Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka përshëndetur mbështetjen e BE ndaj kërkesës së Ukrainës për një anëtarësim më të shpejtë në familjen europiane.
Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi deklaron bindjen se zgjerimi i Bashkimit Europian, i cili ka hasur vështirësi vitet e fundit, është garanci për forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e paqes për vendet aspirante.
Sipas saj, kjo luftë që ka përfshirë popullin e pafajshëm të Ukrainës, përbën rrezik real për Shqipërinë, rajonin tonë e gjithë botën mbarë.
Postimi i plotë:
E admirueshme përgjigja e fortë nga Parlamenti Europian ditën e djeshme, si dhe i gjithë lidershipi i treguar këto ditë nga vendet e BE, për të dënuar e frenuar agresionin rus mbi Ukrainën.
Përshëndes mbështetjen e BE ndaj kërkesës së Ukrainës për një anëtarësim më të shpejtë në familjen europiane. Ky është një zhvillim tepër pozitiv.
Qëndroj e bindur se zgjerimi i Bashkimit Europian, i cili ka hasur vështirësi vitet e fundit, është garanci për forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e paqes për vendet aspirante por edhe gjithë familjen europiane.
Kjo luftë që ka përfshirë popullin e pafajshëm të Ukrainës, përbën rrezik real për Shqipërinë, rajonin tonë e gjithë botën mbarë. Në vitet që jetojmë, lufta kurrë nuk mund të jetë rruga e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe askush nuk mund të cënojë të drejtën e popujve për të jetuar të lirë brenda kufijve të shtetit të tyre.
Demokracia duhet të triumfojë!