Prof. Dr. Lush Susaj: Përmbytjet nga hajnia, korrupsioni dhe injoranca në menaxhment

152

“Militantët dhe drejtuesit politikë të emëruar në vendet ku duhet të ishin specialistët e hidrologjisë, të pyjeve dhe të agronomisë, janë  të paditur. Mbrojtja e tokave dhe kulturave bujqësore, nuk mund të bëhet kurrë me dosje fiktive, as me konferenca dhe figura poëerpointi tek hotel turizmi”

Sigal

1-Përse po përmbytemi kaq shpejtë e me kaq pak reshje?

Është ora 16 e datës 21 nëntor 2022, e ku si zakonisht është koha kur dal për të pirë një kafe me kolegët dhe agronomët e lagjes time. Gjatë bisedës, në ëotcapin tonë na erdhën disa fotografi të sapo marra nga përmbytjet e sotme në Velipojë dhe në tokat e lagjeve përgjatë Bregut të Bunës në Shkodër. Për kaq pak reshje, pamjet që na vijnë nga agronomët dhe fermerët e rajonit të nënshkodreë janë trishtuese, e që tregojnë se si uji ka vërshuar duke mbuluar tokat bujqësore me perime, foraxhere, vreshta, pemëtore e drithëra buke. Për më tepër, në vidiot e dërguara, shifet mënyra se si uji po gërryen dhe shkatërron tokën bujqësore në të dyja anët e lumit. Kjo po ndodh për shkak të mungesës së një kujdesi minimal në drejtim të ndërtimit të argjinaturave të reja, si dhe të mirëmbajtjes së argjinaturave ekzistuese. Në këtë situatë, nëse reshjet do të vazhdojnë, dëmët në banesa, në blegtori dhe në kulturat bujqësore do të jenë të jashtëzakonshme. E sikurse ndodh kudo, dhe në tavolinën tonë debate zhvillohet rreth pyetjes se përse përmbytemi kaq shpejt e me kaq pak reshje?

Përgjigjet janë të ndryshme, por që të gjithë janë të mendimit që, krahasuar me vitin e kaluar, situata dhe përmbytje të tilla do të ketë edhe më shumë. Arsyetimi konvergon në faktin që të tilla dëme e katastrofa, nuk mund të ndodhin për shkak të reshjeve të këtyre niveleve, por për shkak të korrupsionit dhe hajdutërisë me investimet, në sistemimet bujqësore, në kullim, në pyjet dhe kullotat, si dhe për shkak të injorancës në menaxhimin e integruar të ujërave. Puna duket që është tepër e fragmentuar, e ku sikurse shifet, aty ku ka argjinaturë të vazhdueshme, toka bujqësore nuk gërryhet për të përfunduar në det, e as blegtoria, banesat dhe të mbjellat nuk përmbytën nga uji. Ndërsa thuhet që niveli i lartë i liqenit të Fierzës gjatë periudhës së nëntorit, sipas specialistëve të hidrocentraleve, është një kërcënim real për përmbytje të mëdha në ditët në vazhdim. E ky rrezik është shkaktuar për shkak të etjes për fitime të mëdha me energjinë e prodhuar dhe të asaj frikës së mungesës së reshjeve. Ndërsa protokolli shkencorë i menaxhimit të kaskadës së Drinit kërkon të kundërtën, parashikohet reduktimi dhe ulja e nivelit të liqeneve përgjatë periudhës tetor-nëntor. Të mos flasim edhe për mungesën e gjatë të ndërtimit, pastrimit dhe funksionimin integral të kolektorëve dhe të kanaleve të sistemit të kullimit.

Përmbytjet janë akuza më e drejtëpërdrejtë ndaj abuzivizmit, korrupsionit, injorancës dhe fiktivitetit me shkresat, me dosjet, me studimet dhe me investimet që nuk u kryen kurrë në kohën e as në mënyrën e duhur. Ndërsa për pyetjen se përse ka kaq shumë përmbytje dhe rrezik edhe me kaq pak reshje? Përgjigjia ëshë fare e thjeshtë, sepse kemi dhunuar mjedisin, kemi prerë e djegur pyjet, madje po i reduktojmë edhe më shumë duke i kthyer në sheshe ndërtimi pa marrë fare parasysh pasojat e shkatërrimit të ekuilibrave natyrorë.

“Shumë përmbytje dhe rrezik edhe me kaq pak reshje? Përgjigjia është, sepse kemi dhunuar mjedisin, kemi prerë e djegur pyjet, duke i kthyer në sheshe ndërtimi. Ka përmbytje edhe për shkak se investimet për mbjelljet e reja në pyje janë mashtrimi më i madh për të vjedhur100% të vlerës së projekteve dhe investimeve.”

Ka përmbytje edhe për shkak se investimet për mbjelljet e reja në pyje janë mashtrimi më i madh për të vjedhur100% të vlerës së projekteve dhe investimeve. Për pasojë, pikat e shiut godasin fortë mbi grimcat e tokës, i shkëputin dhe i transportojnë ato drejtë basenit të liqenit, duke e mbushur e nxjerrë jashtë funksionit brenda një periudhe më të shkurtër. Prurjet që vërshojnë nga majat e maleve dhe kodrave depozitohen në shtratin dhe grykëderdhjen e lumenjve, duke e ngritur e duke shtuar edhe sipërfaqen dhe mundësinë e përmbytjeve.

Militantët dhe drejtuesit politikë të emëruar në vendet ku duhet të ishin specialistët e hidrologjisë, të pyjeve dhe të agronomisë, janë aq të paditur, saqë mund të kujtojnë që uji sikurse zbret poshtë, mund të ngjitet përsëri lartë, e të sjellë ato që ka gërryer më parë.

Për shkak të dëmtimit të mjedisit dhe të mungesës të gjatë të pyllëzimeve të reja, në sistemime malore, etj, rezulton që Shqipëria të ketë nivelin e erozionit mbi 12 herë më të lartë se mesatarja e vendeve evropiane. Në këtë mënyrë, pavarësisht nga propaganda dhe klikimet mbi fotot e zyrtarëve në facebook, situata në drejtim të ruajtjes së mjedisit, të pyjeve dhe në drejtim të investimeve në kullim, është katastrofë që ulëret. Mbrojtja e tokave dhe kulturave bujqësore, nuk mund të bëhet kurrë me dosje fiktive, as me konferenca dhe figura tek hotel turizmi, as me demagogji dhe as me punësime nepotike dhe elektorale. Puna kërkon dije, standarte, protokolle, përvojë dhe dashuri për Shqipërinë, më shumë sesa për klanin nepotikë e partinë e radhës.

Këto punë nuk mund të bëhen kurrë me militantë e as me qeverisje moniste, inkopetente e të korruptuar. Në këtë kontekst, Milton Friedman ka shkruar: „Nëse i caktoni qeverisë të menaxhojë shkretëtirën e Saharasë, pas vetëm pesë vitesh, atje do të kishte mungesë rëre“

“Gjithkush mund të shikojë nga afër mungesën totale të kujdesit dhe të punës për pastrimin dhe thellimin e shtratit të Bunës, e në mënyrë të veçantë mungesën e gjatë të pastrimit dhe thellimit të grykëderdhjes. Trasenë e rrugës së ndërtuar, ngushton shtratin natyror të lumit.”

  • Pas Drinit dhe Bunës, vërshojnë edhe Mati, Vjosa dhe Shkumbini

Pjesa më e rendësishme e sistemit tonë hidrologjikë, është pellgu ujëmbledhës që fillon nga liqeni i Prespes – liqeni i Ohrit – lumi Drin – liqeni i Shkodres – lumi Buna. Ky sistem grumbullon ujërat e një territori me sipërfaqe prej 19581 km2, që është gati sa gjysma e pellgut ujëmbledhës të Shqipërisë. Në këtë system, lumi Drin i bashkuar me lumin Buna, kanë një prurje mesatare shumëvjeçare prej 679-680 m3 ujë në sekondë (m3/s). Për Shqipërinë, kjo prurje hidrike është njëri nga burimet më të mëdha të punësimit dhe të ardhurave të qëndrueshme nga energjitika dhe nga aktivitetet e tjera prodhuese që lidhen me bujqësinë, me turizmin, me peshkimin, etj. Ndërsa në më pak se 30 vite të hajnisë dhe shkatërrimit pa kriter të shtratit të Bunës, si dhe të menaxhimit joprofesional e pa transparencë të kaskadës së Drinit, ky burim është degraduar dhe kthyer nga burim punësimi e mirëqënie, në një fatkeqësi të përvitshme të pronës dhe të shëndetit të qytetarëve që jetojnë në këtë rajon shumë të pasur. Edhe studimet e ecurisë së reshjeve të 100 viteve të fundit, të fokusuara tek rastisjet apo reshjet maksimale ditore (përgjatë prej 24 orëve), vërtetojnë faktin që shkaku real për përmbytjet e përvitshme është mungesa totale e kujdesit ndaj mjedisit natyrorë dhe mungesa e menaxhimit shkencorë e profesional të burimeve dhe potencialeve prodhuese të vendit. Duke kërkuar për reshjet maksimale ditore të muajt shkurt të 100 viteve të fundit, rezulton që këto rastisje shumëvjeçare kanë ndodhur në shkurt të vitit 1995 në Shkodër me 345 mm/24 orë, në Pukë në shkurt të vitit 2004 me 310,7 mm/24 orë dhe në Bajram Curri në shkurt të vitit 1988 me 208,2 mm/24 orë. Prurjet maksimale të Drinit (të matura në grykëderdhjen e tij) përgjatë periudhës nëntor-mars, janë 6530 m3/s. Ndërsa prurjet minimale shumëvjeçare janë 108 m3/s, dhe i përkasin periudhës korrik-gusht. Në kushtet e mungesës së digave (është periudha para vitit 1971), dhe të mungesës së investimeve në argjinatura, në pastrimin e shtratit dhe të grykëderdhjes së Bunës, prurjet maksimale me mbi 6000 m3/s, do të shkaktonin me patjetër përmbytje njëlloj sikur ka ndodhur edhe në shekujt e kaluar. Ndërsa pas vitit 1971 jemi në kushte të tjera. Në vitin 1971 është vu në shfrytëzim HC i Vau Dejës. Ndërsa në vitin 1978, është vu në punë HC i Fierzës dhe në vitin 1979 edhe HC i Komanit. Në këtë mënyrë, menaxhimi shkëncorë e profesional i ktyre tri digave, edhe në kushtet e maksimumit të reshjeve, do të prodhonte më shumë energji për Shqipërinë, dhe vetëm siguri për fushën e nënshkodrës dhe për qytetin e Shkodrës. Vetëm për shkak të menaxhimit të gabuar, aftësia ujëheqëse (ujëpërcjellëse) e Bunës në vite është reduktuar në rreth 1300-1400-2000 m3/s. Kjo ka ndodhur për shkak të mbushjes së shtratit dhe të grykëderdhjes nga aluvionet e Kirit dhe të Drinit. Në këtë drejtim, ndikim tepër negativ ka patur dhe ka edhe ngushtimi i vazhdueshëm i shtratit të Bunës nga hedhja e inerteve dhe nga ndërtimet pa leje e pa asnjë kriter. Si të mos mjaftonte kjo marri e pashoqe, në këto 30 vite hyri në veprim edhe korrupsioni dhe fiktiviteti masiv me investimet dhe me projektet që nuk u realizuan kurrë në cilësinë e as në kuotat e duhura. Këto fenomene mund të vrojtohen kudo e në çdo kohë. Kushdo mund të hetojë e të kuptojë dëmet për shkak të mungesës së ngritjes dhe të mirëmbajtjes së argjinaturave përgjatë 41 km të bregut jugor të Bunës.

Gjithkush mund të shikojë nga afër mungesën totale të kujdesit dhe të punës për pastrimin dhe thellimin e shtratit të Bunës, e në mënyrë të veçantë mungesen e gjatë të pastrimit dhe thellimit të grykëderdhjes. Kushdo mund të shikojë nga afër edhe atë marrinë e pashoqe me trasen e rrugës së ndërtuar, duke ngushtuar shtratin natyror të lumit. Sikurse janë edhe lokalet e shërbimit dhe pallatet e ndërtuara jashtë të gjitha studimeve dhe kritereve mjedisore, e që arrijnë deri në bregun e liqenit. Këto janë disa nga ato goditjet e panevojshme e të drejtëpërdrejta ndaj kapaciteteve ujëheqëse (ujëpërcjellëse) të lumit Buna, nga ku fillojnë edhe përmbytjet, dëmet dhe vuajtjet e panumërta të familjeve të fushës së nënshkodrës. Por nuk duhet të harrojmë që sikurse është vepruar me Bunën është vjedhur dhe është abuzuar edhe me pellgun ujëmbledhës dhe me shtratin e Vjosës, Shkumbinit, Matit, Erzenit, etj. Në këtë mënyrë, mjerimi, varfëria dhe të gjitha fatkeqësitë tona kombëtare kanë një burim, e që të gjitha flejnë në të njëjtin shtrat, e që është shtrati i korrupsionit, fiktivitetit, nepotizmit, injorancës dhe inkopetencës administrative.

Për këtë arsye, mendoj se është koha për të stopuar me ligj dhe transparencë fiktivitetin dhe sjelljen e gabuar ndaj mjedisit dhe korrupsionin me investimet dhe projektet.

Në emër të korrupsionit dhe të fitimit maksimal, nuk mund të lejohet më tutje shkatërrimi i përvitshëm i pronës, fermave bujqësore dhe banesave të Shkodrës dhe të rajoneve bujësore të vendit.