Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës nuk ka qenë në gjendje t’i japë zgjidhje rritjes së çmimit të bukës duke i hapur kështu rrugën pesë kompanive importuese të miellit të rrisin fitimet.
Por, burimet i thanë Top Channel se autoriteti u bllokua për shkak se tre anëtarë, të zgjedhur rishtas me propozim të partisë socialiste paraqitën kërkesë që të realizohet një analizim i çmimit të bukës në treg. Kjo është një detyrë që nuk i takon autoritetit të konkurrencës thonë burimet, por mund ta bëjnë tatimet. Për pasojë asnjë masë nuk është marrë për të penguar rritjen e çmimit të bukës me gati 20 lekë në rastin e bukës masive që përdoret nga shtresat më të varfra të popullsisë.
Nisma e tre anëtarëve të autoritetit ka bërë që ky institucion të mos marrë dot asnjë masë ndëshkuese. Burimet thonë se kompanitë importuese u paraqitën në seancë dëgjimore me të njëjtat argumente duke rritur dyshimin se bëhej fjalë për një bashkërendim mes tyre edhe për rritjen e çmimit të bukës në treg.
Ky autoritet tregoi se një vit më parë kishte konkluduar se në treg pesë kompanitë importuese kishin vendosur në mënyrë të përbashkët të caktonin çmimin e shitjes duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit duke shkelur kushtet për mbrojtjen e konsumatorit. Për këtë Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar ndërhyrje Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Pasi u lanë detyrat u vendos edhe një periudhë një vjeçare monitorimi por në përfundim të saj, autoriteti edhe pse konstatoi mospërmbushjen e detyrimeve nuk ishte në gjendje të miratonte asnjë gjobë