Ligji për universitetet, si “statuti” dhe programi i “Coza Nostrës”

588
Janë disa institucione shtetërore, për të cilët shteti jep autonomi të plotë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, duke u lejuar të vetë-vendosin e të mos japin llogari përpara institucioneve që kanë detyrë kontrollin e zbatimit të ligjit, por sipas ligjit për arsimin e lartë, kanë të drejtën të japin llogari vetëm përpara… vetes! Pra, vetë vendosin, vetë vulosin, vetë firmosin dhe vetë kontrollohen! Kjo autonomi absurde, që është vetë-administrim dhe vetë-komandim i plotë me ligj, vepron në Universitetin Shtetëror dhe universitetet “bija”. Çfarë bëhet në universitet, nga kupola qendrore dhe nga kupolat e universiteteve në Tiranë e në rrethe? Si funksionojnë këto struktura drejtuese? Nga cilët individë komandohen e përbëhen? A ka lidhje niveli i dobët i përqindjes më të madhe studentëve dhe falsiteti i notave e diplomave, me nivelin e ulët profesional dhe me korrupsionin në “sintoni” të pedagogëve e drejtuesve? A bëhet kontroll mbi veprimtarinë e tyre? A është testuar psh., një rezultat provimi, apo një diplomim vjetor e një mastar, apo një titull e gradë shkencore? A testohen profesionalisht pedagogët? Si bëhen emërimet dhe zgjedhjet në universitete, fakultete, departamente, katedra, senate e këshilla studentorë! Cilët zgjidhen? A ka freskime e rifreskime në krye të strukturave drejtuese të universitetit? A ka nepotizëm e klientelizëm në punësime e emërime? A lejon ligji “përjetshmërinë” e tyre në poste, duke shkëmbyer kolltukët në çdo 4 e 8 vite me njeri-tjetrin? Sa janë financimet vjetore nga shteti dhe të ardhurat nga taksat e studentëve? Si menaxhohen e konsumohet këto fonde? Çfarë është në fakt Ligji për Arsimin e Lartë Nr. 80/2015, datë 22.7.2015 dhe me cilin “dokument” nga bota e krimit, ngjason pothuajse “pikë për pikë” ky ligj, për nga mënyra e organizimit dhe funksionimit?
Ku shkojnë 50 milionë euro që jep shteti dhe 59 milionë euro “tarifa”, që u zhvaten studentëve?
Sipas letrave, rezulton se universiteti shtetëror përfiton çdo vit 50 milionë euro nga buxheti i shtetit. Po kështu “korr” e grumbullon edhe mbi 56 milionë euro në vit, të ardhura nga pagesat e detyrueshme që bëjnë studentët sipas tarifë-vendimit të kupolës së universitetit për regjistrim në shkollën e lartë e për pagesë masteri, apo shpenzime të tjera shërbimesh që studentët i bëjnë me pagesë në llogarinë e universitetit! Shuma totale vjetore që “gllabëron” universiteti është 106 milionë euro, ose sa buxheti i 39 bashkive të Shqipërisë! Si shpenzohet kjo shumë? Përgjigja është kjo: Ndahet në “thela” për universitetet “bija” dhe për infrastrukturë zyrash, veprimtari shkencore e shërbime ndaj studentëve! Që këto ndahen nëpër universitete, dihet. Por që këto miliona të përdoren për shërbime ndaj studentëve, kjo nuk ndodh. Pse? Sepse, për të marrë një vërtetim, duhet të paguash një tarifë me vlerë 200, 300 e 500 lekë! Që të marrësh librezën e notave duhet të paguash. Që të marrësh kartonin e diplomës, duhet të paguash? Që të regjistrohesh në master, duhet të paguash afërsisht aq sa ka pagën ministrja e Arsimit! Që të shkosh në një ekspeditë, përsëri duhet të futësh lekë “nga xhepi” për ushqim e fjetje, aq sa edhe dietat “thërrime” nuk u jepen? Që të blesh libra, leksione e dispensa, madje edhe që të marrësh kalendarin e printuar të datave të provimeve, duhet të paguash në sekretari! Çfarë horrllëku financiar, bëhet në universitete?! Studenti paguan regjistrimin e çdo viti dhe shuma shkon në 56 milionë euro në vit të ardhura për universitetin! Dhe studentët, detyrohen t’i blejnë librat dhe shtojcat e tyre, leksionet e vërtetimet, diplomat dhe librezat e notave! Pse? Sepse kështu e kanë bërë rregulloren pazarxhinjtë dhe “agallarët” që drejtojnë universitetin e universitetet, duke abuzuar me autonominë ligjore! Kur studenti, duhet të blejë çdo shërbim me lekë, atëherë përse e paguan taksën e majme për regjistrim vjetor dhe për masterin? Ndoshta libri mund të shitet, por vetëm me 5 e 10% të çmimit e jo me atë çmim që e kanë vendosur autorët, të cilët janë profesorët dhe shitësit e këtyre librave! Një pyetje mund të bëhet: A verifikohet kostoja e librit universitar dhe a përputhet çmimi me fitimin normal ligjor? A tatohen këto libra të profesorëve? A verifikohen nëse janë “prodhim” i tyre, apo kopje e librave të profesorëve të huaj? A verifikohet niveli i tyre shkencor, nëse është i saktë e bashkëkohor? 
Bibliotekat dhe sekretaritë, “tezgat” ilegale ku shiten librat e profesorëve
Gazeta “Telegraf”, për të verifikuar konkretisht denoncimet që kanë ardhur në redaksi për skandalin e shitjes së librave me autorësi të profesorëve të universitetit, shkoi në disa prej universiteteve dhe kërkoi të blinte libra të disa lëndëve. Pasi pyetëm se ku mund të blinim libra, na adresuan tek bibliotekat dhe sekretaritë. Pasi paguam, morëm librat, por bibliotekaret dhe sekretaret, na kujtuan me “dashamirësi” se duhej që të shkonim tek pedagogët autorë të atyre librave, për t’u marrë autografin, si shenjë treguese që e kishim blerë librin, ndryshe nuk e merrje dot provimin dhe nuk futeshe në provim! Natyrisht këtë nuk e bënin të gjithë pedagogët autorë librash, por një “çetë” e mirënjohur kapadainjsh e batakçinjsh në fakultete, madje edhe drejtues në rektoratin qendror e në rektoratet dhe fakultetet e universiteteve të tjerë. Është kthyer në “modë” e detyrim, ky skandal. Studentët duhet të blejnë librat që kanë për autorësi pedagogët e lëndëve, ose miqtë e tyre, ndryshe, nëse nuk futen në provim me librin në dorë, nuk marrin notë kaluese, ose nuk u vihet nota që meritojnë! Fakti është ky: Librat mësimor në universitete, në masën 90% janë botime me autorësi të profesorëve, në bashkë-autorësi, ose me autorë familjarët dhe miqtë e tyre jashtë universiteteve, disa edhe ministra, politikanë e diplomatë dhe blihen nga studentët me një “dhunë të heshtur”, që diktohet nga profesorët e që nuk frenohet nga rektorati i universitetit. Për më tepër, që nuk goditet nga shërbimi i anti-krimit ekonomik, paçka se shumë prej specialistëve të hetimi janë edhe vetë studentë për fakultet të dytë e të tretë. pse sepse kështu e përcakton ligji, që pa ankim nga drejtuesi i universitetit, anti-krimi nuk ka të drejtë të futet për veprime në universitet, fakultet, apo dekanat!
Ligji për universitetet, si “statuti” dhe programi i “Coza Nostrës”
Në Shqipëri u shfuqizua ligji Nr. 9741, datë 21.5.2007 “për arsimin e lart”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9832, datë 12.11.2007 e me Ligjin Nr. 10307, datë 22. 7. 2010 dhe u hartua e miratua me urgjencë një ligj tjetër “rilindës” për botën universitare! Qysh prej 1 viti është në fuqi dhe zbatohet Ligji Nr. 80/2015, datë 22.7.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Për këtë ligj u bë shumë debat jo vetëm pozitë-opozitë, por pati kundërshti të shumta e të forta argumentuese edhe prej profesorëve, ekspertëve, akademikëve e specialistëve të arsimit, mbasi ky ligj lejon krijimin e klikave klienteliste e familjare në krye e në stafet brenda universitete, krijon sundimtarë të përjetshëm në krye të universiteteve, këshillave, fakulteteve, bordeve, departamenteve, katedrave, senateve, sekretarive, zyrave të financave, zyrave të prokurimeve e në krye të çdo lloj strukture tjetër, duke krijuar kështu lirinë për të abuzuar e për të mos u prekur as nga ligji e as nga njeri-tjetri e në raste të zëra kundër jashtë tyre, me “votim” të klikës, bëhet “eliminimi” nga universiteti! Këtë fuqi për t’u bërë e mbetur “sulltan” i përjetshëm në krye të universitetit e fakultetit, të senati e dekanatit, këtyre individëve ua jep ligj për arsimin e lartë, i miratuar nga “rilindja” me një grup konfidencial dhe të interesuar për të pasur në fuqi një ligj të tillë. Por ky ligj, ngjason me “statutin” dhe programin e “Coza Nostrës”. Konkretisht, në familjen mafioze “Coza Nostra” drejtuesit zgjidhen me rotacion, nga çdo familje e grupit. Një anëtar i grupit “Coza Nostra” del nga grupi vetëm kur vdes. Dhe kur vdes, zëvendësohet me një anëtar tjetër të familjes. Grupi “Coza Nostra” freskohet me anëtarë të rinj, po nga familjet e grupit, të cilët bëhen pjesë e kupolës drejtuese! Grupi “Coza Nostra” i zgjedh vetë anëtarët dhe i ndanë të mirat materiale me votim unanim. Kush shkel statutin e grupit, del nga grupi me asgjësim fizik, ose me kërcënim për mbyllje goje! Kështu përcakton edhe ligji për arsimin e lartën në Nenin 3 për lirinë ekonomike, për autonominë financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelin mësimor e administrativ, për të administruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që zotëron. Kështu përcakton edhe Neni 64, për punësimi i personelit akademik. ndaj ndodh që universitete janë mbushur me drejtues të përjetshëm që ndërrojnë postet drejtuese, me profesorë me lidhje familjare. me pedagogë fëmijë, mbesa, gra, nuse, kunetër të drejtuesve të profesorëve të cilët u lirojnë vendet kur dalin në pension! 
Denoncime të bëra në “Telegraf” 
Studentëve ekselentë u ulet nota, për të promovuar të përzgjedhurit e drejtuesve
Tek fakulteti i Historisë në UT, ka studentë ekselence që vijnë nga fakultetet e rretheve dhe qe realisht zotërojnë dije te jashtëzakonshme për degën në të cilën studiojnë, por që me “urdhër nga lartë”, këta studentë nuk duhet të vlerësohen me notë 10, sepse baraz-vlerësohen me studentë të tjerë që janë të përzgjedhurit e pedagogëve e që duhet të jenë të parët në vlerësim. Pra, kjo mënyrë e mosdhënies se hakut të studenteve nga pedagoget, bëhet me qellim që të mos dalin studentë ekselentë njerëz jashtë rrethit familjar e jashtë preferencës se pedagogeve. Këtu del qartë, se vendin e studentëve ekselentë e zënë studentet injorantë që janë paracaktuar nga pedagoget dhe drejtuesit e UT. Këto, ndoshta duken gjëra te vogla, por që në të vërtetë, pas këtyre gjërave në dukje të vogla, fshihet një mega-skandal në UT.
——————- 
Denoncim nga Politekniku

Profesori A.SH, u shet librat studentëve me autografin e tij të detyruar evidentues, thuhet edhe provimet!
Një rast tipik i abuzimit të profesorëve me librat dhe provimet e studentëve, flet për qëndrimin skandaloz të lirshëm të një profesor “veteran” e tashmë pensionist në Universitetin Politeknik të Tiranës! Sipas denoncimit të ardhur në “Telegraf”, profesori A.SH është autor i 12 librave universitar. Studentët, detyrohen t’i blejnë librat e tij dhe për të bindur profesorin A.SH e për t’u verifikuar që i kanë blerë, profesori ASH vepron kështu: I çon librat në bibliotekë, për t’ia shitur në punonjësve e besuar e tij, që në rastin konkret luan edhe rolin e sekseres për provimet. Pas i blejnë librat, studentët, dërgohen tek profesori A.SH për të marrë prej profesorit autografin e tij konfirmues të blerjes së librit, në fund të ët cilit shënohet edhe emri i studenti, me qëllim që libri të mos përdoret si “i blerë” nga studentët të tjerë. me këtë libër të “legalizuar” nga profesori, studenti futet në provim duke ia treguar faqen e parë me shënimin profesori, për të cilin thuhet se këtë procedurë e shoqëron edhe me një çmim tjetër për marrjen e provimit, sipas nivelit të notës!
Sigal