Përmbytet Durrësi, bashkia : Është faji i lumenjve

326
Sigal

Bashkia e Durrësit përmbytet rregullisht të paktën këto 10 vitet e fundit. Dhe jo vetëm zonat rurale, por edhe qyteti brenda me gjithë rrugët e sapo bëra me tendera të dyshimtë.

Por pavarësisht nga kjo çdo sezon shirash e gjen këtë bashki në të njëjtën gjendje katastrofike dhe pa ndërhyrjet e duhura. Edhe reshjet e fundit e kanë katandisur qytetin dhe tokat rreth tij, në një kënetë gjigante. Por për drejtuesit e saj, fajin e kanë dy lumenjtë Ishëm dhe Erzen.

Këtë justifikim të përvitshëm e ka dhënë ditën e sotme vetë kjo bashki, përmes një njoftimi në ‘Facebook’.

Pasi fajësojnë shiun dhe lumenjtë në fjalë drejtuesit e saj pranojnë se kanalet shkarkuese e kulluese nuk funksionojnë, ndaj si pasojë  kanë përmbytur tashmë toka bujqësore, banesa, rrugë e biznese.

NJOFTIMI NGA BASHKIA DURRËS

NJOFTIM I RËNDËSISHËM

Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë shqetësuese në përgjithësi për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve Erzen e Ishëm, duke mbushur tej kapacitetit kanalet kulluese,  përmbytur toka bujqësore, banesa, rrugë e biznese.

Në njësinë Administrative nr. 6 në rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji. Në Njësinë Administrative Rrashbull fshati Xhafzotaj ka përmbytje banese e biznesi, ndërsa në fshatin Pjeshkë përbën rrezik kalimi shembje e një ure-tombino. Në zonen ujëmbledhese te lumit Erzen përgjatë rrjedhës të tij nga fshati Jubë deri ne kufi me Bashkinë Shijak rezulton kjo gjendje:

Në Fshatin Jubë njësia Katund i Ri, u evakuuan 2 familje duke i sistemuar tek të afërmit e tyre.

Në Fshatin Rrushkull, u evakuuan 10 persona me ndihmën e mjeteve të Policisë Bashkiake dhe u akomoduan ne ambientet e Kavaleshencës së Ministrisë së Rendit.

Në fshatin Vadardhë njësia Sukth, kanali i Tonës ka dalë nga shtrati duke përmbytur 4 banesa dhe rreth 20 ha tokë bujqësore.

Në lagjen e Pallateve dhe ne Lagjen Stalla, ka përmbytje nga reshjet e dëndura si dhe rrezikohen nga dalja e lumit Erzen.

Në Ishëm, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore ne Kërtushaj e Likmetaj. Gjithashtu ka dëmtuar rrugën në Lalëz e Draç

Në Rrashbull fshati Shkallnur ka rrëshqitje dheu e bllokim i rrugës për të subjekti Kodra e Kuajve. Ndërmarrja Rruga po punon për zhbllokimin e saj.

Sipas IGJEUM priten reshje intensive duke filluar nga sot e disa ditë në vazhdim në Durrës por bashkia me të gjitha kapacitetet e veta dhe shtabi i emergjencave kanë marrë masat dhe vijojnë punën në terren për zgjidhjen e problematikave të deritanishme si dhe janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së krijuar. Bashkia e Durrësit dhe të gjitha ndërmarrjet e saj në varësi janë dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve si dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat e mundshme emergjente që mund të krijohen nga reshjet që do të vijojnë të jenë të dendura por edhe për tju përgjigjur menjëherë çdo banori të bashkisë Durrës që mund të ketë probleme nga kjo situatë.