Premtimet mbeten rrugëve. Aeroporti i Kukësit fluturime me ‘pikatore’ edhe në muajin maj

186
Sigal

 

 

Aktualisht në këtë aeroport operon vetëm një kompani fluturimi me dy destinacione dhe figurojnë vetëm 2 udhëtime në javë. Ndërkohë destinacionet e deklaruara nga kryeministri Rama që do të shtoheshin në muajin maj drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës me kompaninë low cost ende nuk kanë nisur operimin.

 Thuajse një vit nga përurimi i Aeroportit të Kukësit, kryeministri Rama deklaroi se në muajin maj 2022 do të nisnin fluturimet e një kompanie low cost me disa destinacione. Në këtë aeroport aktualisht operon vetëm kompania Air Albania, me dy destinacione dy herë në javë, me çmime të arsyeshme, siç konfirmojnë pasagjerët. Mes mungesës së herëpas’hershme të fluturimeve, sidomos në dimër, bizneset që operojnë pranë aeroportit dëshmojnë se punojnë me ndërprerje dhe mezi presin nisjen e operimit të kompanisë low cost që pritet të sjellë shtimin e destinacioneve dhe klientët.

“Kukës – Një kompani low cost do të ulë avionët e saj në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED – Flatrat e Veriut”, për të nisur në maj operimin e pandërprerë, me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në shkurt të këtij viti duke përcaktuar muajin maj si afat për shtimin e destinacioneve të reja nga aeroporti i Kukësit.

Ky aeroport nisi fluturimet në korrik të vitit 2021 dhe ishte funksional deri në tetor të vitit që lamë pas. Rreth 4 muaj pasi qëndroi funksional, fluturimet në aeroportin e Kukësit u ndërprenë duke u shoqëruar me deklarata të ndryshme, që premtonin muaj pas muaji rinisjen e tyre me disa destinacione.

Në datë 9 maj Faktoje i dërgoi një kërkesë aeroportit të Kukësit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me situatën e fluturimeve. Ndër të tjera ne kërkuam të mësojmë se kur do të nisin fluturimet nga aeroporti i Kukësit, cilat kompani ajrore operojnë në këtë aeroport dhe cila është arsyeja që ky aeroport nuk pati fluturime gjatë periudhës së dimrit. Ende nuk kemi marrë një përgjigje nga institucionet e mësipërme.

Në datë 10 maj, ne shkuam në aeroportin e Kukësit për të parë nga afër situatën. Punonjës të këtij aeroporti tregojnë për Faktoje se fluturimet kanë rreth 1 muaj që kanë rinisur, në 2 destinacione dhe me frekuencë vetëm dy herë në javë. Ata theksojnë se aktualisht nuk po operojnë me kompaninë low cost siç deklaroi kryeministri dhe se premtimi për shtimin e destinacioneve të reja, pritet të zbatohet në muajin qershor.“Fluturimet nga Kukësi kanë rreth 1 muaj që kanë nisur. Aktualisht janë vetëm dy destinacione konkretisht Zyrih dhe Basel, ndërsa në qershor do të nisim me destinacionet e Gjermanisë. Për momentin po operojmë vetëm me një kompani fluturimi, në muajin qershor pritet të nisin fluturimet edhe me një kompani tjetër. Për momentin fluturimet në këtë aeroport funksionojnë dy herë në javë, ditën e martë dhe të shtunë. Kur të nisim fluturimet me kompaninë tjetër, normalisht do të rritet numri i fluturimeve, por nuk e dimë se si do funksionojë specifikisht pasi ende nuk na ka ardhur një datë fikse dhe ende nuk kemi marrë një plan pune, por do të fillojnë në muajin qershor”- u shprehën për Faktoje punonjës të aeroportit të Kukësit.

Lidhur me pezullimin e fluturimeve përgjatë periudhës së dimrit ata shprehen: “Aeroporti ka qenë më herët funksional, por në dimër nuk patëm fluturime pasi ishte dhe fillimi. Kësaj here do të jetë funksional, do rregullohen edhe kushtet e terrenit, pastrueset e borës dhe gjithçka që do na duhet”.

Mungesa e fluturimeve në këtë aeroport ka penalizuar edhe bizneset, që operojnë aty. Të pyetur punonjësit tregojnë se nuk kanë mundur t’i mbajnë hapur bizneset për shkak të mungesës së fluturimeve që prej muajit tetor, por herë pas herë kanë funksionuar vetëm për t’i ofruar shërbim punonjësve të aeroportit.

Ne e kemi mbajtur biznesin hapur në fillim kur kanë qenë fluturimet, më pas kur nuk pati më fluturime normalisht dhe nuk kishte më njerëz nuk e kemi mbajtur hapur gjatë gjithë kohës, por jemi përpjekur herë pas here ta hapim dhe të ofrojmë shërbim për stafin. Tani ka rreth 1 muaj që kanë rinisur fluturimet dhe ka disi ndryshim, por ende ka shumë pak klientë dhe përpiqemi ta mbajmë hapur me periudha jo gjatë gjithë kohës. Na kanë thënë që nga qershori do të ketë ndryshime, shpresojmë shumë”, -tregon punonjësi i një prej bizneseve në aeroport.

“Nuk kemi pasur mundësi ta mbajmë hapur biznesin deri para një muaji, pasi nuk ka pas klientë për shkak të pezullimit të fluturimeve. Aktualisht ne dalim në punë në ditët që janë përcaktuar për fluturime. Kjo ndodh një deri në dy herë në javë”, tregon punonjësi i një tjetër biznesi, që operon në afërsi të aeroportit të Kukësit.

Në momentin që ne mbërritëm në aeroportin e Kukësit, u realizua nisja e një prej avioneve me destinacion në Zyrih. Të afërm të pasagjerëve u shprehën se fluturimet dhe destinacionet janë të pakta, por kosto e biletës ishte mjaft ekonomike.

Një çift nga Kosova tregon se biletën e avionit për vajzën e tyre e kishin rezervuar me nisje nga Kukësi për shkak të çmimit te leverdisshëm duke shpresuar që me nisjen e sezonit këto çmime mos të rriten.“Vajza sapo u nis për në Zyrih, çmimi i biletës ishte shumë ekonomik. Unë vij nga Prizreni, por nuk e rezervova nisjen nga Prishtina pasi çmimi ishte më i shtrenjtë. Vajza dhe dy të afërm të tjerë paguan në total vetëm vajtje një shumë prej 150 euro, pra 50 euro personi. Ndërkohë nga Prishtina ishte rreth 450 euro. Nuk e dimë çdo ndodhë me çmimet tani që vjen sezoni turistik, shpresoj mos të rriten. Ishalla po futen edhe destinacione të tjera si Italia dhe Gjermania”, tregojnë prindërit e një prej pasagjereve, e cila udhëtoi nga Kukësi për në Zyrih.

Për të mësuar më shumë lidhur me fluturimet aktuale në aeroportin e Kukësit dhe destinacionet e reja që priteshin të futeshin në muajin maj, kërkuam informacion në disa agjenci turistike.

“Destinacione nga Kukësi aktualisht kemi Basel/France. Destinacionet për në Gjermani mund të rezervohen për muajin qershor me Memmingen dhe Karlsruhe”, na informuan në një prej agjencive të udhëtimit që operon në qytetin e Kukësit.

Një tjetër agjenci konfirmon se nga aeroporti i Kukësit ende nuk kanë nisur fluturimet e premtuara nga kryeministri të kompanisë loë cost.

“Nga Kukësi për momentin ka fluturime vetëm për në Basel dhe Zyrih. Në qershor do të shtohen Memmingen dhe Karlsruhe. Aktualisht kërkesa për fluturime nga Kukësi ka qenë e ulët pasi nuk ka pasur destinacione dhe ka qenë e pezulluar për një periudhë disa mujore”, na komunikoi punonjësja e agjencisë tjetër të udhëtimeve.

Nga një verifikim online në faqen zyrtare të kompanisë Wizzair, rezulton gjithashtu se fluturimet nga aeroporti i Kukësit do të nisin në muajin qershor, drejt 4 destinacioneve, njëri me Austrinë/Viena, një destinacion me Francën/Basel dhe dy destinacione me Gjermanin/ Karlsuhe dhe Memmingen.

Në faqen zyrtare të aeroportit të Kukësit “ZAYED – Flatrat e Veriut”, rezultojnë të skeduluara fluturimet për muajin maj dhe destinacionet. Evidentohet se aktualisht në këtë aeroport operon vetëm një kompani fluturimi me dy destinacione dhe figurojnë vetëm 2 udhëtime në javë. Ndërkohë destinacionet e deklaruara nga kryeministri Rama që do të shtoheshin në muajin maj drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës me kompanin low cost ende nuk kanë nisur operimin./ Ina Allkanjari