Presidenti Meta rikujton ndeshjen historike

272
Presidenti Meta me anë të një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook ka rikujtuar një nga ndeshjet më të shkëlqyera të kombëtares kuqezi, barazimin historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në “Qemal Stafa”, rezultat që skualifikoi 53 vjet më parë Nënkampionët e Botës nga Euro ’68 dhe shokoi futbollin gjerman të asaj periudhe.
Ja postimi i plotë :
Sot kujtojmë me krenari, një nga ndeshjet më të shkëlqyera të Kuqezinjve, barazimin historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në “Qemal Stafa”, rezultat që skualifikoi 53 vjet më parë Nënkampionët e Botës nga Euro ’68 dhe shokoi futbollin gjerman të asaj periudhe.
Kombëtarja Kuqezi e drejtuar nga legjenda Loro Boriçi, zbriti në fushë me Koço Dinellën, Frederik Gjinalin, Lin Shllakun, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso e Panajot Pano, duke luajtur një nga ndeshjet më të bukura ndonjëherë, për të shënuar edhe një gol në minutën e ’53, por që nuk u quajt i rregullt nga arbitri austriak, Ferdinand Marschall.
Gjermania Perëndimore luante me emrat më të njohur të kohës, me futbollistët e shquar Peter Meyer, Gunter Netzer, Willi Schulz e shumë të tjerë, por që në atë ndeshje dramatike për ta, nuk arritën dot më shumë se barazimi, duke regjistruar për të parën herë mosmarrjen pjesë të këtij ekipi të madh në një Kampionat Europian.
Për trajnerin gjerman, Helmut Schon kjo ishte: “Dita më e zezë e karrierës. Një ndeshje dhe një rezultat mizor.” Ndërsa lojtari gjerman Bernd Patzke, do të shprehej: “Ajo ndeshje ka hyrë në librat e historisë së futbollit gjerman.”
Krenar për kuqezinjtë e asaj dite, të cilët u dhanë krahë ëndrrave të gjeneratave të mëpasme, për arritje më të mëdha të niveleve europiane. ⚽🇦🇱
Sigal