Presidenti i zyrës Supreme të auditimit të Sllovakisë viziton KLSH

648
Sigal
Në datën 19 tetor 2017, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, z. Karol Mitrik zhvilloi një takim pune me Kryetarin e KLSH z. Bujar Leskaj në mjediset e KLSH. Zyra e Auditimit Suprem të Sllovakisë është një nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) moderne të Evropës, e cila e ka konsoliduar identitetin e saj dhe kontributin në auditimin evropian sidomos gjatë dy dekadave të fundit, pas themelimit të Republikës Sllovake në vitin 1993 dhe anëtarësimit të Sllovakisë në Bashkimin Evropian në vitin 2004.
Presidenti i SAI-t Sllovak falënderoi z. Leskaj për organizimin e Takimit të 15-të Vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit dhe nënvizoi rëndësinë e auditimit të mjedisit dhe zbatimit të rekomandimeve të tij në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve evropiane dhe të të gjithë planetit. Zoti Mitrik bëri gjithashtu një parashtrim të mënyrës së funksionimit dhe të punës audituese të SAI-t Sllovak.
SAI Sllovak ka së fundmi në strukturën e tij edhe Departamentin Analitik, në të cilin punojnë persona shumë të kualifikuar. “Puna e kësaj strukture ka qenë shumë dobiprurëse për ne, pasi analizat e thella dhe cilësore të saj kanë rritur efektivitetin e punës së institucionit tonë”, theksoi Mitrik.
Kryetari Leskaj u shpreh i bindur se eksperienca e auditimeve të një SAI të një vendi të zhvilluar evropian si Sllovakia do të ishte një vlerë e shtuar për audituesit shqiptarë. Presidenti i SAI-t Sllovak u shpreh i gatshëm që të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi me KLSH-në dhe ftoi z. Leskaj që të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit, i cili do të zhvillohet gjatë vitit 2018 në Sllovaki. Presidenti Mitrik në këtë takim shoqërohej nga z. Ľubomír Andrassy, Drejtor i Përgjithshëm në Zyrën e Auditimit Suprem të Sllovakisë.
KLSH ka nënshkruar deri tani 15 marrëveshje bashkëpunimi me institucionet homologe evropiane .
NOA