OBSH: 17.5% e njerëzve do të përjetojnë infertilitet! Faktorët e rrezikut për burrat dhe gratë

108
Sigal

Një në gjashtë njerëz në mbarë botën janë të prekur nga infertiliteti, sipas një raporti që nxjerr në pah shkallën e problemit.

Rreth 17.5% e popullsisë së rritur globale do të përjetojnë infertilitet në një moment të jetës së tyre, thotë raporti 98 faqesh i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Shifrat janë vlerësimet e para të prevalencës së infertilitetit në më shumë se një dekadë (prevalencë – përqindja e një popullate që ka një karakteristikë specifike në një periudhë të caktuar kohore).

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, tha se raporti nxirrte në pah rëndësinë e infertilitetit si një çështje e shëndetit publik dhe tregoi se ekzistonte një nevojë urgjente për të zgjeruar aksesin ndaj fushatave për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve.

“Shkaqet e infertilitetit janë të ndryshme dhe shpesh komplekse dhe është diçka që e përjetojnë si burrat ashtu edhe gratë,” tha Tedros.

Nisur nga ky raport, cilët janë faktorët e rrezikut për burrat dhe gratë?

Së pari: Përkufizimi i infertilitetit

Një diagnozë e infertilitetit do të thotë që nuk keni qenë në gjendje të mbeteni shtatzënë pas një viti përpjekjeje. Nëse jeni një grua mbi 35 vjeç, kjo do të thotë që nuk keni qenë në gjendje të mbeteni shtatzënë pas 6 muajsh përpjekje.

Gratë që janë në gjendje të mbeten shtatzënë, por nuk arrijnë ta mbajnë për shumë gjatë shtatzëninë, mund të diagnostikohen gjithashtu me infertilitet. Një grua që nuk ka qenë kurrë në gjendje të mbetet shtatzënë do të diagnostikohet me infertilitet primar. Një grua që ka pasur të paktën një shtatzëni të suksesshme në të kaluarën do të diagnostikohet me infertilitet sekondar. Infertiliteti nuk është vetëm problemi i grave.

Studimet tregojnë se një e treta e rasteve të infertilitetit ka të bëjë me infertilitetin femëror, ndërsa problemet e burrave përbëjnë një të tretën tjetër. Pjesa tjetër e rasteve mund të shkaktohet nga një kombinim i infertilitetit mashkullor dhe femëror, ose mund të mos kenë ndonjë shkak të njohur.

Shkaqet më të shpeshta të infertilitetit te burrat

– prodhimi joefektiv i spermatozoideve
– numri i spermatozoideve
– forma e spermës
– lëvizja e spermës

Faktorët e rrezikut

– mosha e vjetër
– pirja e cigareve
– përdorimi i alkoolit
– mbipesha ose obeziteti
– ekspozimi ndaj toksinave, të tilla si pesticide, herbicide dhe metale të rënda

Shkaqet më të shpeshta të infertilitetit te gratë

– ovulimi
– probleme me fekondimin, i cili ndodh kur spermatozoidi takon vezën
– veza e fekonduar nuk zhvillohet në fetus

Faktorët e rrezikut

– mosha në rritje
– pircja e cigareve
– përdorimi i alkoolit
– mbipesha, obeziteti ose nënpesha
– infeksione seksualisht të transmetueshme që dëmtojnë sistemin riprodhues

Burrat duhet të planifikojnë të konsultohen me një mjek nëse kanë probleme me funksionimin erektil, ejakulimin, dëshirën e ulët seksuale, dhimbje ose ënjtje në zonën gjenitale ose nëse u janë nënshtruar më parë një operacioni në zonën gjenitale.

Pjelloria e gruas fillon të ulet pas moshës 30-vjeçare. Gratë nën 35 vjeç duhet të vizitojnë një specialist pas një viti që përpiqen të mbeten shtatzënë, ndërsa gratë 35 vjeç e lart duhet të shkojnë te specialisti pas 6 muajsh përpjekjeje.