“Nuk ka zot që më ndal të…”/ Presidenti Meta për procesin e shkarkimit nga Kushtetuesja: Falsifikimi i provave nga Kuvendi, krim i rëndë! Duhet ndëshkuar

168
Sigal

Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar krim, ndërhyrjen e Kuvendit për të ndryshuar datën e dokumenteve që dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese lidhur me procesin për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

 

Sipas Metës, ky krim duhet të ndëshkohet, pasi kemi të bëjnë me falsifikim provash. Në një intervistë për televizionin Apollon, Meta deklaron se nuk ka zot që e ndal atë të reagojë kundër padrejtësive dhe shkeljeve Kushtetuese.

“Krim më të rëndë se sa krimi më i freskët i Kuvendit të Shqipërisë, i cili në seancën e fundit të gjykimit të çështjes, kundër Presidentit, qoftë për ndonjë provë të re, duke kujtuar se ne nuk do ta shqyrtonim provë që ishte një falsifikim shumë i rëndë i një prove të vjetër, që ishte e njëjta me këtë, por i kishin ndryshuar datën, pasi e njëjta shkresë, që ishte dorëzuar që në korrik, kur Kuvendi kishte dërguar ato akuzat e veta, dhe kishte dërguar edhe ato provat gjoja të tij. Nuk ka krim më të rëndë se sa të manipulosh shkresën e Kuvendit të Shqipërisë, për të vetmen arsye që të tregosh se gjoja janë respektuar afatet! Kur kjo gjë është e provuar katëcipërisht që nuk ka ndodhur dhe që e bën “nul” të gjithë procesin.

Pastaj, le të shkojmë te përmbajtja e akuzave të Kuvendit, sepse aty nuk ka asnjë lloj materieje juridike, asnjë fakt! Ajo është një lloj përpjekjeje për t’i mbyllur gojën edhe Presidentit të Republikës, jo këtij që është, se këtij nuk ka Zot që ia mbyll gojën për të folur kundër padrejtësive, kundër shkeljeve të Kushtetutës, kundër dhunimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë! Është edhe një mesazh për të gjithë popullin: Shikoni, se ne kur ua kufizuam të drejtën për t’u shprehur, të drejtën për të dhënë mendimin tuaj, për t’i bërë kritika Presidentit të Republikës, po ju të tjerët?! Presidenti, i cili gëzon një mbrojtje shumë të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë! Pra ky është një mesazh kundër lirisë së shprehjes! Është një mesazh që njerëzit të mbyllin gojën, t’i nënshtrohen çdo lloj padrejtësie, çdo lloj dhune që vjen nga pushteti, dhe që të luten që të kenë një copë bukë, për të mbijetuar” – tha Meta.