Nuk ka qetësi në Tiranë/ Përleshje të dhunshme, rrahje brutale dhe akte vandalizmi. Dhjetë policë të lënduar

118
Sigal

Përleshje të dhunshme, rrahje brutale dhe akte vandalizmi. Këto janë ngjarjet e orëve të fundit në kryeqytet, ku grupet e tifozëve të Romës dhe Fejnord, po përleshen me njëri tjetrin dhe me policinë.

Një grup tifozësh kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania” dhe sipas informacioneve tentonin të përplaseshin me një grup tifozësh të skuadrës tjetër. Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie.

Kujtojmë gjithashtu se një qytetar shqiptar u rrah në mënyrë brutale në kafe “Europa”, nga tifozë hollandezë të dehur, duke përfunduar në spital.

Gjithashtu ka patur raportime për vandalizëm të pronës publike dhe për akte dhune ndaj pronës së qytetarëve, kryesisht automjeteve.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas hollandez dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh që mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.