U dhunua nga policia te Teatri Kombëtar, Këlliçi: Më kapën për fyti, kam pamjet filmike

367
Sigal

Kreu i FRPD, Belind Këlliçi në studion e Abc New foli për dhunën e ushtruar nga policia ndaj këtij të fundit, mëngjesin e 17 majit kur nisi aksioni për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Këlliçi, i cili ka pësuar dëmtime në njërin krah, rrëfen në një intervistë me Endri Xhafon atë që ndodhi atë mëngjes.

Ai shprehet se është dhunuar nga policët, në momentin që ishte duke qëndruar në këmbë. Sipas tij efektivët e policisë e kanë kapur për fyti dhe e kanë shoqëruar.

Këlliçi shprehet se ka bërë kallëzim penal, dhe si provë ka pamjet filmike të dhunës që ka ndodhur.

“Jam me fat që është filmuar e gjitha skena. Edhe sot që flasim nuk e di as vetë çfarë ka ndodhur. Ka qenë absurde. Shoqërimi im është marrë duke ndenjur në këmbë. Kishim shkuar për të ndihmuar disa zonja që ishin rrëzuar. Më kanë marrë fillimisht 5 policë, më kanë kapur për fyti. Jam mbajtur në një dhomë për 6 orë me 9 persona të tjerë. Kam qenë me 10 persona në një qeli.

Kur mësuam se unë do bëja një kallëzim penal më kanë dhunuar. Për fatin tim kanë dalë pamjet filmike dje dhe do i dorëzoj në prokurori. Unë e kam personale me ata policë. Realisht fytyra e policit ka fytyrën e Sandër Lleshajt.

Na kanë marrë pa numër identifikimi me skafandra, në një ditë kur mua më është hequr 2 herë patenta. Na kanë keqtrajtuar me fjalorin më banal.

Në vend që policia të jetë në mbrojtje të qytetarëve ka bërë atë akt brutal, që është i denjë vetëm për Korenë e Veriut. E kam të vështirë të gëlltis këto 48 orët e fundit. Unë kam qenë me kurriz, jam marrë prej fyti. I thoja policit ndalo se vij vetë. E gjithë arsyeja është se këta nuk shkëputem dot nga metodat e dhunës”, u shpreh ai.