Presidenti Meta rrëfen jetën sportive / Ja kush janë preferencat e tij

355
Sigal

Gazetari: Zoti President, ju nuk tërhiqeni kollaj nga sfidat. Përse e latë peshëngritjen. Pse duket si një sfidë e lënë përgjysmë?

Presidenti Meta: Po, kjo është shumë e vërtetë. Arsyeja ka qenë një dhe vetëm një: Isha i paduruar për t’u bërë kampion. Kjo është e vërteta. 

Kjo nuk ishte një çështje aq e lehtë në atë kohë apo e thjeshtë. Kërkonte kohën e saj. Unë arrita të merrja pjesë në disa Kampionate Kombëtare, pavarësisht se bëja stërvitjen me profesor Ferid Berberin që nga dita e parë, i cili ishte trajner i “Dinamos” dhe i Ekipit Kombëtar. Pata një përparim shumë të mirë për gati dy vite, por pretendimet e mia ishin shumë të forta. Ndërkohë që ambiciet e mia ishin shumë të larta në drejtim të shkollës, të universitetit dhe të arritjeve të tjera. Jam shumë i lumtur që u mora me peshëngritje në ato vite, sepse kuptova në radhë të parë realitetin e asaj kohe, të asaj periudhe që e kisha të vështirë ta kuptoja në shkollë, në lagjen ku banoja apo në rrethin shoqëror. Dhe së dyti sporti i peshëngritjes më dha mjaft durim, vullnet, këmbëngulje.

Gazetari: Karakter të fortë.

Presidenti Meta: Po, karakter të fortë. Më ndihmoi meqë karakterin e kisha para se të merresha me peshëngritje, por ajo ndihmoi në shumë elemente.

Gazetari: Peshëngritja zoti President futet te sportet e forcës, por ajo që doja t’ju pyesja…

Presidenti Meta: Është sport i forcës. Në çdo rast kërkon forcë, por kampion nuk mund të bëhesh pa teknikë të lartë.

Gazetari: …përtej kësaj, ju u bëtë kampion në politikë në fakt, por nuk dua ta çoj në këtë drejtim. Dua t’ju pyes për një tjetër, sepse kur ju po flisnit tani, më erdhi ndërmend që pak kohë më parë u nda nga jeta Gudar Beqiraj, i cili është një nga njerëzit që u mor me sportin e peshëngritjes, por një kokë e mençur e këtij vendi.

Presidenti Meta: Akademik.

Gazetari: Edhe akademik gjithashtu. Si shpjegohet që peshëngritja që është një sport i forcës, ka nxjerrë njerëz të mendjes, pse paralel ka pasur shumë njerëz të mendjes?

Presidenti Meta: Së pari ju falënderoj që e kujtuat profesor Gudarin!

Gazetari: Me shumë respekt dhe me përkujtim.

Presidenti Meta: Për fat të keq humbi jetën edhe profesor Haki Agalliu, trajner shumë i shquar i “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar apo kohë më parë u nda nga jeta profesor Femi Telegrafi, i cili ishte një intelektual shumë i mirë dhe një trajner i madh i “Tomorrit”, me rekorde europiane. Apo një rekordmen si Vasil Hoço dhe shumë personalitete të tjera. Natyrisht që unë humbjen e profesor Gudarit e kam përjetuar shumë për arsye se ishim miq prej shumë kohësh.

Gazetari: Ishte mik i shumë njerëzve.

Presidenti Meta: Po, mik i shumë njerëzve, por ishte edhe një mik i imi personal prej një kohe shumë të gjatë. Kemi pasur shumë miqësi me të. Madje përpara pak kohësh, para se ai të humbte jetën, kemi diskutuar, kemi pasur plane të ndryshme. Kemi pasur në plan se si do të merrnim pjesë në një kampionat veteranësh.

Gazetari: Do të ngrinit prapë pesha të dy?

Presidenti Meta: Po, dhe ai kishte shumë dëshirë që unë të merrja pjesë në një kampionat të veteranëve ndërkombëtarë. E kishim lënë që të fillonim edhe një si program stërvitjeje në këtë drejtim. Profesor Gudari ka një rol të veçantë për arsye se ai, edhe për shkak të faktit që ishte informaticien, u përpoq, futi dhe inkurajoi përdorimin e teknikave dhe programeve të reja më të avancuara ndërkombëtare në sportin e peshëngritjes, pasi të jesh një informaticien apo fizikant është një avantazh për të kuptuar procesin e një teknike të suksesshme dhe të shpejtë, që të ndihmon të bësh diferencën me të tjerët edhe në sportin e peshëngritjes. Kur ishim në peshëngritje bënim programet më të avancuara të bullgarëve apo të sovjetikëve në atë kohë dhe të gjitha ato kishin një diagramë, apo një grafik që lidhet me fizikën, me shpejtësinë. Pra lidhet me elemente shumë të rëndësishme.

Gazetari: Tekniko-taktikë.

Presidenti Meta: Po, tekniko-taktikë.

Gazetari: Hymë edhe pak te futbolli. Ajo që na bën më shumë përshtypje është fakti që Presidenti kohët e fundit i ka shtuar vizitat në stadiume, madje ka dorëzuar edhe tituj. Ka bërë edhe xhelozë disa skuadra.

Presidenti Meta: Është  një kënaqësi e veçantë për mua që të marr pjesë në ndeshje, të jap tituj dhe padyshim për t’i motivuar të gjithë, që të ecin në rrugën e kampionëve.

Askujt nuk ka pse t’i mbetet hatri, sepse është detyra e Presidentit që të motivojë kampionët.

Pyetje: Jo, pa dyshim po Ju me kë jeni tifozë? Në kuptimin, kë keni skuadrën e zemrës për shembull?

Presidenti Meta: Ajo që mund të them me siguri është që jam tifoz me Kombëtaren Kuq e Zi.

Pyetje: Me Kombëtaren pa diskutim, janë të gjithë.

Presidenti Meta: Pastaj, kuptohet që jam një përkrahës i Kosovës.

E treta jam një përkrahës i flakët i Kombëtares së Zvicrës, dhe këtu besoj për shkak të Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e shqiptarëve të tjerë. Sa i takon Kampionatit shqiptar, jam pak i “ngatërruar”.  Kur kam qenë fëmijë për shkak se babi im ka qenë tifoz i zjarrtë i Dinamos, vazhdon të jetë edhe sot, kjo ndikonte edhe tek unë si fëmijë, sepse më merrte gjithmonë me vete në stadium për të qenë me Dinamon dhe kuptohet, Dinamo i asaj kohe ishte një ekip shumë i madh në kohën e Përnaskës- Zëri- Ballgjini, në fund të viteve 70.  Por, njëkohësisht po prap për shkak të babit fillova të bëhesha dhe pak tifoz i Partizanit sepse babi kishte pasur nxënës Perlat Mustën dhe Artur Lekbellon.

Pyetje: Ju kujtoni në një postim edhe Lefeter Millon dhe ai vinte nga ai Partizan i jashtëzakonshëm i atyre viteve.

Presidenti Meta: Kur shkonim në plazh në ato vite, që e bënim në Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes, aty edhe Partizani bënte pushimet.

Unë për shkak të këtij raporti që kishte babai me Perlatin edhe me Artur Lekbellon dhe me Arjan Ahmetan e ndjerë që ka qenë dhe ai gjithashtu bashkë me ta, unë rrija me ata. Isha një fëmijë që kapja topat mbas portës të Perlatit dhe i shtyrë nga dashuria e tyre, bëja tifo edhe për Partizanin. Është e vërtetë që kur kam qenë fëmijë nuk kam pasur ndonjë simpati për Tiranën sepse  Dinamo, Partizani dhe Tirana ishin pak larg njëra- tjetrës.  Por, absolutisht kam patur një respekt të thellë në kuptimin pozitiv sepse Tirana e asaj kohe ka qenë një ekip shumë i madh. Një nga personazhet që kemi pasur më problem ka qenë Agustin Kola, pasi Gusti ka qenë gjithmonë një lojtar i fortë, agresiv, luftarak, por edhe rebel dhe që tifozët e skuadrave të tjera i provokonte.  Gusti është nga miqtë e mi më të mirë e më të dashur dhe e kam shumë vështirë sot të them me kë kam qenë tifoz, edhe se me kë jam.

Pyetje: Në fakt është normale të jeni me Tiranën, me Partizanin, Dinamon, Shqipërinë, Kosovën, Zvicrën. Unë nuk kuptoj vetëm Celtic pse?

Presidenti Meta: Po edhe me Celtic kam një histori. Unë kur kam qenë i vogël kam qenë gjithmonë me Holandën. Holanda kuptohet ishte shumë e famshme dhe për shkak të Krojfit.  Pastaj kam bërë tifo edhe për Milanin për shkak të tre Holandezëve, Gulid, Raikard edhe Van Basten. Por, për një kohë pastaj u mërzita shumë se u bë dhe djali me Milanin për shkakun tim edhe ai filloi ta merrte shumë seriozisht.

Milani arriti rezultate shumë të dobëta edhe  zhgënjyese, ndaj dhe pasioni im për këtë ekip u ftoh për shkak të kësaj situate.

Pyetje: Pjesa tjetër e familjes me kë janë tifozë?

Presidenti Meta: Po edhe Monika pak a shumë kështu, por ka qenë më  e qartë se unë, me Partizanin.

Pyetje: E pa lëkundur Monika fare.

Presidenti Meta: Monika ka qenë më e qartë në këtë drejtim, pastaj ka  qenë me Holandën, ka qenë edhe me Milanin, nuk e di a vazhdon të jetë me Milanin po do ta pyesë. Tani të vazhdojmë tek Celtic.  Kam patur një raport shumë të mirë me Rudi Vatën me Kapitenin e Kombëtares, pak a shumë një bashkëmoshatar i imi. Kur kam qenë Kryeministër kemi qenë shumë afër me Rudin, ka qenë kapiten i Kombëtares dhe e kemi ndihmuar shumë ekipin në atë kohë. Po edhe më pas, kemi qenë në një raport gjithmonë të afërt, miqësor dhe kur ka ardhur në Shqipëri kur ka luajtur ca kohë me Tiranën gjithmonë jemi takuar. Për shkak të Rudit kisha një simpati për Celtic nga larg, sepse Rudi më ka folur gjithmonë për të. Rreth një vit e gjysmë më përpara, kur unë isha i ftuar në një samit ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, dhe po shkonim në qendër të Sarajevës për një takim, më kishin vënë shumë shoqërues nga këto të Bosnjes. Po ecnim në këmbë, kur shikoj një grup të rinjsh që bënin një zhurmë të madhe dhe kur na panë ne që ishim të rrethuar, e shtuan edhe më shumë zhurmën. Pashë bluzat e Celtic, sepse janë të njohura dhe mjaft të veçanta dhe mendova t’i përshëndes.

Ju afrohem dhe i prezantohem e më pas u bëj të ditur se jam miku i Rudi Vatës.

Filluam pastaj komunikimet. Po ju për çfarë jeni këtu? Ata më thanë se kemi ndeshje me Sarajevën në darkë. I urova për fitore dhe bëmë një gëzuar për Rudi Vatën dhe Celtic.

Pas kësaj bëra një postim në rrjetet sociale për këtë takim. Ditën tjetër kur po ktheheshin nga Bosnja për në Shqipëri, në Malin e Zi, më thotë zëdhënësi im Tedi Blushi: Ka shpërthyer Twitteri. Po çfarë ka ndodhur i thashë unë? Më tha kanë shpërthyer të gjithë tifozat e Celtic: Faleminderit Presidentit të Shqipërisë që na dha fat për ndeshjen me Sarajevën.

Pastaj kur unë u ktheva këtu bëra dhe një postim tjetër se kisha një bluzë që ma kishte dhuruar Rudi, për respekt, ata shpërthyen më shumë. Pas kështu u krijua një lidhje me ta dhe mua më pëlqen shumë se janë me shumë karakter, socialë dhe miqësorë, ndaj mezi po pres ditën që të shkoj në stadiumin e tyre. Do të jetë një gjë e veçantë, jo vetëm kaq, por kemi krijuar një raport shumë të mirë për Shqipërinë. Ata kanë dëshirë të bëjnë konventën e fansave të Celtic nga e gjithë bota në Shqipëri dhe do të përpiqemi të gjejmë një kohë të përshtatshme, pasi kuptohet që kjo kërkon një angazhim të madh, kërkon shumë infrastrukturë. Duhet të kemi parasysh që Celtic ka numrin e tretë sot në botë për sa i takon fansave si një ekip në të gjithë botën. Është një ekip me një histori shumë të madhe dhe me një përkrahje shumë të madhe.