Ceremonia në Bruksel/ Parlamenti Europian i jep Tiranës titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023”. Erion Veliaj: Një tjetër sukses

107
Sigal

Në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori këtë titull. Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se viti 2023, që do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet, dhe do të jetë një parapërgatitje për Shqipërinë si pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare. “Falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë histori suksesi, duke qenë se janë me qindra qytetet që aplikojnë për këto tituj. Ky është aktiviteti më i madh sportiv që ndodh në Parlamentin Europian. Dua të falenderoj shumë grupin tonë parlamentar, deputetët, Taulant Ballën, kryetarin e grupit; dua të falenderoj deputetët e djathtë europianë, sidomos zv/Presidentin e Parlamentit Europian, nga e djathta – në dallim nga Shqipëria, këtu e majta dhe e djathta bashkëpunojnë për punë të mira, që të ecin përpara. Ky është një shembull që duhet ta ndjekim edhe ne. Por, ajo që është më e rëndësishmja, dua të falenderoj të gjitha strukturat tona sportive, duke filluar nga Drejtoria e Sportit të Bashkisë së Tiranës, Sport Klub Tirana, që do të jetë mikpritëse e pjesës më të madhe të aktiviteteve vitin tjetër. Dua të falenderoj me gjithë zemër Komitetin Olimpik, Fidelin, Ministrinë e Arismit dhe të Sportit, Ertridin, Evisin. Si një familje kampionësh ne do të prodhojmë një super sukses për Tiranën tonë,” -tha Veliaj. Ai shprehu bindjen se viti 2023, që do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet, do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare.

“Është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike në 2024 dhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2026. Një njeri mund të fitojë një ndeshje, por duhet një skuadër për të fituar një kampionat dhe sot skuadra e Tiranës, e ka fituar këtë kampionat,”- vijoi Veliaj.

Ndërsa eurodeputeti Andrey Kovatchev, njëkohësisht zv. President i Partive Popullore Europiane tha se mesazhi i sportit është të bashkojë dhe integrojë njerëzit.