pagash 29% të të ardhurave reale.

10. Firma “ACR”, u çon (vetëm) familjeve të minatorëve që vriten në minierë nga 2 paga mujore shpërblim ditën e varrimit, ndërkohë që fondi vjetor për shpërblime e fatkeqësi duhet të jetë 7.5% e të ardhurave, por që është zbatuar vetëm 0.1%.

11. Firma “ACR”, lejohet të fshehë 280 milionë euro fitim vjetor neto, të cilin nuk e deklaron dhe kjo abuzim pranohet e njihet me heshtje dhe me letra nga shteti shqiptar.

12. Sipas dëshmive të minatorëve e pushtetarëve lokalë, firma “ACR” është biznes i pjesëzuar i 10 krerëve të lartë të politikës e shtetit shqiptar.

13. Sipas vëzhgimit në terren (minierë), firma “ACR” e paguan 1 minator të kromit me pagë ditore 1170 lekë të reja.

14. Në Bulqizë janë vrarë afro 31 minatorë nga mungesa e sigurisë teknike dhe kushtet e vështira të punës dhe nuk është marrë nën përgjegjësi penale asnjë drejtues i firmës.

15. Gratë dhe punonjësit e sipërfaqes në minierën e Bulqizës, vazhdojnë të paguhen 12 deri 15 mijë lekë të reja në muaj, pra 8-5 mijë lekë më pak se paga zyrtare shqiptare.

16. Firma “ACR” minatorët që ka të punësuar në Afrikë, i paguan me pagë mujore 387% më shumë se minatorët e “ACR” në Bulqizë.

17. Firma “ACR”, nuk zbaton kontratën koncesionare, duke mos ndërtuar linjën e furnizimit me ujë për 24 orë, me fond 450 mijë euro, nuk jep 1.5 milionë lekë në ditë ushqim antidodë, nuk ka ndërtuar mensën e ushqimit në minierë, duke mos investuar 530 mijë euro të planifikuar.

———————————————–

Data 9 korrik 2012/ Ish-ministri Haxhinasto, përballë akuzës së deputetit Saimir Tahiri për aferat e “ACR”: Trego letrat e krimit ekonomik!

 Ka qenë seanca parlamentare e datës 9 korrik 2012, kur deputeti dhe nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, atëherë në opozitë, i ka kërkuar ish-ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto, publikimin në parlament të dosjes korruptive lidhur me një aferë 1.6 milionë dollarë detyrime fiskale, që kjo ministri kishte bërë në favor të kompanisë “ACR”, duke i falur asaj me urdhër ministror në datën 9 korrik 2009, kur ministër Ekonomie ishte Genc Ruli. Ish-ministri Haxhinasto, iu përgjigj kështu deputetit Saimir Tahiri: – Po kërkojmë prej disa ditësh dhe nuk po e gjejmë dot dosjen, mbasi arkiva është rrëmujë nga lëvizjet e rafteve, por edhe nëse e gjejmë atë dosje (po qe se nuk është zhdukur)  nuk e publikojmë, mbasi nuk e lejon ligji”. Ja çfarë i ka kërkuar Saimir Tahiri, ish-ministrit Haxhinasto: – “Sot, 3 vjet më parë (dt. 09.07.2009), ministri Ruli nënshkroi një marrëveshje me Kompaninë ACR, me objekt rishpërndarjen kohore të shlyerjes së gjobës së ACR prej 1.639.163 euro (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tre Euro). Në dt. 08.07.2009, ACR kërkoi nga Ministri Ruli shtyrjen e shlyerjes së gjobës, gjë që u formalizua në marrëveshjen e nënshkruar vetëm një ditë më pas ndërmjet Ministrit Ruli dhe kompanisë ACR. Ju kujtoj këtu, se ACR u gjobit nga “METE” për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve për investime të parashikuara në Marrëveshjen Koncesionare të ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin Nr. 8590, dt. 23.03.2000 dhe Ligjin Nr. 8791, dt. 10.05.2001. Edhe pse kjo marrëveshje nuk u miratua kurrë në Parlament duke vënë në dyshim serioz ligjshmërinë e veprimeve të Ministrit Ruli, sot pas saktësisht 3 vjetësh nga nënshkrimi i saj, kërkoj informacion lidhur me efektin ligjor dhe zbatimin e saj nga Kompania ACR dhe “METE” në lidhje me shlyerjen e gjobës së ACR ndaj shtetit. Pasuria minerare, po vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter, paligjshmëria dhe bandat mafioze që ti si ministër i mbron dhe i licencon, kanë pushtuar Bulqizën dhe zonat minerare, të gjitha këto nën hundën e shtetit e të strukturave shtetërore, të cilat me dhe për Bulqizën, me e pakta bëjnë sehir, për të mos thënë që janë të implikuara thellësisht në veprimtari kriminale. Kërkoj nga ju si ministër, informacion të detajuar e të plotë për 4 çështjet e poshtëshënuara:

  1.  Sot, pas 3 vjetësh nga Marrëveshja Ruli-ACR, a është likuiduar tërësisht vlera e gjobës së vendosur nga METE ndaj ACR në masën prej 1.639.163 euro (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tre euro)?
  2.  Në qoftë se jo, cilat janë arsyet që kanë penguar ACR të paguajë detyrimet ndaj shtetit?
  3.  A janë përmbushur detyrimet për investime në ngarkim të ACR në përputhje me kushtet dhe afatet e parashikuara nga marrëveshja koncesionare, mospërmbushja e të cilave pasoi me gjobitjen e ACR në masën e sipërpërmendur?
  4.  Sa është totali investimeve të realizuara nga koncesionari deri më sot, në zbatim të marrëveshjes koncesionare të Bulqizës?

Përparim HALILI