Organet e drejtësisë mbrojnë padrejtësitë e pushtetarëve lokalë

484

PROCEDIMI/ Prokurori i Elbasanit pezullon çështjen gjyqësore të gazetares Era Çela

Shkak për këtë shkrim u bë mbyllja e kallëzimit penal bërë në Prokurorinë e Elbasanit nga gazetarja Era Çela, e cila është kërcënuar për shkak të detyrës. Nisja e kësaj çështje lidhet me botimin e datës 15 shkurt 2013, ku në shkrimin e gazetares Çela jepeshin fakte për emërimet që bënte ish-deputeti i PD-së, Rrahim Çota. Shkrimi ka pasur titullin “Deputeti i PD, Rrahim Çota emëron nusen e nipit edukatore”(Nexhmije Çota ). Që nga nisja e procesit gazetarja ka marr kërcënime të ndryshme nga persona të ndryshëm për të mos vazhduar më me problemet e arsimit. Por në të gjitha shkrimet që janë botuar është kërkuar që strukturat shtetërore të hetojnë lidhur me këto emërime dhe afera korruptive, madje për këto flet dhe një memo e zbardhur në rrugë konfidenciale.

Rasti

Ditën e shtunë më datën 16.02.2013 në orën 11:50 mbas shumë thirrjeve me numër të fshehtë në telefonin e gazetares Era Çela mbërrin një sms kërcënues “Pse nuk e hap telefonin. bëj ctë duash, ndërroje numrin, po përballë do më dalësh noj herë, ti ku do shkosh, do të bëj panoramë, për atë që ke bërë dhe në polici të shkosh ma dërgo numrin, nuk e vras mendjen, po ti ku do të fushtesh, ajt tung, zysha me diplomë”. Mesazhi është dërguar nga numri  00355697288126. Pas këtij sms gazetarja ka njoftuar eprorët e saj në Tiranë si dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë. Po atë ditë dhe vetë Daut Çota (biznesmen) i ka telefonuar gazetares disa herë më numrin  0692060203. Po kështu, po atë ditë të shtunën në mënyrë publike ky person e ka ofenduar në mes të Librazhdit, ku të pranishëm kanë qenë persona të tjerë, të cilët prokuroria duhet t’i hetonte. Ndërkohë që në datën 19 shkurt në gazetë janë bërë publike përmbajtjet e sms-ve kërcënuese, ku në mënyrë publike gazetarja i drejtohej dhe Prokurorit të Republikës së Shqipërisë, me titull “Hakmarrja e Deputetit Çota/ Mafia e arsimit në Librazhd, kërcënon gazetaren Era Çela, ja faktet për Nishanin dhe Llallën”. Ndërkohë që, po atë ditë ka bërë kallëzim Penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për kërcënimin. Sipas Prokurorit Milan Laskaj, Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Elbasan kërcënimi ndaj gazetarëve nuk përbën kërcënim, por ledhatim.

Përgjigjja e kthyer

Në përgjigjen e kthyer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit me vendimin nr.protokolli 395 datë 21.05.2013, shkresë që e marr të premten në datën 24.05.2013, ku thuhet se në bazë të procedimit penal nr.311 të vitit 2013, për veprën penale të parashikuar nga neni 275 i Kodit Penal pushohet çështja shkruhet se: “Unë Milan Laskaj, Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi studiova aktet e procedimit penal nr.312 të vitit 2013, për veprën penale të “përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike”, parashikuar nga neni 275 i Kodit Penal… pushoj këtë çështje gjyqësore, sepse shtetësia Nurie Çota, studente e Fakultetit të Filozofi Sociologji Elbasan, pa shkëputje nga puna që ka në përdorim numrin 0697288126 nuk ka dërguar sms kërcënuese dhe as i ka bërë thirrje telefonike shtetases Era Çela dhe mbi të gjitha as nuk e njeh gazetaren…ku midis të tjerash sipas Prokurorit… kjo shtetase as nuk ka patur interes dhe as ka patur dijeni për këtë artikull…”. Pra, sipas z.Laskaj rezulton se, nga hetimet e kryera drejt numrit celular 0696101456, nuk ka asnjë thirrje hyrëse dhe dalëse nga numri celular 0697288126, ky numër ka dërguar vetëm një sms më datën dhe orën që deklaron kallëzuesja. Sipas tij, teksti i këtij mesazhi nuk ka elementë të veprës penale. Teksti i këtij mesazhi në përmbajte dhe kuptimin e tij nuk ka as elementë të kanosjes që e parashikon dispozita përkatëse. Kërkesa e dispozitës së nenit 275 të Kodit Penal kërkon që përdorimit të thirrjeve telefonike keqdashëse dhe që bëhen me qëllim konkret etj., për t’i prishur qetësinë tjetrit. Por ne kemi një pyetje për zotin Laskaj, i cili duhet të përgjigjet se nga kush është shkruar kjo sms dhe kush e ka dërguar në celularin e gazetares Çela. Pra, pak a shumë ky është teksti i hetimit të Prokurorit Milan Laskaj, i cili nuk e gjykon dhe çmon si të paarsyeshme këtë kallëzim penal të bërë nga ana e gazetares. Gazetarët kanë vetëm penën dhe nuk kanë armë me vete për t’u mbrojtur, ata besojnë tek ligji dhe drejtësia. Gazetares, pushimi i çështjes i duket një veprim jo ligjor, ku mbi të gjitha humbasin vlerat e drejtësisë.