Pas privatizimit, “KURUM” heq nga puna, punonjësit e HEC-eve “BISTRICA” 1 dhe 2

612
Sigal

PROTESTË NË DELVINË/ Taf Koleci: “Në rast përgjigjeje negative nga firma turke do të futemi në grevë pa afat”

Paraditen e së premtes në orët e para të mëngjesit, punëtorët e HEC-eve “Bistrica “1 dhe 2, kanë zhvilluar një protestë paqësore para portës së administratës së këtyre HEC-eve. Protesta ka filluar në orën 08:00 të mëngjesit dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë. Protestuesit, numri i të cilëve arrinte deri në 60-70 persona, ishin ish-punonjës dhe punonjës të larguar muajt e fundit nga puna, ndaj ky ka qenë edhe qëllimi i protestuesve, kundërshtimi i këtyre masave administrative pas privatizimit nga kompania turke “KURUM”.

Protesta

Në krye të protestuesve, ish-punonjës të këtyre HEC-eve, ka qenë Presidenti i Federatës Industriale, Taf  Koleci. Z.Koleci ka deklaruar para protestuesve dhe mediave të pranishme, se vendimet e fundit të përfaqësuesve të firmës “KURUM” për largimin e 25 punonjësve nga puna, përbën një shkelje të kontratës kolektive, të Kodit të Punës dhe të vet Kushtetutës së Shqipërisë, ndaj kjo protestë është e drejtë dhe ne do gjendemi në krah të kësaj proteste deri në rikthimin e tyre në vendet e punës. Gjithashtu, z.Koleci sqaroi se, menaxheri i kësaj firme, Gjergj Muça, është mjaftë konfliktual dhe ka krijuar probleme me punëtorët, duke shkelur rregullat dhe kontratat e punës, si dhe legjislacionin në fuqi. HEC-et “Bistrica” 1 dhe 2 është burim ekonomik për banorët e kësaj qyteze, pasi qyteza e Bistricës është krijuar nga familjet e punësuara në hidrocentrale dhe sot 80 % e këtyre familjeve (në 52 familje) mbahen nga puna në hidrocentral. Dhe jo vetëm kaq, por banorët e kësaj qyteze janë trajtuar me statusin e një vendbanimi industrial dhe nuk kanë përfituar sipërfaqe toke nga ligji 7501 për tokën bujqësore dhe sot mbeten nën qiellin e hapur mes katër rrugëve pa asnjë përfitim ekonomik, ndonëse ligji shqiptar u njeh shumë.

Takimi

Pas tubimit paqësor, Presidenti i Federatës Industriale, Taf Koleci, së bashku edhe me kryetarin e sindikatës së punonjësve të hidrocentraleve të Bistricës, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e HEC-it, ku ka qenë edhe kryeadministratori i firmës “KURUM”, Julian Zoto. Në këtë takim, nga përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve, është kërkuar zbatimi i detyrimeve të kontratës kolektive dhe i legjislacionit përkatës si dhe rikthimi i punonjësve në punë. Pas këtij takimi, z.Koleci ka bërë të ditur para punonjësve protestues paqësor se ditën e martë në Tiranë, federata industriale do të takohet me përfaqësues të firmës “KURUM”, ku do t’i parashtrohen kërkesat e lartpërmendura dhe në qoftë se reagimi i përfaqësuesve të firmës do të jetë negativ, atëherë protesta paqësore do të përshkallëzohet deri në grevë urie duke vendosur çadrat e ngujimit para portës hyrëse të HEC-eve. Nga ana tjetër përfaqësuesit sindikalistë kanë deklaruar edhe faktin se HEC-i figuron debitor ndaj KESH-it me 10 milionë Euro dhe në këto kushte nuk mund të kryhet shitja e kësaj vepre. Punonjës me një stazh 40 vjeçar në punë, tani, në mënyrë të pakuptimtë hidhen në mes të rrugës. Gjithashtu z.Koleci ka vënë në dukje edhe faktin se punimet e rikonstruksionit nga firma gjermane dhe fondet e shtetit në këto dy-tre vitet e fundit, shtojnë dyshimet për veprime korruptive për të paralizuar veprimtarinë dhe funksionimin e një prej veprave më të mëdha hidroenergjetike të jugut shqiptar. Në këtë tubim u është bërë thirrje edhe Kryekomunarit, deputetëve dhe kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, që të merren seriozisht me këtë problem dhe të rishihen procedurat e shitjes së kësaj vepre.

Protesta e radhës, të martën në Tiranë

Gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit protestë-paqësore prej një ore e gjysmë, forcat e policisë kanë qenë të pranishme, por nuk ka patur konfrontime. Kështu kjo protestë paqësore është mbyllur ashtu si filloi, për të pritur zhvillime të tjera pas ditës së martë të javës së ardhshme, ku pas një takimi me përfaqësuesit e firmës turke “KURUM” me përfaqësues sindikalistë të HEC-eve dhe Federatës Industriale Shqiptare, priten zhvillime të reja. Në rast mosplotësimi të kërkesave dhe reagimi negativ nga ana e përfaqësuesve të “KURUM”-it, pritet përshkallëzim i protestës deri në grevë urie pa afat dhe duke vendosur çadrat e ngujimit para portës hyrëse të HEC “Bistrica”1 dhe 2.

Box

Presioni që po iu bëhet punonjësve

Po kështu kreu i sindikatës së punëtorëve të hidrocentralit “Bistrica” dhe punonjës të tjerë kanë deklaruar se, protesta e nisur nuk do të pushojë, madje do të përshkallëzohet në të gjitha format dhe mënyrat deri në zgjidhjen e problemit të paraqitur në kërkesat e tyre. Punonjës të tjerë, nëpërmjet reagimeve të tyre, kanë vënë në dukje se kanë pasur presione për të firmosur një formular për largimin nga puna dhe pjesa më e madhe janë minoritar dhe përfaqësuesit e firmës, sipas deklaratave të tyre, u kanë thënë se minoritarë nuk do të qëndrojë asnjë në punë në HEC.