Pazare me pasuritë e pushtetarëve, pas uljes së padive, ILDKP fsheh deklarimet e “sheikëve” të politikës

45

Agllarët që futën kokën në “thesin” e parave të popullit nuk deklarojnë pasuritë

Sigal

 

“Agallarët e posteve të rëndësishme shtetërore, që kanë në dorë “vulë e firmë” vendimesh e urdhrash nuk kanë deklaruar pasuritë. A thua kanë zhvatur prona dhe kanë gëlltitur miliarda lekë fonde publike të paguara nga taksat e shqiptarëve? Në këtë periudhë delikate, ILDKP ka bllokuar të dhënat për deklarimet pasurore online.”

Terr informativ me deklarimet e pasurive nga ana e pushtetarëve. Sipas ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, çdo politikan dhe zyrtar shtetëror është i detyruar që deri në muajin mars të bëjë deklarimin pasuror të vitit të mëparshëm.

Ky proces ka nisur që në vitin 2003 dhe çdo vit ILDKP publikonte deklaratat. Madje gjatë kohës që në krye të saj ishte Shkëlqim Ganaj publikoheshin dhe emrat e personave që gjendeshin me shkelje, përfshirë emra deputetësh, gjyqtarësh etj.

Por që pasi në krye të ILDKP erdhi Evgjeni Bashari situata ka ndryshuar. Së pari ra ndjeshëm numri i padive. Më parë kishte deputetë, krerë bashkish që kallëzoheshin, por tani numri ka rënë ndjeshëm dhe në prokurori përfundojnë vetëm disa drejtorë. Po ashtu tani nuk publikohen më emrat e personave me shkelje. ILDKP fshihet pas ligjit për ruajtjen e privatësisë.

Por skandali nuk mbyllet me kaq, pasi prej 2-vitesh ka terr informativ mbi deklarimet e politikës. SPAK ka hyrë në një fazë të re dhe gjatë vitit të fundit janë hapur dosje për emra si Berisha, Meta dhe disa ministra.

Por në këtë periudhë delikate, ILDKP ka bllokuar të dhënat për deklarimet pasurore. Dy vite më parë u instalua sistemi online i deklarimit të pasurive dhe vjet politikanët bënë për herë të parë deklarime online. Afati madje u shty nga marsi në nëntor. Por edhe pse sistemi është vënë në punë, të dhënat nuk janë publike. Rubrika e krijuar për aksesim nga publiku nuk funksionon.

Madje ILDKP nuk i lëshon deklaratat edhe me kërkesë zyrtare, duke u shprehur se do të jenë shumë shpejt online. Deklaratat e fundit që kanë dalë nga ILDKP janë për vitin 2020, ndërsa të dhënat e viteve 2021 dhe 2022 për të gjithë politikën dhe administratën nuk aksesohen.

Skandali tjetër është se vetë politika është shumë e lumtur. Në rezolutën që Kuvendi miratoi në korrik, përgëzoi punën e ILDKP pa prekur fare faktin që pasuritë nuk janë publike. Edhe pse ILDKP kontrollohet nga Kuvendi, nuk ka asnjë kërkesë nga ky organ që sistemi online të jetë i aksesueshëm për qytetarët. /Pamfleti