Protestë përballë bashkisë Durrës, anëtarë të shoqatës së të verbërve: Na kanë harruar! Nuk marrim kompensim, ja problematikat që hasim çdo ditë…

202
Sigal

Anëtarë të shoqatës së të verbërve Durrës kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë së qytetit për problematikat e tyre.

Me pankarta në duar ata përshkuan sheshin “Liria” për t’u ndalur para godinës së pushtetit vendor, nga e cila presin zgjidhje për një sërë shqetësimesh, që i shqetësojnë prej kohësh.

Presidenti i shoqatës, Saimir Farrici, renditi disa nga problemet më të mprehta të kësaj kategorie sociale. Sipas tij, bashkia Durrës është e vetmja në vendin tonë që i ka përjashtuar të verbërit nga kompensimi i energjisë elektrike.

“Që nga viti 2015 shteti shqiptar ka hequr fashën e kompensimit të energjisë elektrike; të verbrit nuk e marrin kompensimin prej 648 lekë të reja. Të verbërit bashkia e Durrësit i ka përjashtuar. Është e vetmja bashki në Republikën e Shqipërisë që i ka përjashtuar.”, u shpreh Saimir Farrici.

Probleme të tjera që renditi Farrici lidhen me mungesën e një zyre, mos njohjen e statusit të tyre në transportin publik, mos punësimin e të verbërve ashtu siç sanksionon ligji etj.

“Një ndër problemet më të rëndësishme dhe më shqetësuese është pajisja me një zyrë dhe ne si shoqatë nuk kemi një zyrë për t’u mbledhur, për të diskutuar për problemet tona … Të verbërit nuk punësohen, megjithëse ligji e ka të përcaktuar qartë”, tha Saimir Farrici.

Të verbërit kërkojnë vëmendje nga institucionet e pushtetit vendor, pasi statusi i tyre u garanton integrimin në shoqëri, integrim që duhet të lehtësohet pikë së pari nga përfshirja e tyre në jetën normale të komunitetit e qytetit.

Në situatën aktuale, ata ndihen të përjashtuar nga shoqëria dhe të braktisur, pa mundësi ekonomike për të përballuar një jetesë normale.