Presidenti Meta: Kurrë nuk zgjedh pushtetin personal para integrimit europian, ndaj u prisha me Nanon

270
Sigal

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Televizionin “Klan”

 Presidenti Meta: Kolegjialiteti dhe demokracia e brendshme, vlerat që u shkatërruan në PS

Pyetje: 23 vjeç deputet, 30 vjeç Kryeministër, 48 vjeç President i Republikës, duket një karrierë  në moshë shumë të re. Kur e keni takuar për herë të parë Fatos Nanon?

Presidenti Meta:  Me Fatos Nanon, edhe pse në një lloje distance jemi njohur,  kur ka qenë në Fakultetin e Ekonomisë, ku zhvilloheshin takimet e drejtuesve të Partisë së Punës, me studentët. Ai ka qenë nja dy herë përpara Dhjetorit ‘90 në Fakultetin tonë, që shoqëronte Avdyl Backën që ishte Sekretar i Komitetit Qendror. Por,  edhe një herë tjetër ngaqë ishte ekonomist edhe mbulonte Fakultetin tonë.

Pyetje: Çfarë qëndrimi mbante Nano në këto takime?

Presidenti Meta: Në këto takime nuk e mbaj mend të ketë qenë aktiv sepse rolin kryesor e luante i deleguari i Komitetit, mendoj që më shumë ka qenë si vëzhgues.

Pyetje: Po takimi Juaj i parë me të, si deputet i Partisë Socialiste kur ka ndodhur, ose si kandidat?

Presidenti Meta: Ne jemi takuar me të përpara se unë të isha deputet, besoj në kuadër të takimeve që bënin drejtuesit e FRESSH-it, tre muaj para zgjedhjeve. E kam shoqëruar në disa takime para zgjedhjeve të 22 marsit në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Pyetje: A kishte Nano një filozofi ndryshe, për Partinë Socialiste në raport me atë që lindi nga partia e Punës?

Presidenti Meta: Unë besoj që ishte një klimë krejt tjetër në Partinë Socialiste në atë kohë. Kishte shumë kolegjialitet dhe Nano ishte pjesë e kësaj fryme.

Kishte shumë intelektual të njohur, edhe të spikatur si për shembull Xhevat Lloshi, Et’hem Ruka, Maqo Lakrori, Ermelinda Meksi, Mojkom Zeqo dhe shumë të tjerë.

Pyetje: Që vinin me një statur profesionale të njohur..!

Presidenti Meta: Ishin njerëz larg burokracisë partiake. Pra, kishin ca koncepte të tjera, moderne dhe të hapura,  edhe vetë Nano ishte pjesë  e kësaj fryme.

Pyetje: Raportet tuaja me Nanon…. në pothuajse 20 vite të paktën, 15 vjetët e para kanë qenë shumë kontradiktore..!

Jeni zgjdhur nënkryetar i Partisë Socialiste,  kur ai ka qenë kryetar. Jeni përballur po themi me mbështetësit e tij, diku jeni afruar diku jeni larguar me të. Çfarë nuk ka funksionuar në raporti Tuaj me Nanon?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ka qenë çështje e raporteve personale. Gjithmonë kemi bashkëpunuar, apo kemi pasur debate për çështje të ndryshme.

Unë besojë se në fund të ditës sjellja ime ndaj tij, si ndaj gjithë të tjerëve ka qenë shumë korrekte.

Pyetje: Përse u thyet me Nanon përfundimisht në vitin 2004? Ishte i parikuperueshëm,  një raport i Juaj brenda PS-së?

Presidenti Meta: Unë e kam bërë të qartë këtë gjë, thyerja jonë erdhi për arsye sepse Nano për arsye nga më të ndryshmet, nuk besoj që sot këtu  është vendi  për t’i analizuar, humbi përkushtimin që duhej për integrimin europian të vendit.

Ne bëmë një marrëveshje, ai u bë Kryeministër, kurse unë Zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm.

Pyetje: Edhe pse kishit numrin më të madh të votave në Parlament…!

Presidenti Meta: Presidentin vendosëm t’ia jepnim, ose ta vendosnim me Partinë Demokratike. Pikërisht,  për të zhbllokuar atë ngërç që u krijua për çështjen e integrimit të vendit dhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe unë do të ndiqja marrëveshjen.

Por, sapo marrëveshja u hap mbas kësaj zgjidhje që u bë, ku kuptohet, që unë mendoj se luajta rol kryesor, qeveria nuk po përmbushte ato angazhimet që duhet të përmbushte, për sa i takonte integrimit europian të vendit, nuk po bënte ato reforma që duhet të bënte.

Pyetje: Ishte i tensionuar takimi Juaj i fundit me Nanon?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ishte shumë i tensionuar, pasi unë kam qenë i qartë në mënyrë të vazhdueshme për gjërat që duhet të bëheshin.

Pyetje: Përse e refuzuat një marrëveshje që Nano,  mund të bëhej President dhe ju të merrnit kryesimin e Partisë Socialiste dhe të bëheshit Kryeministër? Kjo është një marrëveshje që ju ofrua dhe ishte lehtësisht e mundshme…!

Presidenti Meta: E di, por kjo do të penalizonte integrimin europian të Shqipërisë. Ishte paralajmëruar qartë në një rezolutë nga Parlamenti Europian, se zgjedhja e Presidentit nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme, për shkak të Dushkut, do penalizonte integrimin e Shqipërisë.

Ju, e mbani mend do të ishte një problem serioz i legjitimitetit të këtij institucioni nga Bashkimi Europian. Sepse ishte prekur, ishte bërë një faull,  për të cilin mazhoranca do të merrte përgjegjësit e saj.

 

Pyetje: Po thoni që integrimi europian ishte më i rëndësishëm për Ju? Sesa karriera si kryeministër, si drejtues i Partisë Socialiste..!

A ka luajtur një rol Edi Rama në atë kohë në përplasen mes Jush dhe Nano-s?

Presidenti Meta: Këtë nuk mund ta them, po nuk ishte kjo e rëndësishmja.

E rëndësishme për mua ishte që ne,  të ecnim sa më shpejt në atë proces. Unë i kisha kushtuar gjithë energjitë e mia, gjitha pasionin tim. Nuk mund të merrja përsipër që për hir të pushtetit tim, apo të forcimit të pushtetit tim,  të ngrinte një proces që ishte jetik për vendin.

Pyetje: Dhe sot zoti Meta, kur Nano  nuk është më aktiv në politik si do ta përcaktonit Ju?

A i vini dot një kategorizim ose një përcaktim gjithë karrierës së Tij në politikën shqiptare dhe rolet që ai, ka luajtur?

Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të bëja një vlerësim të tillë, sepse mund të akuzohesha dhe për konflikt interesi. Në kuptimin që është një figurë politike me të cilin kemi pasur raporte të ndryshme, apo dhe debate.

Pyetje: I zhveshur nga emocionet e asaj kohe.

Presidenti Meta: Unë mendoj,  që nëse ai do të kishte pasur më shumë vullnet dhe do të kishte dashur t’i dëgjonte të vërtetat më shumë, padyshim,  që do të kishte pasur një kontribut shumë herë më të madh në historinë e vendit.

Shqipëria sot do të ishte në një situatë krejt tjetër, në raport të paktën me Bashkimin Europian.

Është i padiskutueshëm roli i tij në hapjen e Partisë Socialiste në vitet e para…!

Pyetje: Përfshirë edhe elementet e rinj….!

Presidenti Meta: Edhe në qëndresën që ka mbajtur gjatë periudhës të burgut politik, edhe me mbrapa ka bërë përpjekje pozitive për të ndihmuar në zgjidhjet politike, kanë qenë vitet të vështira. Por, mendoj që në vitin 2004 dhe në vitin 2005, u dha tërësisht mbas pushtetit dhe ky besoj ishte gabimi i tij kryesor.

Pyetje: Duke iu rikthyer fillimeve Tuaja në Partinë Socialiste. A kishte ndikim Ramiz Alia,  në Partinë Socialiste në atë kohë?

Presidenti Meta: Nuk mund ta them këtë gjë. Unë, nuk isha aq i brendshëm në PS,  në ato momente.

Por, ajo që mund të them me bindje të plotë është që fryma e kolegjialitetit ishte shumë e fortë në Partinë Socialiste.

Ishte aq e fortw, sa dhe për të bërë një deklaratë në shtyp, për një çështje të rëndësishme kishte diskutime.

Mblidhej kryesia,  vinte dikush me projekt-deklaratën  e lexonim të gjithë dhe bëheshin vërejtje, apo jepeshin mendime.

Për të mos folur pastaj për listat e deputetëve, apo për zgjedhjet, ishin shumë konkurruese në atë kohë në Partinë Socialiste.

Pra, nuk mund të themi që ndikonte ky njeri, ka pasur raste për shembull në vitin 1996 dhe në vitin 1997,  pasi Nano ka dal nga burgu. Emri i tij ishte shumë i madh, shumë i rëndësishëm edhe imponues, dhe kur Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, ka përmbysur listën e deputetëve që ai ka paraqitur..!

Pyetje: Që i ka sjell Nano?

Presidenti Meta: Dhe ai ka sjell listë tjetër, ku nuk ishin përfshirë shumë figura të Partisë Socialiste dhe mbas debateve të forta është ndryshuar lista.

Pyetje: Kam përshtypjen zoti Meta se  politika sot,  vendoset më shumë nga kryetarët. Sidomos pas ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2008.

Presidenti Meta: Ato ndryshimet e vitit 2008,  e vranë shumë parlamentarizmi dhe demokracinë.

Pyetje: Edhe kolegjialitetin.

Presidenti Meta: Demokracinë dhe gjithçka. Kolegjialiteti është edhe tregues i demokratizimit të një shoqërie,  apo të një strukture politike.