Me letra false italiane e slovake, si po trafikon krimi i organizuar shqiptarët drejt Anglisë

210
Sigal

Krimi i organizuar shqiptar dhe ai gjeorgjian po shfrytëzon territorin e Irlandës si tranzit për trafikimin e qënieve njerëzore dhe lëndë narkotike, kryesisht kokainës me prejardhje nga Amerika Latine, drejt Irlandës së Veriut dhe më pas Anglisë

Shqetësimi është ngritur nga një raport i përbashkët mes autoriteteve ligjzbatuese të Republikës së Irlandës dhe autoriteteve të Britanisë së Madhe.

Autoritetet thonë se nëse për kalimin e drogës po përdoren metodat e zakonshme të fshehjes së tyre në kontenierë, për trafikun e personave ka një rritje shqetësuese numri i atyre të kapur me dokumentacion të falsifikuar të vendeve të Bashkimit Europian.

“Grupet kriminale nga Shqipëria dhe Gjeorgjia sigurojnë e prodhojnë dokumentacione identiteti të rreme, kryesisht italiane dhe slovake. Dokumentat u shiten personave që duan të udhëtojnë drejt Anglisë, kundrejt një shumë të paktën 5 mijë paund”, citon Irish News raportin në fjalë.

Përmes dokumentave të një vendi anëtar të Bashkimit Europian, trafikantët shfrytëzojnë mungesën e kontrollit në kufirin mes Irlandës dhe Britanisë së Madhe, që ishte njëri prej kushteve të vendosura nga BE në negociatat e Brexit.

“Qëllimi i këtyre njerëzve është që të shkojnë në Angli. Ky është objektivi i tyre kryesor. Kontrollorët dhe autoritetet kufitare të Irlandës kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e personave të trafikuar janë nga Shqipëria dhe Gjeorgjia dhe grupet që qëndrojnë pas këtij trafiku i udhëzojnë se si të kalojnë drejt Anglisë”, vijon Irish News, duke cituar burime nga autoritetet irlandez.

Autoritetet kanë raportuar një shtim të rasteve, kur shtetas shqiptarë në momentin që kapen kërkojnë azil dhe më pas, fill sapo t’u jepet mundësia hidhen në kufirin me Irlandën e Veriut e më pas drejt Anglisë.

Ministri britanik i Emigracionit, Chris Philip thotë se ky problem do të zgjidhet me ligjet e reja.

“Jemi të vendosur për të gjurmuar këta njerëz që lehtësojnë hyrjen e paligjshme në Britaninë e Madhe. Po punojmë me agjencitë ligjzbatuese për t’u siguruar që ata që merren me këto aktivitete të vihen në pranga dhe dalin para drejtësisë”, tha ai.