Pas dy muajve karantinë, sot qytetarët mund të lëvizin lirisht, oraret e reja

304
Sigal

Për të kaluar pragun e shtëpisë, nuk do të ketë më nevojë që t’i drejtoheni portalit qeveritar për të marrë aprovimin.

Duke nisur nga sot, qytetarët mund të lëvizin lehtësisht, pa u dashur të marrin autorizim. Kjo vlen jo vetëm për këmbësorët, por edhe për automjetet.

Lajmi edhe në këtë rast u dha nga Kryeministri Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, në orët e vona të pasdites kreu i qeverisë prezantoi planin e ri të masave që do të hyjnë në fuqi prej kësaj të hëne.

Duke nisur nga sot, Fieri është kthyer në zonë e gjelbër. Në këtë qytete, aktualisht janë katër persona të konfirmuar pozitivë, por rreziku i transmetimit mbetet i ulët.

Nëse për zonat e kuqe, fasha e lëvizjes është zgjatur nga 17:30 që ishte deri dje deri në 21;00, për zonat e gjelbra nuk do të ketë më kufizime. Qytetarët mund të dalin në çdo kohë, mjafton të respektojnë masat e distancimit social.

Nga ana tjetër, vazhdon të jetë e ndaluar hyrje-dalja e automjeteve në zonat e kuqe.
“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët, gjithashtu!

Ju lutem bëni më të mirën tuaj si deri tani dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. Ndryshime do të bëhen edhe në raport me mediat.

Kryeministri paralajmëroi dje rishikim të aktit normativ për heqjen e ndalesës së studiove për të ftuar jo më shumë se një person.

“Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njeri tjetri”. Sa u takon personat që riatdhesohen pas datës 18 maj, qëndrimi në karantinë për një periudhë 2-javore do të jetë detyrues.

“Masa 14-ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal”.

Kujtojmë, që prej datës 4 maj është vendosur që personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim në zonat e kuqe të vetëkarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë.

Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara. Sot ndërkohë, pas një periudhe mbi dymujore, rinisin aktivitetin baret dhe restorantet.

Save

Share