Presidenti Meta në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut: Dhurimi i gjakut nga të huajt, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, akt human

279
Sigal

Presidenti Meta në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut: Dhurimi i gjakut nga të huajt, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, akt human, por edhe shprehje e mirënjohjes ndaj mikpritjes tradicionale shqiptare

 Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit vullnetar të gjakut, të organizuar nga një grup shtetasish të huaj, rezidentë në Shqipëri, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Tranfuzionit të Gjakut në Laprakë, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Në këtë seancë, ku mori pjesë Ambasadorja e Suedisë, Sh.S.Znj Elsa Hastad, blogerja dhe gazetarja britanike Alice Taylor, si dhe shumë shtetas të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e tyre, për kryerjen e këtij akti human në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe gjithë të sëmurëve të tjerë, që kanë nevojë për gjak, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Në një prononcim për mediat, në prani të ambasadores Hastad dhe blogeres Taylor, nismëtare e fushatës së sotme, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Shumë faleminderit për këtë akt human, në këtë periudhë të vështirë pandemie, gjatë së cilës dhurimi i gjakut edhe psikologjikisht nuk është i lehtë, por që duhet të bëjmë më të mirën për ta mbajtur të qëndrueshëm garantimin e tij për të gjithë personat, që kanë nevojë, në mënyrë të veçantë për fëmijët talasemikë.

Shumë faleminderit Ambasadore Hastad për gjestin tuaj të madh dhe gjithashtu faleminderit për ndihmën që vendet tuaja po i japin Shqipërisë në këto momente të vështira pandemie, lufta ndaj së cilës është botërore dhe një sfidë, që duhet ta përballojmë të gjithë bashkë në mënyrë të suksesshme.”

E pranishme në dhurimin e gjakut, Ambasadorja e Suedisë, Sh.S.Znj Elsa Hastad, u shpreh:

“President Meta, ju përgëzoj për këtë nismë dhe ju falenderoj. Unë jam këtu sepse e di që Shqipëria ka nevojë për dhurim gjaku.

Edhe Suedia vendi im ka nevojë për dhurim gjaku, sidomos kur ke fëmijë të sëmurë ose kur mund të ndodhë një aksident dhe ke nevojë për gjak urgjentisht.

Dua t’i inkurajoj të gjithë se, të dhurosh gjak merr vetëm 10 minuta, ju ndiheni më mirë më pas por gjithashtu shpëtoni jetë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë jam këtu për të inkurajuar të gjithë që të dhurojnë gjak.”

Ndërsa, gazetarja dhe blogerja Alice Taylor, organizatore e nismës së sotme për dhurimin e gjakut, u shpreh: “Në shenjë falenderimi për mikpritjen e shqiptarëve, është më e pakta, që ne mund të bënim për ta.

Dua të inkurajoj të gjithë të huajt në Shqipëri, që të dhurojnë gjak, por edhe shqiptarët, sepse ky është një akt human, që shpëton jetë.”