Prof. Dr. Sazan Guri: Kufijtë e detit në Hagë, nxitim apo marrëzi?!

69

Të shqetësuar si asnjëherë më parë për marrëveshjen e Detit, akoma nuk dimë se cili është qëndrimi i palës shqiptare për përkatësitë dhe kufijtë e zonave që lidhen me ujërat e brendshme, me ujërat territoriale deri ne 12 milje, me ujërat ambigues (ujra që kërkojnë debat) plus 12 milje te tjera, me ZEE deri ne 200 milje dhe pse jo edhe me shelfin kontinental deri ne 300 milje. Mazhoranca e sotme, opozita e at’hershme, me të drejtë hodhi në Gjykatën Kushtetuese çështjen kufi deti, dhe Gjykata, me Vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen, dhe çmoi përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për ‘delimitimin’ e zonave të tyre përkatëse dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare është e papajtueshme me Kushtetutën, sa i takon çështjeve lidhur me mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; ose mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes apo moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm deri në mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Nga sa më sipër, duket sikur pala shqiptare ka ofruar një qasje, jo të pjekur dhe të pa rrahur me ekspertët shqiptarë, sepse vërejmë aq sa na është ofruar informacioni nga pala greke, se pikat e referimit për matje dhe fuqitë e efektit nga pala greke duket sikur janë po ato. Gjithashtu kuptojmë nga ato skica dhe nga ato deklarata që na ofrohen nga pala greke, (draftet tona të negociatave nuk i njohim), se një ishull shkëmbor në jug të Korfuzit dhe ai Barketa në mes Korfuzit e Sarandës mbeten akoma me fuqi të plotë, te të cilët fillon edhe matja. Po kështu, edhe dy ishujt veriorë të Korfuzit, mbeten me efekte të plota, ku në njërin prej tyre fillon matja dhe krahasohet e ndahet me vijë mesi me kufirin e qendrueshëm dhe kontinental Karaburun-Dhermi. Jemi në kushtet kur me Italinë nuk është përfunduar pjesa që duhet të ndahet midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë dhe pala greke në marrëdhënie me Shqipërinë mban qëndrim të dyfishtë lidhur me efektet mbi ishujt Othonoi dhe Paksos, duke pranuar efektet e pjesshme të tyre në lidhje me palën Italiane. Ndaj dhe Ministri i jashtëm grek z.Kocias thotë që fitojmë sipërfaqe sa Thesalia, pikërisht 12,000km2, si dhe është korrigjuar me 11% marrëveshja me Italinë. Shtrohet pyetja? Në kurriz të kujt?

Të gjitha negociatat deri më sot mes palës greke dhe asaj shqiptare janë bërë në kuadrin e 6 miljeve. Më pas, shteti shqiptar u përball dhe la të pranohet kërkesa prej 12 milje e palës greke, e cila nuk mund të jetë pa efekte në marrëdhëniet e “delimitimit” në pjesën veriore të shtetit grek dhe të pjesës perëndimore të shtetit shqiptar. Dhe jo vetëm, një deklaratë e tillë pranohet kaq lehtë edhe pse jemi në kushtet e një kazus beli (gjendje e pakuptimtë lufte) që ajo (shteti grek) ka me ne shtetin shqiptar. Dihet që delimitimi i kufijve ka dhe përmban ndjeshmëri të lartë qytetare, dhe qytetarët nuk kanë deri më sot, aspak pothuajse informacion për kërkesat e palës shqiptare apo për ekspertizat e kryera prej tyre. Nuk njihet ende draft negociata mes palës shqiptare dhe asaj të palës greke që aktualisht është duke u pregatitur për të shkuar në Hagë dhe këtu shtrohen pyetjet, pse në Hagë, pse kaq të shpejt në këtë vendimmarrje?! Në këto kushte të pabarabarta eksperiencashtë mos pranohet në mënyrë taksative dhe as mos të shkelen normat si ekitija, etika, historia dhe drejtësia nga ana e palës shqiptare që kanë të bëjnë me llogaritjen e ishujve shkëmborë, si pika reference, madje mundësisht mos të trajtohen fare, në një kohëkëta dy ishujt nuk duhet të marrin efekt, as 12 milje, as 6 milje, por 0. Po ashtu nuk duhet të merret në konsideratë ishulli Othonoi, me 300 banorë dhe pa jetë ekonomike me efekt të plotë, përkundrazi të merret me efektin e vet të ulët, si në rastin me Italinë, dhe aspak e krahasueshme me kufirin kontinental Karaburun-Sarandë, sepse cektesirat kane te drejta vetëm në ujërat territoriale 0-12 milje, por jo ne ZEE. Nëse, ishulli Erikuza nuk do të kishte përballë vetes kontinent si Karaburuni, atëhere mund të merrte të drejtën për 12 milje, por në rastin konkret, ai duhet të vlerësohet ndryshe.

Si mundet të pranohet nga pala shqiptare bërja e metodave të ndryshme të heqjes së vijave bazë (baseline) në të dy anët, si për Korfuzin dhe për kufirin tonë, ose të mbyllen gjire këtej e gjira andej, ose duke mbyllur kepet më të dala për të dy anët, e pastaj të hiqet mesi i artë. Theksojmë se çdo ndarje duhet të fillojë nga Korfuzi, si i vetmi shkëmb i krahasueshëm me pjesën e qëndrueshme Karaburun-Sarandë.

Si mundet që shteti shqiptar të mos kërkojë titujt historikë, si ajo e llogaritjes, edhe të pikëve historike për kufijtë e secilit (Korfuz e Sarandë), ku neni 15 i Konventës Montego Bay ta lejon dhe mund të mos përfillet fare vija e mesit, sepse historia na jep të drejtën e një qasje të lartë historike të gjiut të Sarandës, kujto Butrintin, humbjet nga incidenti i Korfuzit me Anglinë, etj. Por, edhe sepse, Korfuzi quhet historikisht ‘Albania channel’, apo në hartat otomane dhe angleze, ishulli Barketa është konsideruar gjithmonë pjesë shqiptare. Si mundet që matjet të mos bëhen nga qyteti i Sarandës, për të mos humbur sipërfaqe detare qysh në matjet e para, sepse ky gji me këto matje nuk plotëson kushtet, as edhe të një gjiri juridik.

Duhet kuptuar që ndarja e kufijve të detit, është më e thellë dhe më e rëndësishme se politika e çastit dhe sa do të përpiqet një krah i caktuar politik, vendimi duhet të merret me opozitën, me qytetarët bashkë, me ekspertët e papërfillur, dhe jo duke kaluar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe më keq akoma institucionin presidencial. Jemi në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe çështje kaq të brishta dhe që dalin jashtë juridiksionit të një force politike, duhet me patjetër të shtyhen, në kalenda greke mundësisht, sikundër janë 20 shtete për 20 vjet që s‘kanë ndarë dot kufijtë e tillë delikat, por e besojnë zgjidhjen te Gjykata Ndërkombëtare, por me kushtin që atje në Gjykatë ndërkombëtare të mos shkojë një ujdi paraprake midis Qeverisë shqiptare dhe shtetit grek, por një kërkesë për zgjidhje, me tranparencën e duhur dhe me pjesëmarrjen e opozitës, pa anashkaluar Presidencën klasën akademike, qytetarët, vetë popullin shqiptar si bartës i historisë së kombit, por mbi të gjitha në respekt të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare për këtë çështje, në mënyrë që Deti Jon të ngelë det i paqes midis dy popujve.

Ndaj duhet kërkuar me patjetër heqja e efektit të ishujve apo shkëmbinjëve terrestrial brenda në det si Barketa, etj. Duhet kërkuar që edhe nëse i jepet e drejta e 12 miljeve ishujve, ato duhet me patjetër të kenë efekt zero në lidhje me ZEE, sikundër shteti Miamare ka marrë të drejtën e 12 miljeve për ishullin e vet, por me efekt 0 në ZEE. Nga ana tjetër, të denoncohet kërkesa për 12 milje të shtetit Grek. Në kushtet, kur eksperienca shqiptare në ndarjen e detit është 0, (kujtojmë se Greqia ka Ministri deti, Akademi deti, madje për çdo ishull), të krijohet një Ministri deti, brenda së cilës dhe nën kujdesin e së cilës të formësohet një grup ekspertësh. Do të donim fort t’i lëmë kohë shkallës së njohjes së kësaj problematike,  jo të lehtë, e cila ka elemente thelbësore e të rëndësishëm për t’u mos u influencuar nga politika e çastit, nga e cila kemi qenë të ndëshkuar historikisht. Shqipëria është më e rëndësishme se interesat e çastit, sepse firmosja me detin kaq ngutshëm duket sikur duan të taposin gjithë historinë Shqiptare. Ndryshe, me anë të një Referundumi mbarëkombëtar, ne do të thërrasim shqiptarët që e duan këtë vend, shkencëtarët që punojnë për këtë vend për të kërkuar të drejtën legjitime dhe natyrore që i takon këtij populli dhe këtij shteti.