Poezia për Ismail Qemalin dhe kush ishte Duçe J. Baba, autori i vjershërimit te “Kalendari kombiar” 1900?

1104
Sigal

Gëzim Llojdia

  1. Poeti  Sadik Bejko  në këtë shënim të shkurtër, kushtuar  njërit prej poetëve  të qiejve, lirikut më të madh shqiptar Lasgush Poradeci. “Bjenë Telat”. (Rapsodi. Ky variant i poezisë Rapsodi (Bjenë telat) të Lasgush Poradecit gjendet në hyrje (fq 5) të librit “Kujtime” të Ismail Qemal Beut, botuar për herë të pare shqip në Toronto, Kanada, me përkthim nga anglishtja të Reshat Agaj. Në librin “Lirika”, botuar në vitet 1960, kjo rapsodi vjen në një variant ndryshe. Kam dy pyetje: Ka variante të tjera kjo poezi? Pse është botuar në disa variante? Mbase se atëherë në komunizëm nuk lejohej të përmendeshin toka etnike jashtë kufijve të vitit 1913 si Janina a Prishtina? Mbase se Lasgushi i përpunonte në  disa variante poezitë? Duke iu përgjigjur poetit dhe studiuesit S. Bejko: Poezia e parë është marrë nga Kalendari Kombiar 1900: E dyta “Bjenë telat” nga Lasgushi. Përkthyesi Reshat (Agaj) ka qenë stenograf, ka punuar me Petro Markon te gazeta  “Bashkimi”, i cili edhe e ka mbrojtur. Kishte kulturë dhe ishte anëtar i BK dhe më vonë mbështetës i Leka Zogut ka punuar edhe për gazetën e Legalitetit, libri ka edhe një skicë nga shtëpia e Vlorajve e flamurit: Ka foto dhe disa faksimile të I. Qemalit si dhe një parathënie të shkruar nga Sefa Vlora. Poezia: “Rapsodi Popullore”, “Bjenë telat” që përkthyesi Reshat Agaj ka vendosur në hyrje të kujtimeve është marrë nga vëllimi poetik: “Ylli i zemrës”,Bukuresht 1937.
  2. Përkthyesi R. Agaj shkruan këtë dedikim: “U kushtohet dëshmoreve të atdheut, dëshmoreve të flamurit atyre që ranë në çdo vend dhe në çdo kohë për Shqipërinë e lirë e të pa varur për flamurin e shenjtë të Scanderbe Kastriotit dhe të Ismail Qemalit.” Një fillesë e çuditshme: dy poezi në faqen 5.

Fryte dritë e Shqipërisë,

nga qytet i erret,

Ti veç dermën tin dhelpërisë

E  gëzoç na të mjerët.

 Ti që kur dole  jetë

Që  kur bëri nëna djalë,

Kokën e mbajte përpietë

Edhe shpirtin zjarr e valë.

(Nga  Kalendari Kombiar” i vitit 1900(Kushtuar Ismail Qemalit nga Poeti i ri i asaj kohe Duçe J. Baba). Poezia e dytë që është renditur pas kësaj  i përket lirik Poradeci (“Bjene Telat”. Rapsodi nga poeti Lasgush Poradeci). Reshat Agaj me punën e tij ka derdhur me një kosto jo të vogël: qindra vargje, mijëra fjalë, që janë produkt i këtij deti shpirti të pafund e njëkohësisht të paanë, rrëfen kohën dhe si i përktheu kujtimet e Ismail beut. Mirëpo ky rrëfim nuk vjen në këtë botim të vitit 1968 botimi i Kanadasë, por gjendet në librin me kujtime të Reshat Agaj “Vëllai i pengut”. Kapitulli: Aksident në rrugë, përkthej kujtimet e Ismail Qemalit. Përshkrimi i R. Agaj është ky:  “Mendova të përktheja kujtimet e Ismail Qemal Vlorës, që kisha lexuar më parë dhe ndodheshin në bibliotekën e Torontos.”

  1. Poezia e Duçe J.Baba është surprizuese ngase edhe koha e shkruar i përket vitit 1900. Është koha kur në vjeshtë, Naimi mbylli sytë për t’u bërë i qiellit. Nuk ka aspak dyshim. Kjo metaforë është gjuha e ëmbël shqipe. Këtë gjuhë e përshkon drita. Gjuha zbukuron kombin, e lulëzon, e vëllazëron. Rilindësit shqiptar, midis tyre Naimi e “krehën” gjuhën shqipe nga “egjrat”, që kishin kultivuar bejtexhinjtë. Vetëm pak sekuenca të zbritura te gjuha e Naimit, për të kuptuar se ç`është ëmbëlsia e saj. Shuarja e Naimit një ditë vjeshte në Stamboll, nuk do të linte vendin bosh të poetëve shqiptarë. Dukej se një  tjetër muzg vjeshte, po pllakoste përmbi shqiptarët. Përpara tij në fushë të tjerë rilindës, kishin zbritur. N.Veqilharxhi, Th.Mitko, J.Vreto, P.Vasa,  K.Krstoforidhi. Koha e rezervuar për Naimin ishte mes viteve 1811-1900. Përtej këtij kufiri të gatshëm, prisnin te fillonin “mësymjen” në letrat shqipe të tjerë. Mbërrinte koha e Andon Zakos, Z. Serembes, N. Mjedës, etj. Pas lotit dhe dhimbjes, që shoqëronte shuarjen e tyre,ishte gati “skalioni” tjetër. Mirëpo koha e Duçe J. Baba është tashmë, ai cilësohet: Poet i ri dhe poezia  e tij është flakëruese.
  2. Mbas këtij prezantimi ka shumë mistere dhe pyetje. Është e natyrshme në një hapësirë të tillë kohore kaq  të largët. -Kush është ky  poet i ri i quajtur Duçe J. Baba? -A mos vallë  është ndonjë pseudonim? Begzat Balliu, Universiteti i Prishtinës jep një përgjigje të tillë, se nuk e ka hasur këtë emër, ndonëse e ka shfletuar “Kalendarin kombiar”. Dr. N. Mërkuri, Universiteti i Vlorës,  thotë se duhet të jetë  një  pseudonim. Informata më të sakta mund të japin Nasho Jorgaqi, Rexhep Qosja, apo  Dr Moikom Zeqo. Nëse e kanë hasur diku këtë emër dhe kush fshihet pas këtij  emri duhet të bëhet i njohur për shqiptarët. Reshat Agaj kur ka përkthyer librin e ka vendosur këtë emër në krye të faqes. Përkthyesi mund të ketë pasur dijeni se kush ishte Duçe J. Baba, emër i vërtetë apo pseudonim. Duhet të dimë edhe faktin se, deri në vitet ’60 në Romë botohej: “Gazeta Flamuri’ dhe në emigracion një sërë gazetash  që i përkisnin mërgatës shqiptare, që gjendej përtej oqeanit dhe më gjerë. Duke kërkuar për kalendarin kombiar, “Kalendari Kombiar” (1897-1916, 1926,1928), botim i përvitshëm enciklopedik kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli, më 1897 me titullin “Ditërrëfenjësi” dhe nga viti 1901 e deri në fund u titullua “Kalendari Kombiar”. Gjatë viteve 1897-1900 u drejtua nga Kristo P. Luarasi me Kosta Trebickën dhe më pas edhe me Nikolla Naçon. Pas vitit 1900 botues i vetëm ishte Kristo Luarasi deri në numrin e fundit.