OKB: Fuqizimi i grave shqiptare vjen nga vetëpunësimi dhe sipërmarrja

50
Sigal

Gratë dhe vajzat shqiptare mund të fuqizohen përmes vetëpunësimit dhe mbështetjes së njëra tjetrës. Ky ishte një nga përfundimet e takimit që zhvilloi zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë me gra sipërmarrëse.

Përfaqësuese të grave të vetëpunësuara dhe sipërmarrëse pohuan se, me angazhimin e tyre, ato mund të ulin varfërinë dhe të sjellin një zhvillim të qëndrueshëm, ndonëse kushtet e punës dhe mundësitë ekonomike në Shqipëri ndikohen nga pabarazitë gjinore.

Një seri biznesesh të themeluara dhe të përbëra nga gratë dhe vajzat shqiptare shkëmbyen sot përvojat e tyre në Tiranë në një takim me Kombet e Bashkuara dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Drejtuesja Etleva Laro e kompanisë Efa Solution dhe Prodyn Shoes, ku 86 për qind e punonjësve janë gra e vajza, thotë se ajo ka besim të madh tek vlerat dhe aftësitë e tyre dhe mbi këtë besim bazohet gjithë biznesi.

“Ne ia kemi dalë t’i angazhojmë gratë dhe vajzat, i kemi bërë të rëndësishme në profesionin e tyre dhe pas kësaj kemi parë një rezultate të jashtëzakonshme në përkushtimin e tyre dhe në zhvilimin e tyre. Këta njerëz mund t’i gëzosh edhe me gjeste të thjeshta, t’i dëgjosh, t’u marrësh një mendim dhe disa prej tyre ndoshta për herë të parë në jetë shohin se mendimet dhe idetë e tyre kanë vlerë”, thotë zonja Laro.

Krahas bizneseve të mëdha, ku gratë sipërmarrëse punësojnë gra të tjera, janë edhe punëtoritë e vogla, ku vetëpunësimi është shumë i zhvilluar.

Kumrije Bejrushi është një artizane e Krujës, që ka mësuar qysh nga fëmijëria qëndisje dhe rrobaqepësi, e ndonëse ka 6 vjet me një biznes të vogël, prodhimet e saj kanë shkuar kudo ku jetojnë shqiptarët. Prodhimet e saj janë kryesisht flamuj dhe kostume kombëtare.

Kumrija thotë se nuk i ka qejf kreditë bankare, se e pengojnë, as tregtarët e ndërmjetëm, se ua ulin çmimet zejtarëve dhe i shesin prodhimet shtrenjtë më pas.

“Një numër i madh grash e vajzash në Krujë dhe gjithë Shqipërinë qëndisin nëpër shtëpi, dhe prodhimet e porositura më herët ua shesin tregtarëve me mirëkuptim. Bizneset e vogla mund ta mbështesin fort njëra tjetrën me projekte, porosi, informacion dhe kontakte biznesi”, thotë zonja Bejrushi.

Fuqizimi i grave përmes vetëpunësimit dhe projekteve të biznesit nis si lëvizje për mbijetesë, por më pas ato janë bërë qindra biznese të madhësive te ndryshme, ku grate nismetare punesojne gra te tjera.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka në Tiranë një zyrë që i mbështet ato me kredi, këshilla dhe ndihmë teknike

“Ne jemi angazhuar që së paku 40 për qind e gjithë projekteve të EBRD-së të plotësojnë standartet e barazisë gjinore. Banka Europiane ka miratuar për këtë një strategji për shanse të barabarta dhe po e zbaton kudo, ku është shtrirë, e sidomos në Ballkanin Perëndimor”, tha Ekaterina Solovova, përfaqësuese e EBRD-së në Shqipëri.

Pjesëmarrja e grave në forcën e aftë për punë dhe në tregun e punës sa vjen e rritet nga viti në vit, ndërsa është vërejtur edhe një ngushtim i vazhdueshëm i hapësirës midis pagës së tyre dhe pagës së burrave, për shkak të shkollimit të tyre më të mirë dhe aftësive më të larta në administrim biznesesh.

“Rreth 45 për qind e fondeve që ka shpërndarë qeveria shqiptare për start up-et gjatë vitit të kaluar ka shkuar drejt grave. E njëjta shifër është shpërndarë edhe nga AIDA para disa vitesh për financimin e SME-ve. Pra 45 për qind janë fonde të marra nga gratë”, thotë Delina Ibrahimaj, ministre për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit.

Pjesëmarrëset në tubimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women), që përfaqësonin disa dhjetëra biznese vendase me sipërmarrëse gratë, biznese të mëdha, të mesme e të vogla të drejtuara prej tyre, diskutuan gjatë për të shkëmbyer të dhëna, përvoja dhe bashkëpunim, si dhe për të rritur pjesëmarrjen e grave në ekonominë e vendit./VOA