“Ishte një reagim i momentit”, trajneri i PSG-së tenton të qetësojë Mbappe-n: Periudhë zhgënjimi

120
Sigal

Trajneri i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier, ka hedhur poshtë kritikat ndaj Kylian Mbappes në fundjavë, duke thënë se ishte thjesht një reagim momenti.

23-vjeçari postoi një storie në Instagram pas paraqitjes së dobët të skuadrës së tij kundër Reims në Ligue 1, e cila përfundoi në barazim 0-0.

Francezi më parë kishte qenë i hapur për të kritikuar rolin e tij në klub, duke pretenduar se ai bën shumë më tepër duke luajtur pas një sulmuesi qendror, si Olivier Giroud, sesa si vetë qendërsulmues.

“Ishte një reagim momenti, pas një periudhe zhgënjimi”, ka deklaruar Galtier.

“Kam folur shumë me Kylian në fillim të sezonit dhe kam qenë shumë i vëmendshëm ndaj komenteve të tij kur ai luante për Francën, duke thënë se ndihej më mirë në formacionin sulmues të Les Bleus”.

“Gjatë para-sezonit ne folëm me (drejtorin e futbollit) Luis Campos dhe presidentin (Nasser Al-Khelaifi) për të marrë një sulmues të katërt, me një profil tjetër, i cili do të lejonte dy sulmues dhe që Kylian të luante sa më shumë që të ishte e mundur te zona e tij e preferuar.

“Kylian ndonjëherë e gjen veten në mes dhe të krijohet përshtypja se është një strumbullar. Por, ai është një lojtar i zgjuar që është i aftë të përshtatet”.

Pakënaqësia e Mbappe në pozicionin e tij nuk mund të ndikojë shumë në lojën e tij, pasi ka shënuar 11 gola në 13 ndeshje – edhe pse ai nuk ka asistuar ende tek ndonjë nga shokët e tij të skuadrës.