Presidenti Meta dekoron Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu” me Titullin “Naim Frashëri”

373
Sigal

Presidenti Meta dekoron Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu” me Titullin “Naim Frashëri”: Rol të pazëvendësueshëm për transmetimin e vlerave dhe traditave kulturore kombëtare tek brezat e rinj

 

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”, me motivacionin “Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet  tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

 

Po ashtu Kreu i Shtetit dekoroi presidentin e Ansamblit dibran me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Muharrem Gjoka, me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare,  veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit.”;

si dhe koreografin e shquar Avni Ndreu Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.

 

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh:

 

“Po bëhet gati një vit, që nga festa e bukur e Kuvendit në Zall-Dardhë të Dibrës, në atë atmosferë të jashtëzakonshme që përjetuam, ku pata kënaqësinë të shikoja më nga afër, talentin e jashtëzakonshëm, por edhe masivitetin e pabesueshëm të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave të talentuar, në atë amfiteatër natyror, buzë lumit Drin.

Edhe pse vlerësuam shumë  figura dhe personalitete të shquara të artit dibran, ende i mbetemi shumë borxh kësaj treve që prodhon art të jashtëzakonshëm dhe e promovon atë me shumë pasion kudo, në skenat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të nderosh artin dhe njerëzit, që e krijojnë atë, që kontribuojnë kaq shumë, është jo vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi e veçantë. Folklorin, këngën dhe vallen, Dibra i ka në genet e saj, siç ka patriotizmin dhe besnikërinë ndaj Atdheut.

 

I ka ato si një pasuri të patundshme, ku dallon tradita e një vendi, djep të artit, siç është Zall-Dardha, që ka nxjerrë plejada të shumta artistësh.

 

Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu.

Avni Ndreu është nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës prej shumë dekadash në krye të këtij ansambli, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta.

 

Talenti i tij si koreograf, valltar e poet si dhe  aftësitë e tij artistike organizuese i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.

 

Të nderuar miq, prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, është një tjetër emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot është president i këtij ansambli, ish-valltari virtuoz, një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar edhe me Titullin ‘Nderi i Qarkut Dibër’,  zoti Muharrem Gjoka.

 

Roli i tij është i padiskutueshëm si artist dhe si njeri me zemër të madhe, me një kontribut më shumë se 50-vjeçar, duke gëzuar respektin e merituar në shoqëri, edhe si një humanist.

 

Sot ne dekorojmë edhe vetë ansamblin me emrin e pavdekshëm ‘Hazis Ndreu’, këtë grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

 

Më lejoni t’ju uroj për këtë ditë të veçantë në jetën tuaj, por edhe t’ju përgëzoj për atë rol të pazëvendësueshëm që keni luajtur dhe vazhdoni ta bëni, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë!

 

Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin ju e keni kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri!

 

Ju uroj krijimtari të pafundme dhe përfaqësim sa më dinjitoz, kudo si gjithmonë!”