Peqin/ Si e vrau 13-vjeçari vëllanë e madh, telefonata me prindërit dhe…

695
Sigal

Detaje të reja për ngjarjen e rëndë qe ndodhi mbrëmjen e djeshme në Peqin, kur vëllai i vogel vrau me armë vëllanë e madh, teksa ktheheshin pasi kishin kullotur bagëtinë.

Dy vëllezërit Lleshi, njëri 20 dhe tjetri 13, kishin dalë në pyll për të kullotur bagëtitë. Dy fëmijët ishin nisur paradite drejt pyllit dhe pak para se të mblidhnin bagëtitë për t’u kthyer në shtëpi, vëllai i vogël ka marrë armën në dorë për të ndihmuar vëllain e tij më të madh. Kristiani ka nisur të ecë, por duket është bërë kureshtar për armën.

Duke qenë errësirë dhe në një kohë kur vëllai i tij i madh po ecte pak metra para tij, 13- vjeçari pa dashje duke menduar se po lozte, ka vendosur gishtin te këmbëza e armës. Pas kësaj vëllai i tij Ronaldo ka rënë për tokë. I ndodhur në faj dhe në një situatë të tillë, Kristiani ka telefonuar prindërit dhe u ka treguar se çfarë kishte ndodhur.

Edhe pse të afërmit e vëllezërve kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, 20-vjeçari nuk ka mundur të shpëtojë. Ai ka ndërruar jetë në vend për shkak të plagës së rëndë të shkaktuar nga arma e gjahut, kjo edhe për shkak të distancës së afërt. Ndërkohë që ngjarja konfirmohet si aksidentale dhe nga ana e Policisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Trupi i 20-vjeçarit është dërguar në morgun e Elbasanit, ku pritet të kryhet dhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Ndërkohë, nga verifikimet paraprake të grupit hetimor mësohet se viktima është qëlluar nga një distancë e afërt, gjë e cila ka rezultuar fatale për jetën e 20-vjeçarit.

“Në pyllin e fshatit Galush, Peqin, dyshohet se një të mituri, i cili ende nuk ka mbushur moshën 14-vjeç, nga pakujdesia iu shkrep arma e gjahut dhe ka vrarë vëllain e tij shtetasin R.Ll., 20 vjeç. Ata ishin duke kullotur bagëtitë kur ndodhi ngjarja. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bëhet e ditur nga Policia.

Pak orë pas ngjarjes, Policia ka shoqëruar në Polici për ta marrë në pyetje në prani të psikologes dhe babait të tij, adoleshentin 13-vjeçar. Mësohet se në një gjendje të rënduar psikologjike, i mituri nuk ka qenë në gjendje të japë shumë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vdekur vëllai i tij i madh. Familja Lleshi nga Galushi i Peqinit kishte vetëm dy djem.