Policia e Shtetit rrëzon deklaratat e Ramës për sulmin e Iranit: Morën të dhëna që cënojnë sigurinë kombëtare!

145
Sigal

Pas sulmit kibernetik të Iranit ndaj sistemeve dixhitale të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një konference shtypi se nuk janë marrë të dhëna sensitive apo që mund të cënojnë sigurinë e Shqipërisë, por tha se informacionet e marra ishin një pjesë publike dhe një pjesë tjetër, dokumenta pa rëndësi.

“Të dhënat janë krejtësisht irrelevante sa i përket sensitivitetit të tyre. Një pjesë e tyre janë publikuar, vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm dhe të cilat mund të merren nga çdo i interesuar apo nga çdo gazetar me një kërkesë të thjeshtë, pra nuk janë dokumente sekrete apo të fshehta”, u shpreh Rama.

Por, një komunikatë e Policisë së Shtetit, ku i kërkohet mediave të mos publikojnë materialet e nxjerra nga hakerat, një pjesë e të cilave emaile të ish drejtorit Gledis Nano, rrëzojnë deklaratën e kryeministrit.

Policia e Shtetit e pranon se të dhënat janë shumë sensitive, duke u shprehur se cënojnë rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.

“Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave dhe të opinionit publik, pasi publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pra është e qartë që kryeministri Rama nuk tregoi të vërtetën në komunikimin e tij me publikun.

Ditën e sotme hakerat iranianë, kanë publikuar emailet e Gledis Nano, ku ka informacione të brendshme të policisë, për persona të dyshuar për krime, aktivitete të ndryshme kriminale por edhe komunikime me partnerët dhe aletët.