Pandemia e Covid-19/ Banka e Shqipërisë merr masa shtesë për stabilitetin financiar

313
Sigal

Në këto momente mbarë bota dhe Shqipëria po përballen me një situatë të pazakontë, një krizë shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, i cili i ka detyruar qeveritë të ndërmarrin masa ekstreme dhe të pezullojnë një sërë aktivitetesh në jetën publike. Të gjithë janë angazhuar për ta përballuar me sukses këtë krizë, në mbrojtje të shëndetit tonë.

Banka e Shqipërisë ka shpërndarë një njoftim për mediat, në të njëjtën kohë duke bërë të ditur se i duhet të menaxhojmë edhe situatën ekonomike, e cila është ndikuar jo pak nga kjo krizë, për t’i ndihmuar agjentët ekonomikë t’u rezistojnë kushteve të vështira dhe për të krijuar mundësitë për një rifillim të mundshëm sa më të mirë.

“Në këtë kuadër, masa të vazhdueshme janë marrë nga institucionet kryesore në vend, në bashkërendim me njëra-tjetrën, për të koordinuar sa më shumë përpjekjet e përbashkëta kundër armikut të padukshëm dhe dëmit që ai po shkakton në jetët tona” – thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Në përgjigje të kësaj situate, Banka e Shqipërisë ka marrë masa të menjëhershme për të mbështetur ekonominë shqiptare të goditur nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Masat e marra kanë synuar zbutjen e efekteve negative në mirëqenien e bizneseve dhe individëve, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Banka e Shqipërisë monitoron vazhdimisht situatën dhe mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon, për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar në veçanti.

Objektivi i vendimmarrjes tonë do të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, lehtësimi i kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kapërcimi i kësaj situate me sa më pak efekte negative që të mos ndikojë zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në këtë drejtim, masat e marra nga Banka e Shqipërisë brenda fushës së saj të kompetencës mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik.