Pastrimi i parave, veç zyrtarëve do deklarojnë pasurinë edhe familjarët

226
Sigal

Maxhoranca ka paraqitur në kuvend ndryshime në projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Kështu, PS ka kërkuar zgjerimin e kategorisë së personave që kanë detyrim të deklarojnë transfertat e tyre bankare brenda apo jashtë vendit ose vlerat monetare.

Në ligjin aktual kontrolli i pasurisë përfshin individët e ekspozuar politikisht deri në 3 vjet pas largimit nga funksioni si ato individë të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre apo ato individë të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme brenda vendit si kryetar shteti, kryeministër, ministër, zv.ministër apo pozicione të ngjashme me to, anëtarë kuvendi ose organe drejtuese të partive politike.

Në ndryshimet e bëra duhet që edhe familjarët e zyrtarëve të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre.

Bëhet fjalë për bashkëshorten ose bashkëjetuesen, persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale pune ose biznesi të zyrtarit.

Ndryshimet e propozuara në ligj vijnë në një kohë kur SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka nisur punën me shumë dosje që lidhen kryesisht me korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me 15 prokurorët e SPAK.

Gjatë këtij takimi Kim deklaroi se është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.