OSHEE: Nga 1 janari 2022, çmimi i energjisë do dyfishohet

3695
Sigal

Mbi 7358 biznese do të detyrohen të blejnë vetë energjinë në tregun e lirë ose do e paguajnë me dyfishin e çmimit. Kjo do të bëjë që një pjesë të falimentojnë ose do të rrisin çmimet e mallrave , të cilat në fund do ti paguajnë qytetarët. Për shkak të varfërisë mbi 55% e familjeve nuk përballojnë dot ngrohjen në banesa

 

Situata me çmimet pritet të mbetet problematike për të paktën dy vite dhe kjo do të thotë që kostot e energjisë do të jenë të larta për bizneset. Ndikimi i kësaj rritjeje do të reflektohet tek produktet finale të tyre e për rrjedhojë do të transferohet tek konsumatori final

 

 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi këtë të mërkurë se tashmë sistemi që mundëson daljen e bizneseve në tregun e lirë në vijim të liberalizmit është gati. Më herët kompania bëri me dije se janë 7358 biznese që do të detyrohen që nga janari 2022 të blejnë vetë energjinë në tregun e lirë përmes kontratave me furnizues privat. Nëse këto subjekte nuk arrijnë të lidhin një kontratë me një furnizues privat atëherë këtë energji do ta sigurojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) pjesë e shpërndarjes por me çmimin e tregut.

“Në zbatim të ligjit Nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” i ndryshuar, Neni 86, pika 6, dhe 109 të tij; Urdhrit Nr. 28, datë 18.01.2021 “Për miratimin e udhërrëfyesit për hapjen e tregut dhe de rregullimin e çmimit të energjisë elektrike”, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ju njoftojmë për plotësimin e kushteve teknike të instalimit të sistemit të matjes për daljen në treg të liberalizuar nga data 1 janar 2022.

Ju keni mundësi të furnizoheni nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit dhe jeni të detyruar të lidhni një kontratë furnizimi me një furnizues të ri, të licencuar që ushtron aktivitetin e tij në tregun e liberalizuar, brenda 2 viteve nga fillimi i kontratës së furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Në përfundim të kësaj periudhe, në rast se ju, nuk keni arritur të lidhni një kontratë furnizimi me furnizues alternativ, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në zbatim të ligjit, do të procedojë me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Afati 2 (dy) vjeçar përfundon në 1 janar 2024, dhe për të evituar situata që mund të dëmtojnë ushtrimin e aktivitetit Tuaj, jeni të lutur të merrni masa për sa më sipër” sqaroi OSHEE.

Kompania ka bërë publike edhe listën përkatëse të bizneseve që do të dalin në treg të lirë ku secili sipas rajoneve mund të identifikohet me numrin e kontratës që ka si dhe me numrin e matësit.  Bizneset që dalin në treg të lirë janë ata të lidhur në tension 20kv,10kv dhe 6 kv. https://oshee.al/njoftim-per-plotesimin-e-kushteve-teknike-te-instalimit-te-sistemit-te-matjes-per-daljen-ne-treg-te-liberalizuar/?fbclid=IwAR3MGweXCG5HP-EiBbK4M_GWyYqTcgjaJIzLiVUMr5-Wro9jjQm1dt3AUTk

Çmimet në tregun e lirë në nivele rekord

Momenti në të cilin do të dalin në treg të lirë të paktën 7358biznese është ndoshta më i pafavorshmi për ta për shkak se një kilovat energjie po shitet me 25 lekë ku për disa kategori është një shifër më shumë se dy herë në raport me atë që paguajnë. Aktualisht bizneset e lidhur në 20 kilovolt paguajnë 1 kwh energji 11 lekë ndërsa në pik 12.65 lekë po kaq paguajnë edhe ata të lidhur në tension 10/6 kv.

Ky është një nga vitet më problematikë sa i takon sigurimit të energjisë pasi çmimet në bursa arritën mbi 330 euro/Mwh. Bizneset e lidhur në tension 35 kv të cilët po e sigurojnë të vetëm energjinë prej disa vitesh shprehën shqetësimin se nga 10 lekë/kwh që kishin më parë kontratat për vazhdimin furnizuesit u kanë ofruar çmime mes 20-25 lekë/kwh.

Situata me çmimet pritet të mbetet problematike për të paktën dy vite sipas njohësve të tregut dhe kjo do të thotë që kostot e energjisë do të jenë të larta për bizneset që do ta sigurojnë të vetme atë. Ndikimi i kësaj rritjeje do të reflektohet tek produktet finale të tyre e për rrjedhojë do të transferohet tek konsumatori final.

 

Varfëria privon 55% të familjeve të përballojnë ngrohje në shtëpi

Shumica e atyre që kanë moshën 65 vjeç ose më sipër dhe jetojnë të vetëm nuk arrijnë dot të përballojnë ngrohje të përshtatshme në shtëpi për shkak të kushteve ekonomike.

Një raport i publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për varfërinë energjetike merr në analizë një sërë vendesh ku ndër të tjera edhe Shqipërinë nga ku rezulton se një grup jo i vogël individësh janë të prekur nga ky aspekt.

“Përqindja e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë të përshtatshme bie kur të gjithë familjarët merren në konsideratë. Shifra tregon se pjesa më e lartë e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë të përshtatshme janë ato me një person të rritur 65 vjeç ose më shumë dhe ku rezulton se 55% e familjeve me këtë profil nuk janë në gjendje ta mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrën e duhur. Në të njëjtën kohë, 37% e të gjitha familjeve nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë duhur” thuhet në raportin e Sekretariatit.

Studimi ka analizuar të dhënat mbi pamundësinë për të mbajtur ngrohtë një familje me të ardhura nën 60% të të ardhurave mesatare të ekuivalizuara dhe kap familjet më të prekura. Shifrat tregojnë se familjet me femra beqare përballen me vështirësitë më të mëdha për të mbajtur shtëpitë e tyre të ngrohta ku 71% e familjeve femra beqare në vitin 2019 nuk ishin në gjendje të mbanin shtëpitë e ngrohta. Në mënyrë të ngjashme, megjithëse me vlera pak më të ulëta vërehen situate edhe kur kemi një të rritur me një fëmijë në ngarkim ose siç u nënvizua me një të moshuar.

“Këto rezultate tregojnë në finale se ndoshta familjet me prind të vetëm, pensionistët e vetëm dhe familjet me një person të vetëm përballen me vështirësitë më të mëdha në mbajtjen e shtëpive të tyre të ngrohta. Në përgjithësi, 54% e familjeve me të ardhura më poshtë 60% të të ardhurave mesatare të ekuivalizuara kishin vështirësi në mbajtjen e shtëpive të tyre të ngrohta në vitin 2019” thuhet në studim.

Dokumenti analizon edhe familjet që përballen me çatitë apo dritaret e dëmtuara ku një pjesë jo e vogël e familjeve të profilit që nuk kishin ngrohjen e përshtatshme binin edhe në këtë kategori.

Nga të dhënat e përpunuara raporti nënvizon se 37 për qind e familjeve shqiptare bëjnë pjesë në atë që quhet varfëri energjetike duke mos pasur mundësi të kenë ngrohje dhe kushte optimale në shtëpitë e tyre. Kjo llogaritet në mbi 272 mijë familje. Duke qenë se të dhënat zyrtare mungojnë nga ana e Sekretariatit është nënvizuar nevoja që Instituti i Statistikave të ketë një matje edhe për këtë aspekt.