Paraqitje dinjitoze e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në “Panairi i Librit-2022”

148
Sigal

Promovohen e vlerësohen librat “Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i bektashizmit” dhe, “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, të autorëve Kujtim Boriçi & Nuri Çuni

“Mysafirë të veçantë, enkas, në stendën e Selisë së Shenjtë Botërore Bektashiane, ishin një grup drejtuesish e studjuesish të bibliotekës “Mehmet Jusufi” të Preshevës, udhëhequr nga drejtoresha, zj. Mimoza Saqipi. Shkëmbimet e ndërsjellta të botimeve të dy palëve, bisedave të gjata e informacionit të ndërsjelltë, u shoqëruan dhe me akordin e një vizite pune të ndërsjelltë në të dy bibliotekat. “E kemi të domosdoshëm bashkëpunimin me ju, por dhe me ente të tjera botuese në Shqipëri, e ente të tjera të hapësirave mbarëshqiptare. Se ju i dini vështirësitë dhe kushtet tona. Faleminderit! Së pari, u presim në Preshevë tani, Mirëardhshi!”- pohoi ndër të tjera drejtoresha Mimoza Saqipi.”

Numri në rritje i botimeve të Selisë së Shenjtë Botërore Bektashiane dhe cilësia e preferencat në rritje të lexuesve  për të patur në biblioteka këto libra, shënoi një paraqitje dinjitoze të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në ‘Panairi i Librit-2022”, që u mbyll dje (të dielën), në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ndërsa në një nga ditët e këtij panairi, në “Salla Ovale” të Pallatit të Kongresit, nën përkujdesjen e Petrit Ymerit,  Drejtori i ‘Panairi i Librit-2022” dhe pjesëmarrjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, profesorë, shkrimtarë, studjues e historianë, u bë promovimi i dy librave, “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës” dhe “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”. Pas mirëseardhjes, aktivitetin e çeli Drejtori i ‘Panairi të Librit-2022”, Petrit Ymeri. Rreth  librave folën Prof Bernard Xotaj, Prof. Kaliopi Naska, Prof. Zaho Golemi, Shejh Bujar Harasani, ndërsa Nuri Çuni foli në emër të bashkautorëve.

Petrit Ymeri, drejtor i Panairit

Ndjehem i privelegjuar të drejtoj sot prezantimin e dy librave të përzgjedhur nga botimet e Selisë së Shenjtë Botërore Bektashiane, paraqitur në “Panairi i Librit-2022”, përkatësisht të librave  “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës” dhe “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, të autorëve Kujtim Boriçi. Është domethënës fakti që stenda e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në pjesëmarrjen e pestë të saj në panair, sivjet vjen me një paraqitje të madhe në numër e me libra cilësor, siç janë këto që po promovojmë sot. Për këtë, unë falënderoj Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për përkujdesjen e Tij dhe në këtë drejtim. Këto libra, mendoj se janë një risi jo vetëm në pjesëmarrje, por dhe në tematikën e botimeve të shumta që ekspozohen këtë vit. Me këtë rast, duke ua lënë fjalën profesorëve e studjuesve, unë dua të përgëzoj dhe autorët për këtë punë profesionale e të përgjegjshme.

Prof Kaliopi Nasta

Libri “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, pasqyron ringjalljen e Bektashizmit në vendin tonë pas viteve 90’, në sfidat, vështirësitë dhe nxjerr në pah vlerat universale të Bektashizmit të mishëruara në personalitetet e Haxhi Dede Reshat Bardhit dhe Haxhi Dede Edmond Brahimaj në vazhdim. Libri është një studim shkencor, sepse evidenton disa nga arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe të Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke vlerësuar prurjet dhe kontributet historike, në këtë rrugëtimit të këtij besimi duke shënuar një risi për kulturën dhe historinë bektashiane si dhe impaktin afatgjatë që do të ketë mbi kërkuesit shkencorë të  komuniteteve  fetare dhe atyre publike. Ai reflekton më së miri fjalimet, njohuritë, mesazhet e tij fetare e atdhetare, të gdhendura në shpirtin dhe memorien e besimtarëve të këtij besimi të paqtë dhe sot njihet jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Përmbledhja dhe pasqyrimi i këtyre  arritjeve të kësaj dekade, në vijimësi të traditës shekullore, në veçanti të periudhës pas vitit 1990, kur u ringrit bektashizmi që drejtoi Kryegjyshi Botëror i bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi, dhe në 10- vjeçarin në ringritjen e besimit në periudhën e pluralizmit politik shqiptar, që vazhdon në vijueshmëri dhe në të arthmen në thellimin dhe studimin e mëtejshëm të kontributit të kësaj Kryegjyshate botërore dhe udhëheqësit të saj botëror ku spikatet, roli si klerik, atdhetar e intelektual i Hirësisë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Autorët kanë bërë një punë të çmuar në shfrytëzimin e dokumenteve arkivore, dëshmive mediatike, dokumenteve filmike, rregjistrimeve origjinale, fotografive, duke i sjellë në formën origjinale, kontributet e Dede Edmond Brahimajt. Libri merr vlera dhe përmbush kriteret shkencore për saktësinë e rëferimeve publikimeve, argumentimin e fakteve, që përbëjnë një risi shkencore të një monografie që vazhdon të pasurohet në vijimësi në përballje me sfidat dhe rrit interesin e besimtarëve, lexuesve, nxënësve dhe studentëve. Në libër sillen dhe shkrimet përshëndetëse, analitike studimore të Haxhi Dede Edmond Brahimaj, të cilat pasqyrojnë kontribute në këto vite, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili ka punuar me përkushtim duke vazhduar traditën bektashiane në marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit.

Autorët kanë meritë në pasqyrimin pothuaje të gjithë axhendës mjaft të ngjeshur me veprimtari, e cila të jep mundësinë për të vlerësuar këtë angazhim të math duke dhënë eksperienca jo vetëm për institucionet fetare por dhe për ato universitare dhe shkencore.  Një vend të veçantë në libër, i është kushtuar dhe misionit fetar, atdhetar e shoqëror të Dede Edmond Brahimajt, ku duke bëtë një përmbledhje të aktiviteteve,  në Shqipëri e nëpër botë. …Publikimi i një numri të konsiderueshëm me studime, kumtime, përshëndetje, mesazhe dhe urime të Dede Edmond Brahimajt, ku përshkruhen përpjekjet e dervishëve dhe baballarëve bektashian kontributin e tyre të dhënë nga  fitorja e pavarësisë dhe përpiekjet e bëra deri në ditët e sotme, që përbëjnë  burim dijesh të pasura më fakte historikë dhe për brezin e ri. Me mjaft interes janë dhe mjaft faksimile të disa dokumentimeve ku studiuesit marrin shumë njohuri për të gjithë veprën e tij si Kryegjyshi Botëror të Bektashinjve, në përmbushje të misionit bektashian.  Në përfundim një falënderim për autorët Nuri Çuni e Kujtim Boriçi, për kontributin e dhënë në ideimin dhe përgatitjen e librit, “Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, si dhe të gjithë mbështetësve konsulentëve, bashkepuntorëve shkencorë akademik dhe studiues, gazetarë, specialist arkivistë, muzeumolog dhe të tjerë për prurjet studimore rreth veprimtarisë së Kryegjyshit botëror Dede Edmond Brahimaj.

PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT

Të nderuar profesorë, studiues, historianë e dashamirës të librit, të pranishëm në promovimin e dy botimeve të fundit të Selisë së Shenjtë Bektashiane, “Naim Frashëri, Aposull dhe Bilbil i Shqiptarizmës ” dhe “Haxhi Dede Edmond Brahimaj – 10 vjet Kryegjysh Botëror  Bektashinjve”, aktivitet që zhvillohet nga organizatorët e ‘Panairi i librit-2022”! Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmës, ju falënderoj e bekoj ju për këtë aktivitet dhe vlerat kombëtare që sjellë organizimi i këtij panairi të përvitshëm, në dobi të artit, kulturës dhe historisë së kombit tonë fisnik. Zoti i Madh u bekoftë ju e familjet tuaja, paçi më shumë shëndet, paqe mirësi e dashuri! Në mënyrë të veçantë, dua të falënderoj historianët, profesorët Bernard Zotaj, Kaliopi Naska, Zaho Golemi etj, Drejtorin e Shoqatës së Botueve Shqiptarë e njëkohësisht drejtor I “Panairi I Librit 2022”, që bënë vlerësimet e tyre për të dy librat e, njëkohësisht, autorët e librave, Kujtim Boriçi e Nuri Çuni. Jam plotësisht dokord me vlerësimet e diskutantëve rreth vlerave që sjellin këto dy libra, si në rrafshin e historikut të bektashizmit, ashtu dhe në rolin e personalitetit të madh të këtij besimi, poetit të madh kombëtar, Naim Frashëri. Mendojmë, ashtu sikundër u shpreh dhe këtu, që ky libër është tejet i veçantë në llojin e vet dhe një burim reference e studimi për specialistë, nxënës shkollash, studentë e lexues të thjeshtë.  Ndërsa konceptimi dhe mënyra e realizimit të librit “Haxhi Dede Edmond Brahimaj – 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve”, mbështetur në një punë serioze, përtej portretit e rolit të një kleriku, sjellë një sërë materialesh dokumentare apo të kohës, për pasurimin e historikut të besimit të paqtë tetë shekullor të bektashizmit, devizës së tij kombëtare “Pa atdhe nuk ka fe”, si dhe rolit të tij fetar e atdhetar në Shqipëri e mbarë botën, në bindjen e domosdoshmërisë së paqes njerëzore, dashurisë, harmonisë e solidaritetit për këdo, pa dallim  race, ngjyre, besimi fetar apo bindje…

Përgatiti për botim: Kujtim BORIÇI