Organizatat e familjeve të dëshmorëve bëjnë zgjedhjet

1474
Prof. Dr. Luftulla PEZA

Gjatë muajit nëntor Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Shqipërisë dhe ajo e Tiranës bënë analizat e punës 4-vjeçare, morën vendime për përmirësimin e gjendjes në organizatë dhe zgjedhjet e reja për drejtuesit e tyre. Sipas këtij plani çdo gjë shkon në rregull në këto organizata, por fatkeqësisht vetëm në letër. Dëshmorët janë krenaria e çdo vendi. Liria në çdo vend është fituar me gjak dhe ky është gjaku i Dëshmorëve të Atdheut. Prandaj ndaj dëshmorëve në të gjitha vendet e botës ka kujdes të veçantë dhe familjet e tyre respektohen me ligje të veçanta. Në Shqipëri, ku varfëria dhe halle të tjera kanë pushtuar vendin edhe dëshmorët nuk

gjejnë qetësi. Kjo ndihet shumë edhe në familjet e dëshmorëve. Dëshmorët dhe bashkëluftëtarët e tyre luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit. Për këtë luftuan të gjithë dëshmorët, disa të renditur në formacionet e Çetave Atdhetare si ajo e Pezës,Dibrës, Vlorës etj. dhe në njësitet partizane, legalitetit, balliste apo çetat territoriale. Të gjithë ata që luftuan për çlirimin e Atdheu dhe ranë në Luftë për të, pavarësisht bindjeve të tyre politike, quhen dëshmorë të Atdheut.

Dy ideale kanë pasur dëshmorët në gji, kur luftuan dhe dhanë jetën : 
1- Çlirimi i Atdheut nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët vendas dhe 
2- Sigurimi i jetesës më të mirë për të gjithë popullin.

Disa dritëshkurtër ende sot e kuptojnë “që dëshmorët instaluan komunizmin në Shqipëri”, disa të tjerë po të tillë i quajnë “tradhtarë ata që luftuan fashizmin dhe ranë në luftën çlirimtare nga njësitë e legalitetit apo balliste, sepse krerët e këtyre organizatave bashkëpunuan me armikun. Kështu kemi dy organizata dëshmorësh, që politika, në vend ti bashkojë, i përçanë më shumë.

Organizata e Familjeve të Dëshmorëve ka rëndësi mjaft të madhe për vendin, sepse jo vetëm kështu nderohen dëshmorët, por ajo mban të gjallë amanetin e bijve të tyre , që e përcjell në shoqëri. Por organizatat tona të familjeve të dëshmorëve janë mjaft larg këtyre idealeve. Në sistemin e kaluar organizata ishte levë e PPSh dhe sot ajo më tepër punon si levë e socialistëve, se sa e vetë familjeve të dëshmorëve. Kjo frymë u vu re në raportet e paraqitura, ku më shumë përmendej euforia dhe shumë pak hallet që kanë familjet e dëshmorëve dhe vetë dëshmorët. Gjendja ekonomike e familjeve të dëshmorëve është mjaft e vështirë dhe në raport ajo duhet të zinte vendin kryesor. Papunësia, pensionet e ulëta, mos kthimi i pronave etj. e rëndojnë situatën dhe e bëjnë mjaft kritike. Ndërsa shteti po paguan me të drejtë familjet e të përndjekurve politikë, për familjet e dëshmorëve nuk shihet asnjë ndihmë. Shteti komunist e pagoi me qindarka gjakun e dëshmorëve në luftën për çlirim dhe sot familjet e dëshmorëve nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti. Në Varrezat e Dëshmorëve në vend të ishin të punësuar nga familjet e dëshmorëve, në fakt janë të punësuar njerëz pa asnjë lidhje me dëshmorët. Ende familjet e dëshmorëve rendin nëpër zyrat e shtetit për kthimin e pronave të shtetëzuara nga shteti komunist ose për halle të tjera, por asnjë ndihmë nuk ndjejnë nga administrata. 

Megjithëse babai Hasan Peza luftoi me heroizëm dhe ra dëshmor për çlirimin e Atdheut, qeveria komuniste në vend që të na ndihmonte të përballonin jetën me nënën ish-partizane, na i shtetëzoi pronat në Pezë (truall, toka, ullishte, pyje). Babai im ka qenë pasanik, një pjesë të pasurisë e hëngrën partizanët, një pjesë e vodhën fashistët dhe atë që mbeti, tokat, i mori qeveria komuniste më 1946 me reformën agrare. Kështu u kthyem në proletarë, vetëm me leckat e trupit, me të cilat dolëm nga Lufta. Qeveritë shqiptare në vend të na i kthejnë pronat në Pezë, na sorollatin në agjencinë e kthimit të pronave. Nga ana tjetër Bashkia e Tiranë në pronat e babait dhe xhaxhait tim në Pezë mundohet të ngrejë park, që të mos na kthehen kurrë. Për punë mjaft të mirë shkencore, që në vitin 2005 ministri i industrisë dhe energjetikës i ka bërë propozimin qeverisë të më japë pension të veçantë, por asnjë miratim nga qeveritë shqiptare nuk po bëhet, megjithëse jam bir dëshmori dhe i shquar në shkencë. Kur i ngrita këto probleme në mbledhje e organizatës së Tiranës dhe kërkova ndihmë, nuk i erdhi mirë nënkryetarit Buxheli dhe më përmendi vendimet, që kishte marrë qeveria komuniste. Por ne nuk kërkojmë letra, kërkojmë kthimin fizik të pronave dhe respekt më të madh për baballarët, që dhanë jetën për Atdheun dhe popullin. Këto dhe probleme të tjera i kam ngritur disa herë nëpër mbledhje dhe me letra kryetarit, por asnjë ndryshim nuk vihet re, sepse organizata e Familjeve të Dëshmorëve ende është mjaft e shkëputur nga vetë hallet e familjeve të dëshmorëve dhe sheh më shumë hallin ta ketë mirë me partinë. Organizata e Familjeve të Dëshmorë të Pezës është organizata më kryesore në rrethin e Tiranës dhe në shkallë vendi. Ajo ka aktivitet më të gjerë, sepse edhe veprimtaria luftarake antifashiste në Pezë ka filluar më herët dhe me dendësi luftimesh më të mëdha se në krahinat e tjera të vendit. Në Pezë filloi Lufta Nacional-Çlirimtare, ku më 5 qershor 1940 u themelua Çeta e parë Atdhetare e vendit dhe në shkallë evropiane nga Babë Myslim Peza, e cila filloi luftën kundra pushtuesve fashistë. Organizata e Pezës, në bazë të një plani vjetor, është marrë me përkujtimin e datave historike të krahinës, të mbajë lart moralin e familjeve të dëshmorëve dhe të gjallë shpresën. Ç’do vit përkujtojmë datat historike, ku janë bërë luftime dhe është derdhur gjaku për liri:

-5 Qershor 1940- themelohet Çeta Atdhetare e Pezës nga Babë Myslim Peza, heroi legjendar i Luftës Çlirimtare. 

-13-16 mars 1941, 13 marsi është ditë e madhe historike, kur një njësit i Çetës së Pezës, drejtuar nga Hasan Peza, sulmoi për herë të parë forcat ushtarake italiane në Pezë të Vogël. 

-25 mars 1943, themelimi i batalionit 3 të grupit partizan të Pezës “Kajo Karafili”, në Çetë të Kavajës,

-5 maj, Dita Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut. Në mënyrë të organizuar bëjmë vizita në familjet e dëshmorëve të zonës sonë, bisedojmë me ta për kujtimin e lënë nga dëshmorët, amanetet e tyre. 

-24 gusht 1944, dita përkujtimore e vrasjes në befasi të Mustafa Gjinishit, ish-komisar i Çetës së Pezës, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl, pjesëmarrës i Konferencës së Pezës dhe sekretar i frontit, që doli nga kjo konferencë. Vrasja u krye nga drejtuesit e divizionit të parë; Dali Ndreu, komandant, Hysni Kapo, komisar dhe Liri Gega e dërguara e KQ të PK Shqiptare dhe Ndreko Rino, që shkrehu koburen.

-16 shtatori 1942, përvjetori i Konferencës së Pezës, konferencës së parë, ku u mblodhën të gjithë përfaqësuesit politikë të vendit për një qëllim të madh: çlirimin e vendit nga fashizmi dhe vendosjen e shtetit demokratik.

-28 shtator 1942, përvjetori i masakrës fashiste italiane në Pezë të Vogël, si hakmarrje për Konferencën e Pezës
-dhjetor 1942 masakra fashiste në Grecë dhe Pajonë, u vranë me dhjetëra njerëz, por morali i pezakëve nuk u thye
-prill 1943 themelohet në Shijak batalioni i 4 i Grupit Partizan të Pezës
-13 tetor 1943 Lufta heroike e Arbanës midis forcave të Çetës së Pezës dhe atyre gjermane, që deshën të rrethojnë dhe të kapnin gjallë krerët e Shtabit ë Përgjithshëm të LANÇ, që ishin në Arbanë.
-17 nëntor 1944, dita e çlirimit të Tiranës. Mblidhemi çdo vit tek monumenti i Partizanit, për të përkujtuar ditën e çlirimit të Tiranës, duke nderuar ata, që luftuan për çlirimin e kryeqytetit dhe ata, që dhanë jetën për të. 

-18 tetor 1944 themelohet në Pezë brigada 22 S., që mori pjesë në çlirimin e Shqipërisë së mesme, Mirditës, Shkodrës dhe vazhdoi më tej në Mal të Zi dhe Kosovë.
-28-29 nëntor, përkujtimi i ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe i Çlirimit të Atdheut nga fashizmi
-dhjetor 1944, përkujtohet masakra e Shënkollit, ku u masakruan 27 mbështetës antifashistë.
Në të gjitha këto data anëtarët e organizatës sonë marrin pjesë dhe vizitojnë familjet e dëshmorëve. Gjatë vizitave në familjet e dëshmorëve kam vënë re varfërinë dhe kam dëgjuar shqetësimet e tyre. Varfëria dhe mos kujdesi i pushtetit janë dy hallka kryesore. 

Historia e Pezës dhe e veprimtarisë së Çetës së saj janë lënë në mes të rrugës nga historianët shqiptar. Gjatë komunizmit ishte parimi: “sa më pak të përmendej Çeta e Pezës dhe veprimtaria e saj, për të mos u bërë hije veprimtarive të tjera”. Ky parim vazhdon edhe sot nga historianët. Me gjithë atë kuadro drejtuese në Çetën e Pezës Sali Verdha, Sherbet Karuli, Idriz Shehi dhe Doc. Kadri Dingu e kanë lënë të gjallë të shkruar heroizmin pezak në shumë libra, artikuj, kujtime etj. Punën e tyre mbi historinë e Pezës dhe të heroizmit pezak e vazhdojnë Shefqet Karaj, Xheladin Çelmeta, Muhamed Kalaja, Xhevdet Çelmeta, Astrit Çelmeta, L. Peza etj.

Por fashistët italianë dhe gjermanë, që u ndeshën në shumë luftime me luftëtarët e Çetës së Pezës e njohën mirë trimërinë, guximin dhe sakrificën e luftëtarëve pezakë dhe e kanë lënë vetë të shkruar me dorën e tyre trimërinë dhe qëndresën e pezakëve në librat dhe kujtimet e tyre. 
Sigal