Prof. Dr. Bajram Hysa: Nga demokracia në kleptokraci

838
Sigal

 

 

Qeveria Rama, e dërrmuar nga paaftësia dhe kleptokracia, pa asnjë përgjegjësi për administrimin dhe shpërndarjen e prodhimit, nuk ka asnjë plan afatshkurtër apo afatgjatë ekonomik drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, por qeverisjen ia ka lënë në dorë PPP-istëve  dhe koncensionaristëve

 

Që nga kohët paleolitike njeriu e ka përmirësuar ekonominë e vet me anë të tregtisë. Qeveria ka për detyrë të ndërmarrë një varg të gjerë veprimtarish për të nxitur tregtinë dhe biznesin privat. Por tek ne autoritetet politike qeveritare e kanë sakatuar e margjinalizuar biznesin privat, pasi e kanë tepruar me lakminë e tyre, duke përvetësuar arbitrarisht atë pjesë  të prodhimit të përgjithshëm ekonomik që kanë dëshiruar, duke rritur kostot dhe duke sjellë çrregullime të rënda në sektorin ekonomik.

Biznesi dhe iniciativa private nuk kanë ecur në shinat e duhura, sepse shteti dhe qeveria ka përdorur monopolin e forcës dhe nuk kanë garantuar përfitimet e kostot e veprimtarive ekonomike. Njerëzit investojnë në ndërmarrje të shtrenjta, ose në ekonomi të vogla familjare, pa qenë të sigurtë nëse frytet e investimit do të shkojnë në dobi të tyre. Shteti  në këto 30 vjet nuk ka garantuar as të drejtat natyrore të pronës, si një e drejtë njerëzore dhe kushtetuese bazë. Nëpërmjet monopolit të forcës organet qeveritare ndryshojnë herë pas here sistemin fiskal, por nuk ndërmarrin masa nxitëse për  ekonominë dhe inovacionin, dhe si pasojë vënë në vështirësi mbijetese mjaft biznese të vogla apo të mesme.

Një zhvillim i tillë kaotik e informal i ekonomisë, nuk ka kurrfarë garancie. Sektori privat nuk ofron të njëjtat shanse si në vendet evropiane, madje as nuk u afrohet standarteve të tyre.

Prandaj pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe e njerëzve të aftë për punë, të imponuar nga rrethanat, kanë hequr dhe vazhdojnë të heqin dorë nga karriera në biznes dhe sipërmarrje, dhe luftojnë për t’u punësuar në shtet.

Ky grupim dalëngadalë rritet aq shumë, sa shndërrohet në një “masë elektorale amorfe”, pa ngjyrë, për të lëkundur balancat e pushtetit, madje edhe për të sjellë dominimin e njërës apo tjetrës forcë politike.

Kështu ka lindur ineptokracia, sistem qeverisjeje ku më pak të aftët për të udhëhequr zgjidhen nga më pak të aftët për të prodhuar.

Në këtë lloj sistemi anëtarët e shoqërisë, në këtë rast jo vetëm militantët, shpërblehen nga shpërdorimi i pasurisë publike, nga PPP-të dhe koncensionet, apo nga shtrëngimet nga ana e pushtetit shtetëror  për të shtënë në dorë prodhimin e sektorit ekonomik, për të shtuar zhvatjen e të ardhurave përtej nevojave për shpenzime shërbimi publik, pa marrë parasysh se me këto veprime i kushtëzohen hapësirat prodhimit, gjë që teorikisht mund të çojë deri atje saqë  i gjithë prodhimi të merret nga ata që kanë monopolin e forcës shtrënguese.

Kjo ka ndodhur në Shqipëri, ku prodhimi ka zbritur në seri, po ashtu edhe të ardhurat, duke krijuar një kaos politik e shoqëror, që ka sjellë krizën më të rëndë të sistemit.

Jetojmë në një shoqëri gati totalitare ku njerëzit e thjeshtë kanë po ato mundësitë e vjetra për të rezistuar: me anë të emigracionit masiv, informalitetit, shmangies nga taksat, kontrabandës, tregjeve të zinj dhe të tjera mënyra të ngjashme. Kushtet modeste te kulturës, rrethanat mjaft të këqija ekonomike, kushtet e papërshkrueshme sociale, i heqin këtij populli madje edhe forcën për të reaguar.

Pikërisht tek varfëria e kanë burimin arsyet e indiferencës së shoqërisë shqiptare ndaj padrejtësive sociale, ekonomike dhe politike,  fenomen që reflektohet në të gjitha sferat e jetës.

Qeveria mburret se ka ulur poshtë minimumit tatimet mbi sektorin ekonomik, ose i ka hequr fare, por këto janë argumenta politiko- elektoralë që do tingëllonin absurde në një rend të vërtetë demokratik me ekonomi reale tregu. Detyra e qeverisë  është për të çuar përpara mirëqënien ekonomike, për të financuar dhe organizuar funksionet tradicionale të qeverisjes, pa shkatuar dëme në sferën ekonomike dhe politike. Në vendin tonë nuk reflektohet asnjë ndarje punësh mes udhëheqësve politikë dhe ekonomikë. Qeveria Rama, e dërrmuar nga paaftësia dhe kleptokracia, pa asnjë përgjegjësi për administrimin dhe shpërndarjen e prodhimit, nuk ka asnjë plan afatshkurtër apo afatgjatë ekonomik drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, por qeverisjen ia ka lënë në dorë PPP-istëve  dhe koncensionaristëve.

“Përmirësimi i institucioneve, infrastrukturës dhe sundimit të ligjit janë të nevojshme për të siguruar një klimë konkurruese biznesi”, ka pohuar së fundi shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun. Përkundrazi, qeveria ka krijuar situata monopoliste në treg dhe i mbron me forcë monopolet. Ndërsa Colangeli i BERZH rekomandon: “Në terma të politikave makroekonomike afatgjata, lufta ndaj informalitetit dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë bizneset janë ndër masat më të rëndësishme për t’u marrë, së bashku me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rritjen e kapaciteteve në administratën publike dhe titujve të pronësisë”.

Forcat politike kanë filluar të artikulohen për zgjedhjet e 25 prillit dhe ndryshimet që priten të ndodhin, por nuk shohim asnjë evolucion drejt koncepteve të reja të jetës politike për ndryshimin e këtij sistemi, i cili bazohet në grupe politike me interesa të përbashkëta, të cilat thjesht këmbejnë vendet në pushtet, pa evoluar drejt një koncepti të ri të jetës politike dhe të funksionimit të ekonomisë. Ajo forcë politike që vjen në pushtet në Shqipëri nuk mund të thuhet se ka dominuar me alternativat e  saj. Por duke fituar epërsinë mazhoritare me anë të masës elektorale amorfe, ajo është në gjendje të fitojë edhe të drejtën për t’i vënë taksa pjesës tjetër të shoqërisë. Dikush e quan këtë sistem vlerash, meritë elektorale, por ai është thjesht “koalicion i  grupeve të interesave të përbashkëta” që, po të gjykohet me qetësi, është jashtë sistemit të vlerave të një demokracie të vërtetë e reale, kalim nga demokracia në kleptokraci, pra në qeveri hajdutësh.