Prof.Dr. Lush Susaj: Vështrim mbi sofizimin e kongreseve

157
Sigal

Flet Prof. Dr. Lush Susaj: PS e sotme është shumë larg PS-së, të Dritëro Agollit, Fatos Nanos e Servet Pëllumbit

  • Ju sjell një vështrim filozofik mbi sofizmin dhe amoralitetin e kongresit të PS.
  • -Pamë një kongres vetëm me suksese dhe duartrokitje të ngjashme me ato të kongrese të Enverit dhe Ramizit.
  • Gabohet ai që beson se një sukses i arritur me mjete të padenja mund të sjellë rezultate…
  • -Shteti sëmuret kur politika i lëshon terren korrupsionit.

Nga zgjedhjet e vjedhura buron dhe arroganca, sofizmi dhe amoraliteti politik i PS.

Varfëria, shkatërrimi i resurseve prodhuese dhe deshqiptarizimi i Shqipërisë nuk i shërben aspak çështjes sonë kombëtare.

-Çudia u tha që do të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore, pasi na e paska kërkuar populli përmes komunikimit me zarfa.

Shqipëria ka nevojë për ekonomi e për një zhvillim të qëndrueshëm e jo për Aventura.

 Intervistoi: Bjora Vojka

Para disa ditësh në mes të një krize tejet të rëndë për xhepat e qytetarëve, Rama dhe mazhoranca u angazhuan në një kongres, që ofroi spektaklin e propagandës për qytetarët. Pikërisht disa ditë më parë kongresit butaforik çmimet në Shqipëri arritën shifra alarmante ku buka është rritur me 16% në raport me një vit më parë, vezët janë shtrenjtuar me 10%, gjalpi është shtrenjtuar minimalisht me 20% njësoj si çdo nënprodukt tjetër i qumështit. Ndërkohë, që rrogat dhe pensionet janë po ato. Por çfarë solli ky Kongres për popullin? Po për vetë PS?

-Ju thoni dhe flisni për një qeveri arrogante. Nga buron arroganca, sofizmi i këtij Kongresi?

 Nga zgjedhjet e vjedhura buron arroganca, sofizmi dhe amoraliteti politik.

Me datën 9 prill 2022, kur u mbajt i ashtuquajturi kongres i PS, ishte thjesht e vetëm një demostrim i ekzagjeruar e i panevojshëm i supremacisë dhe revanshit politik të një grupi të vetëquajtur “Rilindje”, por që nuk përmbajnë e nuk përfaqësojnë asgjë nga rilindja. As nga socialistët e asaj force politike të Dritëro Agollit, Fatos Nanos e Servet Pëllumbit. As nga pluralizmi politik i studentëve pluralistë të dhjetorit 1990. As nga demokracia përfaqësuese e as nga dija, kultura dhe elitarizmi njerëzor. Pamë gjithë atë shpenzim dhe kohë të humbur, thjesht e vetëm për të shfaqur kush e kush më shumë do të bënte demagogji dhe duartrokitje ritmike, të ngjashme me ato të kongreseve të Enverit dhe Ramizit. M’u duk një shfaqje e ulët e llafologëve të Greqisë së lashtë, që vraponin nëpër turma për të provuar se kush rren më shumë, apo kush ja shet më mirë popullit sapunin për djathë. Pamë një kongres që në thelb provonte atësitë degraduese dhe nivelin e lartë të sofizmit të personazheve tona politike, që helmojnë çdo ditë e orë hapësirat tona shoqërore, shpirtërore e mediatike, e që do të ishte një ditë e lumtur dita që këta demagogë të mos jenë më pjesë e ligjërimit dhe administrimit publik. Në thelb pamë dhe dëgjuam një kongres që në thelb pati përpjekjet për të mjegulluar realitetin e jetës shoqërore, ekonomike e politike, pikë së pari të shkaktuar nga amoraliti politik, që tashmë po kërcet e bulshet në çdo zëmër e vatër shqiptari, megjithëse demagogët duket se harrojnë që edhe socialistët janë shqiptarë, e kurrësesi nuk mund të bëhen pjesë e baltës dhe turpit të klikës së korrupsionit dhe shkatërrimit të Shqipërisë. Për më tepër, asnjë politikan e njeri normal, nuk mund e nuk duhet t’i gëzohet haramit e as amoralitetit politik, që buron nga dhunimi i votës dhe mosndëshkimin e korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Për lexuesin po sjell ndërmend ato që na mëson filozofia e Platonit (427-347 p.e.r), i cili ka shkruar: “Drejtësi do të thotë harmoni. Çdo doktrinë që në politikë pranon të drejtën e më të fortit dhe që e bën suksesin kriterin e vetëm të legjitimitetit dhe të vetmin burim të lumturisë është e gabuar. Politika duhet t’i nënshtrohet moralit. Gabohet ai që beson se një sukses i arritur me mjete të padenja mund të sjellë rezultate…Shteti sëmuret kur politika i lëshon terren korrupsionit”. Gjithë kongresi, duke filluar nga militantët dhe patronazhistët e ulur mbi dengjet e barit, tek duatrokitësit, e deri tek ligjëruesit dhe dirigjentët e kupolës së lartë partiake e shtetërore, bënin një kontrast të thellë me realitetin dhe nevojat reale të shoqërisë dhe shtetit shqiptarë. Kuptohet që sa herë kemi patur të bëjmë me modelin obskurantistë të partisë shtet, çdo gjë tjetër është kundër parimeve dhe mësimeve të filozofisë, është kundër interesave jetike të popullit dhe shtetit, është kundër interesave tona kombëtare, çdo arsyetim tjetër do të ishte i gabuar. Përvoja dhe filozofia e zhvillimit shoqëror e politik na mëson që suksesi dhe zhvillimi buron nga drejtësia, nga ligjshmëria, nga antikorrupsioni dhe nga politika e moralshme. Për të kaluar në gjuhën e përdorur dhe në ligjërimin sofist e antishtetëror, po ndalem në disa momente që nuk mund të sjellin asgjë të mirë për Shqipërinë e as botën demokratike.

-Mund të na sjellësh disa momente nga amoraliteti politik i këtij Kongesi zhurmëmadh?

Po sjell dy momente nga sofistika dhe amoraliteti politik i kongresit dhe kongresmenëve.

Së pari, pas zgjedhjeve të dhunuara, shoqëruar me përçarjen, përqeshjen dhe bullizmin ndaj opozitës, nuk ja vlen më asgjë, nuk ka vend për pompozitet, as për krekosje si gjeli mbi grumbullin e plehut, e as për demagogji. Pas zgjedhjeve të dhunuara, nuk ka më pengesa për shpirtërat jo harmonioz (siç i qunte Platoni), as për mendjet kaotike, as për grykësinë e të pangopurve, sundimit dhe përçarjes. Pas zgjedhjeve të dhunuar, pavarësisht nga sa thuhet e konsumohet, edhe plakat e katundit e dinë që nuk ka më pluralizëm, as demokraci e as drejtësi.

Së dyti, u tha që do të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore, një veprim tepër i gabuar të cilin na e paska kërkuar populli përmes komunikimit me zarfa. Përveçse ju faturua popullit që realisht nuk e ka pyetur askush për këtë punë, u tentue të justifikohej si një veprimtari që do të sjellë punësim dhe të ardhura për ekonominë kombëtare. Sofizmi dhe hipokrizia qëndrojnë tek fakti që kjo po bëhet për të ndalur monitorimin ndërkombëtar të territorit, e padyshim për ta kthyer Shqipërinë në një kolumbi apo Palermo të dytë të shekullit të 21-të. Në vitet 2016-2017, nga masivizimi i këtij aktiviteti haram, kriminal, çmimi i kanabisit ra në 30-50 euro/kg, që do të thotë se fitohet më shumë duke shitur keca, qingja, duhan, gështenja, salep, xhirokull, etj, se sa duke kultivuar kanabis. Qeveria duhet të mbyllë shtigjet e krimit e jo t’i hapë ato. Asnjë qeveri nuk mund të qëndrojë duke varfëruar e kriminalizuar shoqërinë. Shqipëria ka nevojë për ekonomi e për një zhvillim të qëndrueshëm e jo për Aventura që nuk mund të zgjasin më shumë 1-2 vite, e nga ku pasurohen jo më shumë se 10-20 veta, por që vriten 200-300 djem e vajza të reja, pa llogaritur këtu sëmundjet e varësisë dhe problemet e tjera sociale në fshatra e qytete. Nuk ka më mjerim politik sesa një parti e majtë të nxisë dembelizmin, kriminalitetin e shpopullimin.

Së treti, u fol me aq shumë sofizëm mbi paketën për krizën, duke shkëlqyer tek shtesa 3000 lek për disa pensionistë me pension më të vogël se 15000 lek/muaj, në një kohë që Kosova shpalli 100 euro/muaj (4 herë më shumë), për të gjithë popullsinë, përfshirë edhe studentët. U shtruan me pompozite dengjet e barit dhe u fol aq shumë në një ambjent, që nuk njoha e nuk pashë as edhe një profesionist të fushës së bujqësisë, nuk kishte asnjë specialist që të kishte punuar në prodhim. Që të gjithë ishin nga pjesa e përkëdhelur e partisë, por që nuk kanë haber nga punët e bujqësisë. Në një kohë që për Grurin dhe misrin nuk u dha asnjë lek subvencion për të shtuar sipërfaqen e mbjellë me drithëra. Pa llogaritur këtu që 50 % të nevojave vjetore për grurë e importojmë. Paradoksalishtë importojmë nga Rusia dhe Ukraina, në një kohë që mund të ishte bërë kjo zgjidhje nga Rumania, Franca, Kanadaja, Hungaria, Taxhikistani, dhe eksportues të tjerë që operojnë në rajon dhe Europë, për një popull e treg të vogël me 2,8 miljon banorë.

Së katërti, u fol përsëri aq shumë për Ballkanin e Hapur, pa e kuptuar se edhe sikur kjo nisëm të ishte shpëtim dhe shumë fitimprurëse për Tiranën, shqiptarët nuk e pranojnë e nuk e duan lojën në kurriz të Kosovës dhe shtetit të ri atje. U fol aq shumë në salla, pa e kuptuar se në terren ka mbetur toka bujqësore djerr, fermerët po therin bagëtinë duke përgjysmuar numërin e tyre, ndërsa prodhuesit e perimeve të eksportit po braktisin serat e domateve dhe të rrushit të tavolinës, e si në kushtet e një lufte barbare, rinia dhe krahu i punës po largohet duke mallkuar vetën. Varfëria, shkatërrimi i resurseve prodhuese dhe deshqiptarizimi i Shqipërisë nuk i shërben aspak çështjes sonë kombëtare.

Në këtë mënyrë nuk ofrohet siguria ushqimore, mjedisore e as jetësore.

Në fjalën e kryeministrit, disa herë përsëriti shprehjen: “Vetëm ne ofrojmë sigurinë”. Në dijen time mbi sigurinë ushqimore, mjedisore dhe të jetës, niveli i sigurisë nuk ka qënë kurrë më i ulët. Për shkak të korrupsionit e vetëm të korrupsionit, shteti ynë nuk arriti që të zbatojë protokollet e sigurisë ushqimore e mjedisore me pulat e ngordhura, pa folur për ato që kanë ndodhur para dhe pas lajmit për shfaqjen e gripit të shpendëve. Dhe fiks në kohën që në kongres flitej për Open ballkanin dhe arritjet në fushën e agroturizmit, mjerisht pulat e ngordhura, u shfaqën të nxjerra nga valët e detit në bregun e ranës së hedhun në Shengjin. Edhe kjo pamje e shëmtuar për turizmin shqiptar, është një tjetër dëm jo i vogël ekonomik që vjen nga abuzivizmi dhe korrupsioni me fondet dhe protokollet e trajtimit, pasi tenderin për groposjen e pulave të ngordhura, doli në media se ja kishin dhuruar pronarit të një lokali të vogël. Në këtë mënyrë mund të flasim gjatë edhe për shumë gjëra të tjera, por që të gjitha duhen marrë nga e kundërta. Sepse tek të gjitha ka një emërues të përbashkët, popullit dhe mediave vendase dhe ndërkombëtare duan tua shesin sapunin për djathë, dështimin për sukses, kanabisin për punësim kur vetëm në katër vitet e fundit janë ekzekutuar mbi 300 djem të ri nga Ekuadori, Kuba e deri në Belgjikë, pa llogaritur llahtarinë në katundet dhe qytetet tona. Parë në këtë këndvështrim, unë do t’i lutesha Zotit që të mos ndodhin ato që u thanë në Kongresin e Rilindjes e as ato që ka në kokë Kryeministri ynë dhe ministrat e tij, një pjesë jo e vogël e tyre pa pikë profesionalizmi e morali politik.