Kapet në Portin e Durrësit kamioni me 38 kg heroinë, arrestohet kamionisti

358
Sigal

Një kamionist u arrestua në Portin e Durrësit, pasi tentoi të dërgonte në Itali 38 kg heroinë, fshehur në 68 paketa poshtë sediljeve të kamionit. I arretsuari është Dh.Z. nga Babrruja e Tiranës.

Policia njoftoi se strukturat e saj në Durrës, parandaluan dhe goditën një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta. Si rezultat u vu në pranga shtetasi Dh. Z., 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

Në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bazë të analizës së riskut, ushtruan kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në kamionin që e drejtonte ky shtetas dhe si rezultat i kontrollit, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehura brenda të cilëve ishin fshehur 68 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike heroinë me peshë totale rreth 38 kg.

Materialet në ngarkim të shtetasit Dh. Z. iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim”