Sigal

Në vazhdim të realizimit të projekteve të nisura, Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të tij, përuruan sot rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “1 Maji”. Bashkia e Beratit ka investuar për kryerjen e këtij rikonstruksioni një fond prej 580 milion lekësh. Në rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle janë kryer suvatime të jashtme dhe të brendshme, instalime elektrike, hidraulike, shtrime pllakash, lyerje me bojë, instalimi i sistemit të ngrohjes, kanalizimi i ujërave të bardha dhe të zeza, lyerja e fasadës, janë krijuar kushtet për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, duke i pajisur ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj shkolle me dhoma zhveshjeje, fusha të basketbollit, futbollit dhe volejbollit. Drejtori i shkollës, z. Gëzim Shehu, shprehu falenderimet e tij dhe të gjithë stafit të shkollës për investimin e kryer, ndërsa parashtroi disa kërkesa që lidheshin kryesisht me me pajisjen e shkollës me bazën e duhur mësimore didaktike, problem ky që do të zgjidhet me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore të Bashkisë. Në komunikimin e tij me mediat Kryebashkiaku Sinaj shprehu kënaqësinë e tij që viti i ri niste me përurimin e një shkolle. “Është kënaqësi që ditët e para të këtij viti i fillojmë me inaugurimin e një shkolle, ku aktualisht marrin dije 360 nxënës në kushte komplet të ndryshme nga viti i kaluar. Kjo shkollë ka pësuar një rikonstruksion total me fondet e Bashkisë. Falenderoj drejtorin dhe gjithë stafin pedagogjik të kësaj shkolle që për 2 – 3 muaj, edhe pse në mjedise të tjera dhe orar jo fort të përshtatshëm, ia dolën të zhvillonin programin e planifikuar të mësimit, për t’u rikthyer sërish sot në shkollën e tyre në kushte dhe standarde mjaft funksionale për zhvillimin e procesit mësimor. Jam i bindur se krijimi i mjediseve të tilla ka për të rritur edhe më shumë kërkesat e regjistrimit në këtë shkollë, sikurse edhe rezultatet e saj. Gjej rastin t’iu uroj sa më shumë suksese mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle.”