Pasiguri totale për jetën, shteti i dorëzuar para krimit

713
Sigal

FORUM/Flasin personalitete të ndryshme të kulturës dhe shoqërisë civile për shifrat në rritje të kriminalitetit në Shqipëri

Jemi përpara një realiteti tepër tronditës: Krimi po bën kërdinë dhe qytetarët janë të terrorizuar, ndërsa pasiguria për jetën ka arritur në kufij që as i kishim marrë ndonjëherë me mend. Krimet monstruoze të ndodhura ditët e fundit në Poliçan ku humbën jetën dy persona dhe vrasja tjetër e ndodhur në Tiranë, ku u vra një grua me thikë nga disa grabitës kanë tronditur opinionin publik shqiptar. Përveç keqardhjes humane që kanë ndjerë për këto ngjarje të tmerrshme, ajo që e ka shtuar më shumë dramaticitetin e këtyre ngjarjeve është edhe mënyra se si janë bërë këto vrasje. Në rastin e Poliçanit  e shtoi dramaticitetin edhe më shumë dhunimi i njërës prej viktimave, ndërsa në rastin e vrasjes së gruas në Tiranë e shton më shumë fakti që u vra një nënë në sy të fëmijëve të saj për disa bizhu që nuk pranoi që t’ua jepte grabitësve. Ndërkohë që edhe ngjarje të tjera po ndodhin çdo ditë në vendin tonë. Kronika e krimit është e pasur dhe faqet e shtypit janë të dominuara nga këto kronika. Në çdo moment Pyetja që na vjen ndërmend është çfarë po ndodh? Ku janë strukturat e shtetit, çfarë po bëhet për t’i parandaluar ngjarje të tilla? Sa po zbulohen autorët? Tërë këto pyetje bëhen me të drejtë, sepse rritja e kriminalitetit po merr përmasa të frikshme në një vend të vogël si Shqipëria. Pa përfshirë këtu pastaj edhe aksidentet e shumta me pasoja që ndodhin çdo ditë. Ajo që mund të thuhet me siguri është se kemi një paaftësi totale të strukturave të shtetit për të parandaluar krimet. Shteti dhe policia e tij u bie tamburave të sukseseve, thua se këtu jemi në vendin më të sigurt të botës, kur në të vërtetë kemi një tablo krejt të kundërt. Qytetarët shqiptarë janë më të rrezikuarit. Jeta e tyre aktualisht është e papërfillshme përballë krimit që lulëzon me përmasa të hatashme. A thua se jemi një vend pa shtet dhe pa struktura policie, kur dëgjon këto ngjarje që ndodhin. Zyrtarët e lartë mjaftohen me ndonjë deklaratë apo dhe me vendosjen e ndonjë shumë parash për të kapur autorët e këtyre ngjarjeve të rënda. Klasa politike shqiptare, në vend që të merret me këto probleme kardinale për shoqërinë, është e përfshirë prej vitesh nga sherret dhe konfliktet për interesa pushtetërore dhe pasurore. Ndërkohë mendojmë se është pikërisht momenti të ngrihemi të gjithë në këmbë ndaj pandjeshmërisë së shtetit për t’i thënë ndal kësaj dukurie të shëmtuar. Për këtë temë mjaft aktuale “Telegraf” ka marrë prononcime nga shkrimtarët Kiço Blushi e Diana Çuli, avokati Idajet Beqiri dhe nga veprimtarja për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, normalisht që ata ndajnë mendimin që situate po del jashtë kontrollit dhe rritja e kriminalitetit po merr përmasa të frikshme në Shqipëri.

 Flasin për “Telegraf”

Kiço Blushi, shkrimtar

Në Shqipëri po ndodh një gjë që po të kishim njerëz seriozë në qeverisje do ta kishin parashikuar. Krimi ka përfshirë jo vetëm rrugët, jo vetëm shoqërinë, por edhe vetë familjen. Fakti, që krimi tashmë ka hyrë në familje, tregon që edhe familja ka probleme të mëdha. Problemi është që nuk gjejmë zgjidhjen me mirëkuptim, por mundohemi ta gjejmë në rrugë konfliktuale. Është bërë shumë e rrezikshme rruga, ku krimi është në çdo metër të saj dhe jo vetëm plumbi, por edhe thika mund të shkaktojë vdekjen nga keqbërësit kriminelë. Krimi po dëmton të gjitha strukturat shtetërore dhe shoqërore dhe kjo dëshmon që shoqëria shqiptare ka hyrë në një krizë të rëndë, të papërballueshme. Për fat të keq, të gjitha strukturat shtetërore dhe jo shtetërore, merren gjithë ditën se çfarë tha Kryeministri, ministri, dhe asnjë fjalë nuk thuhet për krimin. Këtë plagë të madhe sociale të shoqërisë nuk e zgjidh as me fjalime në Kuvend, as me ndonjë masë gjysmake policore, por zgjidhja është të ndërmerren reforma të thella, për të ndrequr gabimet e rënda në edukim, në shkollë e kudo. Qeveria shpeshherë, ia vë fajin policisë, pse hajduti vajti në një drejtim të panjohur, dhe se strukturat e saj janë të paafta që  të zbulojnë autorët e krimit. Mirëpo, kryesorja është që të analizojmë shkaqet e krimit dhe duke marrë masa parandaluese. Varfëria, papunësia, humbja e optimizmit dhe pasiguria e së nesërmes janë disa burime të krimit. Kjo sëmundje e madhe sociale, shoqërore, morale, do të bëjë e do të detyrojë qytetarin shqiptar të bindet se duhen rrugë të tjera, rrugë të reja, që të kalohet nga vetëgjyqësia në gjyqësi e drejtësi.

 Idajet Beqiri, avokat

Situata e kriminalitetit në Shqipëri ka shumë vite që ka një rritje të përmasave të jashtëzakonshme. Tani është bërë krijuar një terren i “mirë” për kriminelët sepse është krijuar psikoza e mosnëshkueshmërisë në Shqipëri. Pasi edhe ata që janë kapur i kanë gjetur mjetet për të shpëtuar. Janë krijuar terrenet që në vendin tonë që krimineli ti shpëtoj dënimit. Pastaj edhe legjislacioni jonë ka shumë mangësi, pasi trajtohen të tëra veprat penale dhe të gjitha llojet e krimeve njëlloj. Por në fakt është gabim, pasi ka nuk mund të falet dënimi për kriminelë që kanë bërë krime të mëdha. Por problemi më i rëndësishëm sipas mendimit tim është shtrati i ngrohtë që kriminelët kanë gjetur tani, pasi është edhe situata politike. Ata kanë krijuar psikozën që vetëm nëpërmjet krimit ata mendojnë që mund të arrijnë diçka, vetëm nëpërmjet vjedhjes mund të arrijnë diçka. Kjo vjen dhe për faktin se shteti jonë nuk ekziston, shteti ligjor po ashtu nuk ekziston. Dhe kur shteti nuk është në këmbë dhe nuk funksionon si duhet me tërë strukturat e tijë atëherë kriminaliteti do të shumëzohet për fat jo të mirë.

 Diana Çuli, shkrimtare

Ky është një problem shumëdimensional dhe është një problem akut që prek të gjithë shoqërinë. Kryesisht është detyrë e shtetit që të parandalojë krimin. Në radhë të parë është urgjente që të forcohet policia, e cila duhet të jetë e pajisur me mjetet e duhura për parandalimin e krimit. Pasi kjo e fundit është shumë e dobët dhe jo për faj të saj, por për shkak të një investimi të dobët në të gjithë sektorin. Së dyti, duhet një strategji kombëtare për t’u marrë me brezin e ri, ku mjaft të rinj po shkojnë në rrugë të gabuar. Është e nevojshme që vëmendja të jetë e drejtuar tek ndërtimi i ambienteve sportive për të rinj dhe jot e sheshet e ndërtimit të pallateve. Duhet të ngrihen teatro, sheshe sportive në shoqëri të çoroditur, kur nuk ka pika referimi atëherë lind kriminaliteti.

 Elsa Ballauri, aktiviste e të Drejtave të Njeriut

Situata e krimit është në rritje dhe është një problem që gjenerohet nga një shoqëri me probleme ekonomike dhe kulturore si dhe nga një sistem institucional me probleme. Është tipike që krimi shtohet kur varfëria shtohet dhe shteti e humbet vëmendjen ndaj rasteve të krimit. Shteti nuk gjen mënyra profesionale dhe nuk ka vullnetin e duhur ta trajtojë kriminelin jo vetëm duke i dhënë dënimin, por edhe ta edukojë që krimi të minimizohet më tej, ky fenomen ekstrem kërkon veprime profesionale nga forcat e rendit, punonjës të specializuar, por gjithashtu, duhet një angazhim i strukturave të shoqërisë civile. Rezultatet që vijnë nga strukturat e rendit për kriminalitetin duhen studiuar për të marrë masa parandaluese. Bashkëpunimi intensiv me sociolog dhe psikologë është i rëndësishëm. Shpesh thuhet që shqiptarët kanë nevojë të gjithë për psikologë. Shoqëria jonë është një shoqëri e traumatizuar, prandaj shteti së pari, duhet të bëjë kujdes. E rëndësishme është dhe edukimi me një sjellje më pak të dhunshme. Duke filluar nga ajo verbale.  E rëndësishme është puna me familjen, me fëmijët dhe me shkollat. Krimi është fenomen kompleks dhe të gjithë duhet të ndjehemi përgjegjës.

 KShH: Një krim i rëndë dhe tepër barbar!

Ashtu si gjithë Shqipëria, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vazhdon të jetë i shqetësuar se kohët e fundit po kryhen disa vrasje, madje edhe në gjirin e familjes. Aksidentet automobilistike me pasoja të rënda thuajse ndodhin për ditë si dhe është rritur numri i vetëvrasjeve për shkaqe sociale-ekonomike, ku gjatë kohëve të fundit vetëm në qarkun e Korçësh kanë ndodhur tre të tilla. Rasti më i fundit ishte ai i 45-vjeçarit që u var në ballkonin e tij për shkak se ishte hequr nga skema e KEMP-it. Lajmi i djeshëm për vrasjen e dy personave në Uzinën Ushtarake të Poliçanit ishte i rëndë, barbar, i rrezikshëm dhe tepër ç’njerëzor. Sipas të dhënave të publikuara nga media, Shpëtim Dervishi, roja i uzinës, qëlloi me armë për vdekje shefin e sigurisë të kësaj uzine, Vladimir Gurin dhe pas kësaj ka vrarë edhe veten. Të dhënat e para tregojnë se para një ore ata janë grindur me njëri tjetrin. Por çështja nuk u mbyll me kaq. Kushtrim Guri (vëllai i Vladimirit), kur ka parë vëllanë të vrarë në ambientet e punës ka marrë një sharrë dhe në mënyrë mizore ka masakruar kufomën e rojes së vetëvrarë në prani të të tjerëve dhe t’ia tregojë atë jo vetëm personave të Uzinës por edhe banorëve të qytetit, duke shëtitur në rrugët e Poliçanit lirisht. Me motivet e vërteta të kësaj ngjarje do të njihemi nga organet kompetente. Por KShH, duke shprehur edhe zërin e opinionit të gjerë shoqëror në një rast të tillë, do të sugjeronte veç të tjerave të hetohej jo vetëm ngjarja tepër e rëndë që ndodhi, por gjithashtu,  edhe mosmarrja e masave nga organet kompetente për mundësinë e parandalimit të këtij krimi kaq të rrezikshëm në ambientet e një uzine që administrohet nga shteti, sidomos nga forcat ushtarake. Tërheq vëmendjen fakti se i vëllai i viktimës në vend që të ndalohej menjëherë, ka vepruar lirisht në këtë mënyrë. KShH sugjeron gjithashtu se në zbulimin dhe goditjen e autorëve të krimit, policia gjyqësore, prokuroria dhe gjykata duhet të tregojnë vëmendje të veçantë edhe për qëndrimet neglizhente apo indiferente që jo në pak raste mbahen. Ashtu sikurse është bërë publike edhe në deklaratat e mëparshme, KShH dëshiron të theksojë se e drejta e jetës, është një ndër të drejtat më themelore të njeriut që garantohet nga neni 21 i Kushtetutës, neni 2 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe neni 3 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Shteti ka detyrimin pozitiv për të siguruar shtetasve brenda juridiksionit të tij garanci dhe mbrojtje efektive për gëzimin e kësaj të drejte.

 Kriminaliteti, Spahiu: Burgim të përjetshëm për këdo që vret

Aleanca Kuqe Zi denoncon nivelin e lartë të kriminalitet në vend dhe premton ndryshime radikale në kodin penal. Gjatë një tryeze për çështjet e të drejtave të njeriut Kreshnik Spahiu tha se, “AK do të rikthejë burgimin e përjetshëm për këdo që vret”.

“Aleanca Kuq e Zi deklaron se është fatkeqësi kombëtare që në shtetin shqiptar e vemja gjë pa vlerë është jeta e njeriut madje për të qenë sa më realist kjo e fundit ka kapur nivele dramatike dhe ne jemi dëshmitarë të mungesës së qartë të politikave ndërgjegjësuese dhe profilit të ulët të shtetit social. Niveli i krimeve kundër jetës në të cilat përfshihen vrasjet, tentative për vrasje, plagosjet, aksidentet etj është nga më të lartët në rajonin, nivele të arritura jo gjatë vitit të fundit por prej disa vitesh dhe shteti në Shqipëri është inekzistent në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë problem jetik për shoqërinë shqiptare. Përpara se të niste lufta në Siri Shqipëria e kishte numrin e vrasjeve më të lartë se Afganistani dhe më të lartë se Iraku në raport kjo me numrin e popullsisë”, thuhet në deklaratën e AK e cila në programin e saj qeverisës parashikon një sërë masash për të ndryshuar këtë situatë.

Bandat e hajdutëve adoleshentë mësyjnë Durrësin

Në pikun e sezonit veror, ku Durrësi është mbipopulluar nga turistët vendas dhe të huaj, me qindra ambulantë dhe midis tyre edhe banda hajdutësh kanë mësyrë rrugët e qytetit dhe kryesisht bulevardet e parqet. Në të dy krahët e rrugëve në plazhin e Durrësit ambulantët  kanë zbarkuar nga të gjithë rrethet e vendit, ku me tezga dhe karroca tregtojnë çfarë do lloj malli. Ato kanë bllokuar të gjithë kalimet e pushuesve saqë këta të fundit janë detyruar të zbresin e të kalojnë në rrugët e makinave. Shqetësimi në këtë zonë është i madh, sepse bllokimi i trotuareve sjell edhe aksidente për këmbësorët, të cilët nuk kanë asnjë mjet kalimi. Rruga nacionale është bllokuar tërësisht në të dy krahët, ku me qindra ambulantë në këtë zonë tregtojnë deri në orët e vona të natës, ndërsa në morinë e shumtë të pushuesve që shëtisin janë edhe hajdutët që vjedhin sendet personale të pushuesve, të favorizuar nga mungesa e vëmendjes dhe rrugës së mbipopulluar.