Falsifikoi dokumentat amerikane, D.H.Albania merr tendera nga shteti

287
Sigal

Paradoksi/ SHBA konfirmoi falsifikimin e dokumentave zyrtare të shtetit të Delaëare në tenderin 28 miliard lekë të unazës nga DH Albania, ARRSH edhe pse ja kishte dhënë vetë tenderin u detyrua të zgjidhë kontratën, gjykata shqiptare e dënoi, Policia e Shtetit e ka shpallur në kërkim  administratorin, por kompania e tij vazhdon të marrë tendera tek ministritë, rrugët, bashkitë. Pse heshtin organet e hetimit për grupet kriminale?!

SHBA konfirmoi falsifikimin nga firma DH Albania, gjykata e dënon, ARRSH i zgjidhën kontratën edhe pse ja kishte dhënë vetë tenderin, administratori ikën në drejtim të paditur por shteti i jepë sërish tender

Këtë lloj skandali që ndodh vetëm në Shqipëri , mund të konsiderohet si një nga më spektakularët në botë dhe që do ta kishin zili edhe filmat fantastiko-shkencor.  Hetimi i prokurorisë nisi kryesisht pasi disa shkrimeve në media se kompania “DH-Albania” ka fituar tenderin 28 miliard lekë për “Loti I” të “Unazës së re”, nëpërmjet një dokumenti të falsifikuar. Ky dokument rezultoi se ishtë i falsifikuar. Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi në atë kohë për “Zërin e Amerikës” se  filluan hetimet për të përcaktuar në se kompania “Dunwell Haberman”, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime. Hetimet treguan se kishim të bënim me një falsifikim ,çka e vërtetoi edhe vendimi i gjykatës shqiptare e cila dënoi administratorin dhe ata që organizuan këtë skandal. Por ende pa u tharë boja e këtij skandali, kompania ka filluar të aktivizohet duke përfituar tendera dhe PPP në ministritë e ndryshme si ajo e Infrastrukturës, në Energjitik, ARRSH, bashki etj.

Oligarku që e sajoi, përdori e fshihej pas kësaj firme fantazmë, vazhdon merr nga 5 milionë Euro tendera në muaj nga qeveria dhe bashkitë, ndërsa administratori Dobi është prej 3 vitesh në kërkim, i dënuar 6 muaj burg për falsifikimet. Burime nga Agjencia e Prokurimit Publik, kanë bërë me dije për “Pamfleti”, se firma fantazmë “D.H Albania” e njohur për skandalin e tenderit 20 milionë Euro te Unaza e Re, është certifikuar përsëri për të marrë pjesë në tendera. Kjo është lejuar të marrë pjesë pas 3 vitesh përjashtimi, konkretisht nga data 7 shkurt 2019 deri më 7 shkurt 2022, për falsifikim dokumentesh zyrtare të Departamentit të Shtetit Delaëare-SHBA, dhe me vërtetim noterial në Shqipëri, të cilat i përdori për të marrë tenderin te Unaza. Lejimin për të marrë fonde e pasuri shteti me tenderë, ankande e koncesione publike, Agjencia e Prokurimit e ka bërë nën justifikimin, se firma “D.H Albania” ka përfunduar afatin e përjashtimit. Paligjshmëria e certifikimit, qëndron në faktin se pronari Avdjol Dobi, është i dënuar 6 muaj burg e ndodhet në arrati; dhe sipas ligjit ndalohet të futet në tendera për këtë shkak, por dhe sepse prej 3 vitesh nuk ka bërë asnjë pagesë tatimore e nuk ka dorëzuar bilance, megjithëse vazhdon të jetë me licencë aktive.

Për më tepër, që prokuroria dhe gjykata, vërtetuan se firma “D.H Albania” ishte një logo false me dokumente amerikane false, mirëpo Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Agjencia e Prokurimit Publik, po në shkelje të ligjit, nuk e ç’regjistruan si subjekt, por e la në “Biznes aktiv”.Vendimi për ta lejuar të ri-futet në tendera, është marrë më 8 shkurt 2022 dhe sipas informacioneve, kjo firmë ka filluar aplikimin me pjesëmarrje në disa tendera punësh publike te Autoriteti Rrugor Shqiptar, në KESH, në Ministrinë e Energji-Infrastrukurës dhe në bashkitë Vlorë, Elbasan e Durrës etj. Pyetjet logjike janë këto: Kush ia ka bërë aplikimet firmës “D.H Albania”, për pjesëmarrje në tendera? Cilët ia ka dhënë dokumentet tatimore, doganore, mjedisore, policore e të drejtësisë, që kjo firmë  dhe pronari i saj janë “të pastra”? Sepse siç dihet, Avdjol Dobi, pronar dhe njëherazi i vetmi i punësuar në këtë firmë, prej 3 vitesh është pa sigurime, është në arrati e në kërkim ndërkombëtar, si i dënuar 6 muaj burg për falsifikim e mashtrim me letra amerikane false, me të cilat fitoi tenderin te Unaza e Re.

Ka zëra nga tatimet, se aplikimet i bën pronari faktik i firmës fantazmë, oligarku i ndërtimit, prandaj nuk është rastësi, që firma “D.H Albania”, po aplikon në tendera si garuese me firmat e tjera të të njejtit subjekt. Pra firmat me të njëjtin pronar ,konkurojnë me njëra-tjetrën. Për këtë skandal, u dënua vetëm recepsionisti Avdjol Dobi; ndërsa autorët e vërtetë të falsifikimit dhe skenarit për të zhvatur tenderin  20 milionë Euro, nuk janë prekur fare nga drejtësia. Konkretisht, oligarku  që e sajoi, përdori e fshihej pas kësaj firme fantazmë, vazhdon merr nga 5 milionë Euro tendera në muaj nga qeveria dhe bashkitë. Ish-zyrtari që firmosi fondin dhe lejoi letrat false të tenderit, me projekt e preventiv 12 milionë Euro më tepër se kostoja reale e segmentit te Unaza, është ngritur në karrierë.