Policia sekuestron rreth 1 kg kokainë në Durrës, përdor armët për të neutralizuar poseduesit

213
Sigal

Policia e Durrësit ndaloi dy të rinj dhe sekuestroi rreth 1 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, pasditen e të martë,  ndërsa njoftoi se të ndaluarit kundërshtuan me forcë kontrollin.

Policia tha se gjatë operacionit që u zhvillua nga skuadra operacionale e policisë një prej oficerëve u detyrua të përdorte armën. “Gjatë  operacionit dy persona me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikeve kanë  kundërshtuar me dhunë  policinë dhe kanë tentuar të largohen, ndërkohë që një prej punonjësve të policisë ka qëlluar në ajër për t’i neutralizuar”, njoftoi policia.

Policia i identifikoi dy të arrestuarit si pjesë e një grupi që merrej me shpërndarjen e lëndëve  narkotike të llojit kokainë. BIRN mësoi se të arrestuarit janë Erges Shehi, 30 vjeç dhe Vilson Memini, 29 vjeç.

Edhe pse e përmendi në komunikatë policia nuk bën me dije se cilët ishin precedentët e dy të ndaluarve dhe pse ata konsideroheshin të rrezikshëm.