Presidenti i Republikës Prof. Bajram Begaj pritet në takim nga kryeministri kroat Plenkoviç dhe kreu i Parlamentit të Kroacisë: Diskutime për projekte strategjike, mardhëniet dypalëshe dhe ato rajonale

104
Sigal

 

Pasi e uroi Kryeministrin Plenkoviç, për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, Begaj nënvizoi se, Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

 Në kuadër të vizitës shtetërore në Kroaci, Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi një drekë pune me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Pasi e uroi Kryeministrin Plenkoviç, për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, Begaj nënvizoi se, Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë.

Duke iu referuar partneritetit strategjik midis dy vendeve, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik.

“Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive, që ekzistojnë në këtë drejtim”,- u shpreh Presidenti Begaj.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare, që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë.

Kryeministri Plenkoviç e siguroi Presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.

Ndërsa në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu kontributin dhe mbështetjen e madhe që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Kroacia dhe Qeveria juaj kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe ju siguroj se shqiptarët janë mirënjohës për këtë mbështetje”, nënvizoi Presidenti Begaj.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te ndikimi i këtij agresioni në rajonin e Evropës Juglindore apo rreziku që kanoset nga interesi i palëve të treta jo miqësore për të nxitur trazira dhe për të dëmtuar stabilitetin e rajonit.