Paketa fiskale 2023/ Hiqet fasha e akcizës për birrën, dyfishohen gjobat për evazionin

113
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nisi sot diskutimet mbi draftin e Paketës Fiskale 2023 me pjesëtare të komunitetit të biznesit.

Projekt paketa nuk synon ndryshime thelbësore në ligjet fiskale vit që vjen bënë të ditur burimet nga konsulta që u bë online ndërmjet zv/ministres së Financave Vasilika Vjero dhe organizatave të biznesit.

Ndryshimi kryesor në projekt-paketën fiskale të vitit 2023 përfshin heqjen e pragut të akcizës i diskutuar për disa vite rresht. Sipas ligjit prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër.

Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Madje edhe birrat e importit shpesh përfitonin nga akciza e ulët duke raportuar kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë hektolitra.

Ndryshimet e tjera në paketën fiskale përfshijnë dyfishimin e penaliteteve ndaj evazorëve. Burimet nga organizatat e biznesit bëjnë me dije është dyfishuar masa e gjobës për punonjësit e paligjshme për nën-raportimet e gjendjes ne arkë dhe masa të tjera të dënueshme me gjobë të parashikuara në legjislacionin aktual ndaj evazionit fiskal.

Projektpaketa fiskale 2023 gjithashtu sjell lehtësime në disa produkte që shërbejnë si lëndë e parë për bulmetin (esenca e hirrës).

Për vitin 2023 parashikohet që disa nga ligjet që do të kenë amendime janë, ai i për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, për Akcizat, për Taksat Kombëtare, etj. Diskutimet me grupet e interesit do të vijojnë përgjatë këtyre ditëve.

Sakaq, qeveria ishte në mes të zbatimit të një strategjie afatmesme fiskale që u hartuar me mbështetjen e FMN, por zbatimi i saj u shty për shkak të krizës ekonomike që krijoi lufta në Ukrainë njoftoi pak ditë më parë Ministrja e Financave Delina Ibrahimi.

Por Misioni i FMN gjatë vizitës për rishikimin e programit me Shqipërinë u shpreh dje se, konsolidimi fiskal duhet mbështetur nga një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (SAA) për të rritur të ardhurat tatimore që janë ndër më të ulëtat në rajon si përqindje e PBB-së.

Fondi rekomandoi se, për periudhën më afatgjatë, të ardhurat më të larta janë të nevojshme edhe për të mbështetur nevojat për zhvillim të Shqipërisë.

“Nxisim autoritetet të përfundojnë dhe të zbatojnë pa vonesa të mëtejshme SAA-në. Strategjia duhet të hartohet dhe të shihet si një plan për reformat tatimore të Shqipërisë, duke zëvendësuar qasjen e deritanishme të copëzuar ndaj ndryshimeve të politikës tatimore. Përtej rritjes së të ardhurave, stabiliteti dhe parashikueshmëria e sistemit tatimor do të lehtësojë administrimin tatimor dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mjedisit të biznesit. Në këtë kontekst, ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, si dhe ndikimin negativ në përmbushjen tatimore”, u shpreh Fondi në deklaratën zyrtare.

Marrë nga: Monitor